Bota Islamofobi

Turqia reagon ndaj Francës: Ky është kulmi i injorancës dhe idiotësisë në epokën moderne

Zëdhënësi dhe nënsekretari i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë, Ibrahim Kalin, theksoi të dielën se Kurani i Madhërishëm do të ruhet deri në ditën e kiametit.

Plot 300 intelektualë dhe politikanë francezë bënë një kërkesë që shkaktoi reagimin e Ankarasë zyrtare.

Emrat në fjalë, mes të cilëve edhe ish-presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, kërkuan heqjen e disa ajeteve nga Libri i Shenjtë i Islamit duke pretenduar se ato përhapin dhunën dhe antisemitizmin.

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kalin, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës në fjalë.

“Kurani Famëlartë s’është lojë ‘pazëll’ e askujt. Është libri ynë i shenjtë. Do të ruhet deri në ditën e kiametit ashtu siç është shpallur. Antisemitizmi është një ideologji urrejtjeje e shfaqur në Evropë. Perëndimorët që duan ta zgjidhin këtë problem, le të vënë në pyetje burimet e tyre. Ky është kulmi i injorancës dhe idiotësisë në epokën moderne”, shkroi Kalin përmes llogarisë së tij në rrjetin social “Twitter”.

Nga e njëjta platformë është prononcuar në lidhje me këtë çështje edhe zëvendëskryeministri turk, Bekir Bozdag.

“Duke përfshirë edhe ish-presidentin e Francës, Nicolas Sarkozy, një armik i përbetuar i Islamit, 300 intelektualë dhe politikanë francezë paskan kërkuar heqjen e disa ajeteve nga Kurani me shpifjen se ‘përhapin dhunën dhe antisemitizmin’. Këta janë trutharët, barbarët dhe Ebu Xhehlët e shekullit të 21-të, janë versioni perëndimor i DAESH-it”, ka thënë ai.

“Jo vetëm Sarkozy, por edhe nëse mblidhen së bashku të gjithë armiqtë e Islamit, ata s’mund të bëjnë diçka të ngjashme me ndonjë ajet apo sure të Kuranit dhe as që mund ta ndryshojnë dot kurrë Kuranin e Madhërishëm”, nënvizoi Bozdag në “Twitter”.

Një reagim i fuqishëm në lidhje me kërkesën e 300 intelektualëve dhe politikanëve francezë për nxjerrjen e disa ajeteve nga Kurani i Madhërishëm ka ardhur edhe nga ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu.

“Ky është tregues i nivelit të islamofobisë dhe fanatizmit intelektual në racizëm. I kapërcyen shumë kufijtë. Çfarë bëhet kur këta flasin kështu? Bëhen sulme kundër xhamive në Evropë”, u shpreh ai.

“Ju i keni përndjekur çifutët përgjatë gjithë historisë, ndërsa Shteti Osman, Republika e Turqisë dhe myslimanët u kanë dalë për zot çifutëve gjatë tërë historisë”, shtoi shefi i diplomacisë turke.

“Tek ne s’ka antisemitizëm, kjo bie ndesh me besimin, fenë dhe Kuranin tonë. Racizmi, jotoleranca, armiqësia ndaj emigrantëve dhe ksenofobia ka arritur majat në Evropën e sotme. Partitë raciste po fitojnë terren çdo ditë e më shumë. Ti ndalo këto së pari! Për çfarë lirie je duke folur? Kujt përpiqesh ti japësh leksione?”, përfundoi ministri Çavusoglu./ trt

OPINIONE