“Turqia luan rol aktiv për t’i dhënë fund krizës së muslimanëve Rohingya”

Ambasadori i Turqisë në Mianmar, Kerem Divanlıoğlu, ka deklaruar se qëndrimi i Turqisë ndaj muslimanëve të shtypur Rohingya është një shembull i diplomacisë aktive dhe të fuqishme.

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Divanlıoğlu thotë se Turqia është shteti kryesor në arenën ndërkombëtare që mbështet muslimanët me një politikë me “tre shtylla”.

Shtylla e parë është që të përfshihet në mënyrë aktive në platformat ndërkombëtare si Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata për Bashkëpunim Islamik, thotë Divanlıoğlu

Turqia po mban një qëndrim “të përqendruar te njeriu” gjatë konsultimeve dypalëshe dhe multilaterale me Shoqatën e Kombeve Juglindore për muslimanët Rohingya, thotë ambasadori i Turqisë.

Shtylla e dytë është mbështetja turke për komunitetin e persekutuar brenda shtetit Rakhine dhe në kampet e refugjatëve në Bangladeshin fqinj.

Duke theksuar se diplomacia vazhdon si në terren ashtu edhe në tryezë, Divanlıoğlu thotë: “Turqia është një prej shteteve të pakta që zbatojnë projekte shumë të vështira me kapacitetin e saj në Mianmar. Turqia, me qasjen principiele dhe konstruktive, gjithashtu po fiton edhe miratimin e qeverisë së Mianmarit”.

“Kështu, administrata e Mianmarit na lejon neve që të funksionojmë në terren. Qasja në terren është shumë e rëndësishme për Turqinë. Vendasit duhet ta ndiejnë Turqinë si një vend të madh dhe të fuqishëm në anën e tyre”, thotë Divanlıoğlu.

Shtylla e tretë është dialogu me autoritetet zyrtare në Mianmar, sqaron ambasadori turk, duke shtuar: “Ne mund t’i bëjmë të gjitha aktivitetet në dialog me administratën e Mianmarit”.

Sipas ambasadorit turk, kontaktet e nivelit të lartë me administratën e Mianmarit janë shumë të rëndësishme. Divanlıoğlu beson se telefonata e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, e realizuar në shtator të vitit 2017 me lideren e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në zgjidhjen e problemit.

“Kjo është një çështje ndërkombëtare dhe humanitare. Turqia luan një rol shumë aktiv në këtë çështje dhe ne duam të mbajmë politikën tonë me tre shtyllat”, thotë Divanlıoğlu.

“Kushtet duhet të përmbushen për kthimin e refugjatëve Rohingya”

Me kthimin e rreth një milion muslimanëve Rohinga që janë duke jetuar në kushte shumë të vështira në kampet e refugjatëve në Bangladeshin jugor, Divanlıoğlu theksoi se kthimi paqësor i refugjatëve Rohingya është përparësia kryesore e vendit të tij.

Ai foli edhe rreth marrëveshjes së vitit 2017 midis Bangladeshit dhe Mianmarit për riatdhesimin e refugjatëve Rohingya.

“Marrëveshja nuk po funksionon dhe asnjë anëtar i vetëm i komunitetit Rohingya ende nuk është kthyer. Muslimanët Rohingya nuk duan të kthehen në Mianmar pa u garantuar sigurinë e tyre, qasjen e tyre të mëparshme dhe pa u sqaruar statusin e tyre ligjor, siç është shtetësia”, theksoi ai.

Divanlıoğlu shtoi se përparësia e dytë është të japin llogari ata që shkelën të drejtat e njeriut gjatë sulmit ushtarak ndaj komunitetit të persekutuar në vitin 2017.

Prioriteti i tretë, siç tha ai, është t’i jepet fund politikës diskriminuese dhe përjashtuese ndaj muslimanëve Rohingya.

Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1.2 milionë./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne