Turqia kundër Saudisë për përfshirjen e Unionit Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë në listën e organizatave terroriste

Ministria e Jashtme e Turqisë reagoi të premten kundër vendimit të bllokut të udhëhequr nga Arabia Saudite për të shtuar Unionin Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë (IUMS) në listën e organizatave terroriste.

Në një komunikatë me shkrim të lëshuar mbrëmjen e së premtes, Ministria tha se ky është një vendim “i tmerrshëm” mbi “akuza të pabaza”.

“Si kryesues të radhës në Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OIC), ne e konsiderojmë këtë vendim si një gabim serioz, i cili do t’i shërbejë një mjedisi antiislam. Shpalljen organizatë terroriste të një institucioni të tillë, që mbledh nën strehën e tij dijetarë të papërzierë në asnjë akt terrorist, ne e shikojmë si një qëndrim kontradiktor me traditën arsimore-shkencore të qytetërimit tonë”, thuhet në komunikatën e sipërcituar.

MPJ turke kërkoi nga blloku që të rishqyrtojë vendimin e tij dhe “të respektojë siç e meriton” Unionin Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë.

Blloku arab i udhëhequr nga Riadi, i cili formohet nga Arabia Saudite, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahrejni, njoftoi të mërkurën vonë këtë hap duke thënë se kishte përfshirë në listën e tij të monitorimit terrorist dy entitete dhe 11 individë.

Shtesat përfshijnë dy OJQ me seli në Doha, Këshillin Ndërkombëtar Islam dhe Unionin Ndërkombëtar të Dijetarëve Myslimanë, udhëhequr nga dijetari i shquar egjiptian, Sheik Yusuf al-Qaradawi.

Të katër vendet thanë në një deklaratë të përbashkët se subjektet e shtuara në listë përbënin “organizata terroriste që punonin për të promovuar terrorizmin nëpërmjet shfrytëzimit të diskursit islam, të cilin e përdorin si mbulim për të kryer aktivitete të ndryshme terroriste”.

“11 individët (e shtuar në listë) kanë kryer operacione të ndryshme terroriste, për të cilat ata kanë marrë mbështetje të drejtpërdrejtë nga Katari”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga agjencitë e lajmeve të Arabisë Saudite, Egjiptit dhe Bahrejnit.

Gjatë muajit qershor, Arabia Saudite, EBA, Egjipti dhe Bahrejni shkëputën befasisht lidhjet diplomatike dhe tregtare me Katarin duke e akuzuar atë për mbështetjen e grupeve terroriste në rajon.

Ndërsa Katari i ka mohuar katërçipërisht akuzat në fjalë duke i cilësuar tentativat për izolimin e tij si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne