Opinion

Turqia në ndryshim dhe shqiptarët

Zullumi dhe prirjet zullumqare, që një kohë të gjatë jemi duke i përjetuar ne si muslimanë në mbarë botën, duke filluar nga më të zezat e shekullit të kaluar dhe fillimit të mijëvjeçarit të tretë, kanë për qëllim të zbehin Unin individual, ta shkatërrojnë sistemin e punës dhe kaosin e të tjerëve ta tregojnë si rregull, ndërsa çdo rregull tonin si kaos dhe, si fund, të përpiqen që njeriun/muslimanin ta çlirojë nga pesha e lirisë.

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

Në vitin 1898 Xhovani Xhentile do të hyjë në një polemikë të thellë me një bashkatdhetar të tij, po ashtu estet dhe filozof – Benedeto Kroçe, në lidhje me teorinë e vlerave të prezantuara në idenë marksiste, e cila asokohe ishte goxha aktuale në qarqet filozofike botërore. Xhentile, në një revistë filozofike të kohës, do ta parashtrojë një dilemë me peshë, por edhe të vështirë për njeriun dhe mentalitetin bashkëkohor, do ta diskutojë marksizmin jo si një orientim empirik brenda një kohe të paidesisë dhe katrahurës vuajtëse njerëzore, por në përmasën e teorisë së vlerave në të. Ai do të thotë se Marksi është materialist, mirëpo kjo është çështje personale e tij, ashtu siç është çështje personale e një fizikani, që të jetë teist. Si rrjedhojë, ai do ta potencojë çështjen e diskutimit të gjithanshëm të teorisë marksiste dhe botëkuptimit më të gjerë të kësaj filozofie. Pas kësaj dileme, Kroçe do të jetë i domosdoshëm që të thellohet në prapavijën e idesë së Marksit, të flasë për borxhin që ai ia ka Hegelit e kështu me radhë.

Ky diskutim mes dy filozofëve të shquar të agut të shekullit XX më barti në realitetin e Turqisë së sotme, posaçërisht në vështrimin jo të orientimit empirik, por të teorisë së vlerave të cilat përfaqësohen në arenën politike në Turqi dhe relacionet e të tjerëve ndaj tyre dhe të tyre ndaj të tjerëve. Për pasojë, zbërthimi real i kësaj dileme e përbën edhe filozofinë politike të këtij nënqielli.

Filozofia politike i parashtron tre pyetje:

1) Cili është sistemi i vlerave i vlefshëm për një shoqëri konkrete?;

2) Në bazë të cilave standarde duhet të vlerësohen mekanizmat shoqërore konkrete?

3) Si mund të pragmatizohen standardet e vendosura në shoqërinë gjegjëse?

Përgjigja në pyetjen e parë i përmbledh karakteristikat e sistemit të vlerave, të cilat e kanë parasysh objektivitetin ndërmjet subjektit dhe objektit, hapësirën dhe kohën dhe pozicionimin e një shoqërie të caktuar brenda kornizave të lartpërmendura. Analizo: TURQI-SHQIPTAR!

S’ka dyshim se arsyeja instiktive, e hëpërhëshme, është e lezetshme për shkak se të liron prej aktivizimit të kreativitetit mendor, të prezanton kënaqësitë momentale, që arrihen me udhëheqjen ose “qeverisjen”, të kënaqë për shkak se prej askushit të bën dikushi, mirëpo gjithnjë në histori ka qenë shkak për sallto mortalet e paevitueshme të shumë sistemeve botërore. Ndërkaq arsyeja praktike është pak më futuriste, ëndërruese: ato gjëra që arsyeja instiktive i ka hëpërhë, këta të dytët i ëndërrojnë. Ëndrra është edhe më e rrezikshme për shkak se nuk është më kur del gjumi. Ndërsa realiteti është në arsyen shpirtërore, e cila të dhënat empirike dhe ato konceptuale i gatuan në kuzhinën e gjenit origjinal të vet dhe, më pas, vepron. Aktet e veprimit të ky grup, disa herë në moment, duken si të kobshme, mirëpo kanë jetëgjatësi, për shkak se e pengojnë vazhdimin e metastazave shoqërore vdekjeprurëse.

Për pasojë, lirisht mund të thuhet se relacioni ndërmjet subjektit (shqiptarit) dhe objektit (Turqi) dhe, anasjelltas, në moment edhe nga aspekti empirik, por edhe nga aspekti idealist është jashtë çdo normative të filozofisë së udhëheqjes reale me shoqëritë moderne… Të themi të drejtën, në këtë relacion dhe në vendosjen e sistemit të drejtë dhe real të menaxhimit social, këtu nuk ju nevojiten shumë “integrime” të moderuara ose “të reja”, por nevojitet një kthim kantian i sintetizimit të idealit dhe përvojës sonë brenda kësaj hapësire dhe kësaj periudhe kohore.

Unë e përkrahi fuqimisht idenë e Ferrajt se integrimet dhe hulajat e konstelacioneve brendaballkanike në relacion me shqiptarët, edhe në ide edhe në përvojë, kanë qëlluar gjenin tonë dhe janë orientuar në shkrirjen dhe asimilimin. Si në historinë e largët, ashtu edhe në të afërmen, ne ndoshta kemi heshtur, por gjithnjë i kemi thënë jo shkrirjes së gjenit tone. Nuk dua të them që duhet të getoizohemi, të konservohemi në relacion me ata që janë pranë nesh, por dua të them që të jemi ne pranë atyre që i kemi pranë. Dua të them që, për çështjet jetike tonat, duhet të dimë të themi JO ASSESI në momentin e duhur dhe mos të lejojmë prolongimin e proceseve me peshë për ne dhe për pasardhësit tanë në këto troje.

Përgjigja në pyetjen e dytë duhet t’i ngërthejë detyrimet morale dhe juridike, me të cilat institucionet e caktuara duhet të pajtohen, dhe idealet të cilat duhet t’i promovojnë.

Popujt e ngritur detyrimet ose, thënë ndryshe, normat morale i kuptojnë më lart se detyrimet juridike. Mirëpo, këtu nuk kemi një rast të tillë. Pikërisht për këtë është me peshë që çështjet të normatizohen juridikisht. Por, për fat të keq, vite me radhë kemi tautologji të bezdisshme të implementimit të kësaj e asaj dhe askund nuk shohim implementim real. Filozofia politike është disiplinë normative, që do të thotë se në qoftë se ju nuk veproni në politikë ashtu si duhet, nëse nuk e justifikoni procesin ekzistencial tuajin, ajo ju gëlltit. Në rastin tonë gëlltiten politikat e ndryshme, që na brengos, mirëpo më tepër na brengos gëlltitja e proceseve të cilat shumë vështirë fillojnë, por nëse nëpërkëmben, atëherë edhe më vështirë kthehen prapë. Ne nuk kemi kohë që t’i kalojmë edhe 60 vjet për ta kuptuar se çka nuk është e mirë.

Përgjigja e tretë e përmban aplikimin e barabartë të standardeve dhe lirisë në segmentet shoqërore. Politika nuk i duron standardet e dyfishta dhe, si pasojë e tyre, shoqëria letargjizohet. Pragmatizmi politik duhet të jetë në orientim të strategjive të verifikimit të sjelljes politike dhe jo të ideve klishe, që një kohë të gjatë na dëshmohen si joproduktive.

Kundër letargjisë dhe servilitetit

Shoqëria është një ndërmarrje bashkëvepruese ku njerëzit – duke i bashkërenduar veprimet – prodhojnë një shtesë mbi rezultatin që do ta kishin arritur. Ky rezultat është satisfaksion i njerëzishmërisë së tyre. Veprimtaria pozitive i mundëson njeriut që të zë vend në arenën e virtytit dhe, si i tillë, të dallohet nga milingona që ndoshta jeton, shkelet dhe askush nuk e merr vesh se ka jetuar, ndërsa më e keqja është se edhe është shkelur.

Për dinjitet e jo për inferioritet

Fillova të pyetem se a jemi ne për vetveten apo jemi vetëm për veten?! Nëse po, atëherë e kemi vështirë të ndërtojmë shoqëri me vlera, ndërsa nëse jo, atëherë o tani o kur? Mendoj se duhet të ngrihet zëri ndaj kësaj ndërhyrjeje të elementeve që, siç thotë Seneka, herë i shohim si mbeturina të dala në breg, e herë në mëshirë të dallgëve të dhunshme.

Zgjedhjet dhe etika zgjedhore, bile edhe në vendet më totalitare, e ruan deri në fund autonominë, së paku në dukje, kjo si pasojë e parimeve themelore të “demokracisë”. Ai është burimi prej ku do të dalin idetë për ndërtimin e shoqërisë me vlera, është vendi ku gjeneratat e ardhshme do të përgatiten për sfidat e ardhmërisë. Ndërsa tek ne, për fat të keq, pas çdo procesi zgjedhor edhe më shumë letargjizohemi.

Moderniteti dhe postmoderneja/ termet boshe dhe të mbushura

Mirëpo, realiteti i parimeve nuk është në termet e zbrazëta, por ato i përbëjnë njerëzit që janë dhe funksionojnë brenda tyre. Zullumqarët mund t’i pushtojnë godinat, por asnjëherë trurin e të ndriturve. Por, nëse me lehtësinë më të madhe depërtohet edhe në tru dhe me analiza qesharake arsyetohen ndërhyrjet e tilla, me plot të drejtë ata që janë jashtë do të pyeten se sa këta brenda janë të ndritur.

Zullumi dhe prirjet zullumqare, që një kohë të gjatë jemi duke i përjetuar ne si muslimanë në mbarë botën, duke filluar nga më të zezat e shekullit të kaluar dhe fillimit të mijëvjeçarit të tretë, kanë për qëllim të zbehin Unin individual, ta shkatërrojnë sistemin e punës dhe kaosin e të tjerëve ta tregojnë si rregull, ndërsa çdo rregull tonin si kaos dhe, si fund, të përpiqen që njeriun/muslimanin ta çlirojë nga pesha e lirisë. A e dini çka do të thotë të lirohesh nga pesha e lirisë? E dini, por ja ta them edhe unë: të bëhesh skllav. Skllavëria nuk është rezultat i pushtetit të fortë, por i bindjes për pafuqinë dhe paqëndrueshmërinë individuale. Nëse për asgjë tjetër, por për hir të rejtingut të parimit të quajtur fe e pastër, etikë shpirtërore, duhet të përpiqemi maksimalisht ta ruajmë vlerën e vepërmirësisë dhe të përpiqemi për mbretërimin e saj në përgjithësi në botë.

Robërimi i ndjenjave dhe përfaqësimi i inferioritetit se muslimanët e vërtetë nuk kanë mundësi të udhëheqin me institucionet e rëndësishme na fut në hipoteka të rrezikshme dhe krijon mendësi dhe udhëheqësi servile, me një fjalë prodhon aminxhinj të politikave dhe strategjive armiqësore. Asnjë iniciativë e ligjshme nuk mund t’i shkarkojë organet e zgjedhura dhe legjitime të një shteti, përveç shembujve të ndërhyrjeve të paligjshme dhe të dhunshme, a la fisi Zulu. Ose, vetëm nëse këto ndërhyrje i bëjnë shoqëritë e botës së tretë, ato nuk janë në rregull, ndërsa nëse i bëjnë “të zhvilluarit”, ato janë në rregull!!!

Grupimet shoqërore tinzare dhe qëndrimi burrëror

Turqia në periudhën e udhëheqjes së presidentit aktual, Rexhep Tayyib Erdoğan, është ngritur në një shtet me integritet dhe famë botërore. Janë mënjanuar të gjitha inferioritet ndaj të tjerëve dhe është aty kthyer dinjiteti në kuadër të trungut origjinal. Të mos flasim për infrastrukturën e brendshme, ndërtimin dhe organizimin shoqëror marramendës. Vetëm në këtë periudhë Turqia është marrë me të drejtat e popujve të tjerë jashtë Turqisë dhe vetëm në këtë periudhë shqiptarët, institucionet dhe vendzënia e jonë në kuadër të mekanizmave ndërkombëtare, është diskutuar, motivuar dhe mbështetur nga Turqia.

Ndryshimet dhe zhvillimet shoqërore, që me siguri në rastin e vizionit të ri që shprehet në platformën e filozofisë politike të Erdoganit nuk janë karakteristike vetëm për Turqinë, por për mbarë njerëzimin, bazohen në lirinë dhe aktin krijues të njeriut – aty zbulohet natyra gjeniale e tij. Mirëpo, mosekzistimi i kësaj lirie e zbulon edhe tragjedinë e krijimtarisë njerëzore. Gjithsesi, ndryshimi dhe zhvillimi paraqitet si rezultat i relacionit të drejtë mes veprës, mendimit dhe prodhimit krijues. Më konkretisht, mendimi i fosilizuar krijon vepra retrograde dhe prodhon defekte shoqërore.

Turqia, nga aspekti i të gjithë muslimanëve, por edhe nga aspekti i demokracisë dhe lirisë, aq shumë të përfolur të bashkëkohësisë, është shumë e rëndësishme, por më e rëndësishme është qëndrimi kokëlartë dhe krenar me të kaluarën tonë dhe vepërmirësinë shoqërore në kuadër të procedurave bashkëkohore dhe argumentimi ndaj vetes, së pari, se jemi dhe kemi, siç do të kishte thënë Fromi.

Erdogani, me vetëdije të plotë për presionet, vendosi ta ndjekë rrugën e tejkalimit të vështirësive sistemore, të cilat i ka momentalisht bota dhe t’i thotë fund superioritetit të një centrizmi i cili nuk arriti ta ndryshojë botën për të mirë, në veçanti pas shpartallimit të blloqeve dhe e ndoqi rrugën e ndryshimit të perceptimit të çështjeve por edhe të esencës së tyre. Përpjekje të mëdha u bënë që idetë (simbolet, informatat, teoritë, qëndrimet) nga ana e njerëzve të vlerësohen nga aspekti i përmbajtjes së tyre dhe jo vetëm nga aspekti i funksionalitetit të tyre në jetën individuale dhe kolektive. Kjo do të thotë se një ide duhet të vlerësohet nga aspekti se a është esencialisht humane ose jo dhe jo nga konteksti se sa ideja është në kuadër të dëshirave dhe interesave individuale dhe grupore.

Pikërisht për këtë mendoj se duhet të mendojmë pak më thellë për realitetin tone dhe relacionet me Turqinë. Askush nuk mund t’u shkaktojë dëm atyre që punojnë dhe bazohen në punën e tyre të palodhshme e jo në hipotekat e huaja. Ndërsa për ata që hyjnë në hipoteka zullumqare sa bukur ka thënë Marco Aurelio: “Vrasin, ndajnë më katërsh, s’lënë gjë pa thënë me mallkime: por si mund ta pengojnë mendjen të gjitha këto që të qëndrojë e pastër, e kthjellët, e urtë, e drejtë? Do ishte njësoj sikur dikush të ndalej në një burim me ujë të kulluar e të pastër dhe ta shante: burimi, natyrisht, nuk pushon së rrjedhuri ujin e tij të kthjellët; madje, edhe nëse ai hedh brenda ca baltë dhe bajga, burimi do t’i shpërndajë menjëherë ato e do t’i marrë me vete dhe nuk do të mbetet aspak i ndotur. Si mund të kesh, pra, brenda vetes një burim të përjetshëm? Nëse do vazhdosh të jesh në çdo çast i lirë…”

Unë nuk kam tjetër çka të them, pos mos ta humbim lirinë, autonominë dhe rregullin, sepse pastaj kaosi bëhet rregull./ shenja

OPINIONE