Bota

Turqia, Rusia dhe Irani kundërshtojnë agjendat separatiste në Siri

Recep Tayyip Erdoğan, Vladimir Putin dhe Hasan Ruhani firmosën deklaratën e përbashkët pas Samitit të Katërt Trepalësh me temë Sirinë.

Liderët në samitin trepalësh për Sirinë të mbajtur në Soçi të Rusisë kanë riafirmuar vendosmërinë për të kundërshtuar agjendat separatiste që synojnë dobësimin e sovrantitetit dhe integritetit territorial të Sirisë dhe sigurisë kombëtare të vendeve fqinje, thuhet në deklaratën e përbashkët të krerëve të tre vendeve pas takimit, transmeton Anadolu Agency.

Recep Tayyip Erdoğan, Vladimir Putin dhe Hasan Ruhani firmosën deklaratën e përbashkët pas Samitit të Katërt Trepalësh me temë Sirinë.

Sipas deklaratës, liderët diskutuan gjendjen aktuale në terren në Siri dhe vlerësuan zhvillimet pas samitit të fundit më 7 shtator të vitit 2018 në Teheran.

Krerët e tri vendeve theksuan forcimin e koordinimit trepalësh dhe vendosmërinë e tyre për sovranitetin, pavarësinë, unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë dhe nënvizuan se askush nuk duhet të dëmtojë këto parime.

“Liderët hodhën poshtë çdo përpjekje për të krijuar realitete të reja në terren nën maskën e luftimit të terrorizmit dhe shprehën vendosmërinë e tyre për të kundërshtuar agjendat separatiste që synojnë dobësimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Sirisë dhe sigurisë kombëtare të vendeve fqinje”, thuhet në deklaratë.

“Ata vunë në dukje se në rast të zbatimit të vendimit të Shteteve të Bashkuara për tërheqjen e forcave nga Siria, ky do të ishte një hap që do të shërbente për të forcuar stabilitetin dhe sigurinë e vendit në përputhje me parimet e lartpërmendura”, theksohet më tej.

Tre liderët kanë refuzuar përpjekjet e grupit Hayat Tahrir al-Sham për të rritur kontrollin në zonën e deeskalimit të Idlibit dhe kanë rënë dakord të ndërmarrin hapa konkretë për të siguruar reduktimin e shkeljeve të armëpushimit në rajon duke zbatuar të gjitha elementet e marrëveshjeve në rajon, përfshirë Marrëveshjen e Soçit të shtatorit të vitit të kaluar për forcimin e armëpushimit në Idlib.

Krerët e shteteve gjithashtu konfirmuan vendosmërinë e tyre për të vazhduar bashkëpunimin për eliminimin e plotë të subjekteve të cilësuara si grupe terroriste nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, siç janë DEASH, Fronti Nusra, Al Kaida dhe organizatat e tjera terroriste.

“Udhëheqësit kanë adresuar situatën në verilindje të Sirisë dhe kanë rënë dakord të koordinojnë aktivitetet e tyre në përputhje me marrëveshjet ekzistuese për sigurinë dhe stabilitetin e këtij rajoni, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit”, thuhet në deklaratën e përbashkët të liderëve.

Zgjidhja politike dhe komiteti kushtetues

Liderët përsëritën besimin ndaj asaj se konflikti sirian nuk mund të zgjidhet me zgjidhje ushtarake dhe se mund të përfundohet vetëm me proces politik në pajtim me Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nën lehtësimin e OKB-së, nën udhëheqjen e sirianëve.

Liderët e tri shteteve garantuese, konfirmuan vendosmërinë e tyre për përshpejtimin e formimit sa më shpejt të Komitetit Kushtetues që do të krijohet në kuadër të përpjekjeve për gjetjen e zgjidhjes politike të krizës.

Në këtë drejtim, liderët tërhoqën vëmendjen në rëndësinë e vazhdimit të ndërveprimit dhe koordinimit të palëve siriane me Përfaqësuesin Special të OKB-së për Sirinë, Geir O. Pedersen.

Ata gjithashtu kanë shprehur mirënjohjet e tyre për lirimin e ndërsjellë të individëve në kuadër të përpjekjeve të grupit punues të formuar për lirimin e të burgosurve, duke iu referuar kontributit të rëndësishëm të formatit të Astanas në zgjidhjen e problemit.

Përforcimi i infrastrukturës humanitare dhe kthimet

Liderët adresuan edhe çështjen e infrastrukturës humanitare në Siri, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar, përfshirë OKB-në dhe organizatat humanitare, për rritjen e ndihmave në Siri.

Ata nënvizuan edhe rëndësinë për të siguruar kushtet e nevojshme që refugjatët dhe personat e zhvendosur brenda vendit të kthehen në vendlindjet e tyre në mënyrë të sigurt dhe vullnetare.

Liderët ranë dakord që mbledhja ndërkombëtare e radhës me temë për Sirinë që do të zhvillohet për të 12-tën herë në Astana të mbahet në muajin prill.

Ndërkaq, u vendos që samiti i ardhshëm trepalësh të mbahet në Turqi.

Në deklaratën e përbashkët thuhet se liderët e Turqisë, Rusisë dhe Iranit kanë trajtuar bashkëpunimin që zhvillojnë në fusha të ndryshme dhe kanë vendosur të përforcojnë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar të përbashkët.

Erdoğan, Putin dhe Ruhani u takuan në Samitin e Katërt Trepalësh për Sirinë në Soçi për të diskutuar përpjekjet e përbashkëta të zhvilluara në terren dhe brenda procesit politik nga platforma e Astanas, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme të konfliktit sirian.

Samiti i parë u mbajt në Soçi në vitin 2017.

Turqia, Rusia dhe Irani janë vende garantuese që ndërmjetësuan një armëpushim në Siri në dhjetor të vitit 2016, duke çuar në nisjen e bisedimeve në Astana të Kazakistanit, të cilat vazhdojnë paralelisht me bisedimet e Gjenevës.

Siria është përfshirë nga një luftë e dhunshme civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Asadit u intervenoi ndaj protestuesve me një ashpërsi të papritur.

Që atëherë, qindra mijëra njerëz besohet të jenë vrarë dhe miliona të jenë shpërngulur si pasojë e konfliktit.

OPINIONE