Turqia shprehet e shqetësuar për gjendjen në Jemen

Turqia deklaroi shqetësimin e saj për tensionin e përshkallëzuar ditët e fundit në kryeqytetin e përkohshëm të Jemenit, Aden.

Në deklaratën me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme për përleshjet e armatosura në Jemen shkruhet: “Ne jemi shumë të shqetësuar për përleshjet e fundit të armatosura në qytetin Aden të Jemenit, të cilat kanë shkaktuar vdekjen ose plagosjen e shumë vëllezërve jemenas”.

“Është i dhimbshëm fakti që përleshjet vazhdojnë edhe në Kurban Bajram,  gjatë së cilit duhet të mbizotërojnë paqja, miqësia dhe ndjenjat e solidaritetit. I bëjmë thirrje të gjitha palëve në Jemen të përmbahen nga çdo hap që do të përshkallëzojë më tej krizën politike dhe humanitare në vend dhe të kërkojnë një zgjidhje të problemeve përmes dialogut”, shkruhet në deklaratë.

Në deklaratë bëhet e ditur gjithashtu se Turqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare që bëhen për krijimin e sigurisë dhe stabilitetit, si dhe për të mbrojtur unitetin dhe integritetin e Jemenit./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne