“Turqia pret zbatim të plotë të marrëveshjes për Idlibin”

Zëdhënësi presidencial i Turqisë, Ibrahim Kalin, u ka bërë thirrje Rusisë dhe Iranit që të sigurojnë zbatim të plotë të marrëveshjes për Idlibin e cila u nënshkrua gjatë bisedimeve në Astana në vitin 2018.

“Regjimi (i Bashar al-Assad-it) duhet menjëherë të ndërpresë sulmet e tij (në Idlib) të kryera me pretekstin e elementeve terroriste”, tha Kalin, duke folur gjatë një konference të mbajtur në provincën qendrore të Turqisë, Konya.

Kalin tha se qyteti veriperëndimor i Sirisë, Idlibi, ishte projektuar si një zonë e de-eskalimit dhe është nën garancinë e Turqisë dhe Rusisë. Megjithatë, ai shtoi se regjimi i Assadit ka vazhduar të sulmojë rajonin për të marrë më shumë territor duke shkelur qartë mbi marrëveshjen e Idlibit.

“Zgjidhja (në Siri) është që procesi politik të aktualizohet menjëherë pa vonesë”, tha ai, duke paralajmëruar se një krizë tjetër humanitare ishte në horizont nëse nuk arrihej një zgjidhje politike.

Kalın tha se në zgjidhjen politike duhej të përfshiheshin krijimi i komitetit kushtetues, qeveria e përkohshme, mbajtja e zgjedhjeve dhe aspektet e proceseve të Astanas dhe Gjenevës.

Ai tha se Turqia, Rusia dhe Irani do të kenë takim trepalësh më 16 shtator ku palët do të diskutojnë krizën në Siri nën udhëheqjen e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia dhe Rusia në shtator të vitit të kaluar u dakorduan që të shndërrojnë Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit.

Sipas marrëveshjes, grupet opozitare në Idlib do të qëndronin në zonat ku ata tashmë ishin prezent, përderisa Rusia dhe Turqia do të kryenin patrullime të përbashkëta në zonë për të parandaluar vazhdimin e luftimeve.

Megjithatë, regjimi sirian dhe aleatët e tij vazhdimisht i kanë thyer kushtet e armëpushimit, duke nisur sulme të shpeshta brenda zonës së deeskalimit.

Turqia ka ngritur alarmin për sulmet e vazhdueshme në Idlib dhe kërcënimin që paraqesin ato për civilët./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne