Turqia në zi, 8 dëshmorë dhe 13 të plagosur në operacionin “Dega e Ullirit”

Turqia është në zi kombëtare, pasi 8 ushtarë turq kanë rënë dëshmorë të enjten pasdite gjatë operacionit “Dega e Ullirit”, që vijon në distriktin Afrin të Sirisë.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Turqisë njoftoi përmes një deklarate të shkruar se në ofensivat e realizuara në Afrin, në kuadër të operacionit “Dega e Ullirit”, 8 ushtarë kanë rënë dëshmorë dhe 13 të tjerë janë plagosur.

“Allahu i mëshiroftë martirët tanë të shenjtë, të cilët humbën jetën në këtë sulm që na zhyti në një hidhërim dhe dhimbje të thellë. Ne u shprehim ngushëllimet tona dhe u urojmë durim familjeve të pikëlluara të dëshmorëve tanë, Forcave të Armatosura të Turqisë dhe kombit të madh turk; ndërsa të plagosurve tanë, që u evakuuan menjëherë për trajtim mjekësor, u dëshirojmë shërim sa më të shpejtë”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e Shtatmadhorisë së ushtrisë turke.

Nga ana tjetër, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, që po qëndron në Senegal për kontakte zyrtare në kuadër të turneut të vizitave në 4 shtete të Afrikës Perëndimore, ka marrë në telefon shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjeneralarmate Hulusi Akar dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Suleyman Soylu, të cilët e kanë informuar në detaje për konfrontimin në fjalë ndërmjet forcave të sigurisë dhe terroristëve në një nga zonat rurale të Afrinit.

Siç bëjnë të ditur burime nga Presidenca e Republikës së Turqisë, Erdogan është shprehur thellësisht i pikëlluar nga humbja e 8 ushtarëve në këto luftime duke uruar mëshirë nga Allahu për dëshmorët dhe shërim të shpejtë për të plagosurit.

Presidenti Erdogan gjithashtu shprehu ngushëllimet e tij për familjet e pikëlluara të martirëve dhe për të gjitha forcat e sigurisë, me në krye Komandën e Xhandarmërisë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne