Turqia reagon ndaj raportit të SHBA-së mbi liritë fetare në vitin 2018

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hami Aksoy, ka lëshuar të shtunën një komunikatë me shkrim në përgjigje të një pyetje për kapitullin mbi Turqinë të “Raportit të Vitit 2018 mbi Lirinë Fetare Ndërkombëtare”, publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.

“Në ‘Raportin e Vitit 2018 mbi Lirinë Fetare Ndërkombëtare’, publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit më 21 qershor 2019, fakti që udhëheqësi i organizatës terroriste FETO është përmendur si “klerik dhe figurë politike myslimane” është një tregues i qartë i motiveve të tjera dhe qarqeve prapa tij. Një portretizim i tillë i udhëheqësit të organizatës terroriste që vrau 251 qytetarë tanët, do të thotë të tolerosh ose mbështetësh tentativën tradhtare për grushtshteti të 15 Korrikut (2016).

Të përkufizosh si klerik fetar të pafajshëm ata që qëndrojnë pas përpjekjes së grushtshtetit kundër një demokracie aleate, është një shembull shumë i qartë i qasjes hipokrite për një vend që pretendon të jetë mbrojtësi i demokracisë në botë”, thuhet në komunikatën e zëdhënësit të MPJ turke.

Aksoy është ndalur gjithashtu mbi çështjen e priftit amerikan, Andrew Brunson.

“Prifti Brunson u dënua për shkak të lidhjes së tij me terrorizmin, jo për shkak të besimit të tij. Ai është kthyer në SHBA pasi ka vuajtur dënimin e tij në përputhje me një vendim gjyqësor, jo si rezultat i sanksioneve dhe kërcënimeve. Megjithatë mbulimi gjerësisht i çështjes së tij dhe paraqitja e saj në raport si një shkelje e lirisë fetare nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje e SHBA-së për të abuzuar me këtë çështje dhe për të kritikuar padrejtësisht vendin tonë.

Fakti që Departamenti amerikan i Shtetit nuk paraqet qoftë edhe një kritikë të vetme rreth agresionit të Izraelit ndaj Haram al-Sharif, një nga vendet më të shenjta islame të adhurimit, në kapitullin mbi Izraelin të së njëjtit raporti, ndërkohë që paraqet si ‘retorikë antisemite’ reagimin në vendin tonë kundër Izraelit për vrasjet e dhjetëra myslimanëve në Gazë vitin e kaluar, zbulon natyrën e pavlerë të raportit.

Turqia përsërit synimin e saj për të mbrojtur dhe promovuar lirinë e fesë dhe adhurimit me çdo hap që ndërmerr. Fetë dhe besimet e ndryshme do të vazhdojnë të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore në Turqi.

Nga ana tjetër, nëse SHBA-ja do të kishte marrë informacion paraprakisht nga pakicat në Turqi, rezultati do të ishte një raport shumë më realist dhe më i respektueshëm”, nënvizon zëdhënësi Aksoy në fund të komunikatës së tij./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne