Bota Uncategorized

Turqia solidarizohet me Shqipërinë edhe në fatkeqësinë e tërmetit

Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë thuhet se “me keqardhje të thellë mësuam lajmin për tërmetin me madhësi 6,4 ballë sipas shkallë Rihter që ra në Shqipëri”.

“I përcjellim ngushëllimet tona të thella popullit shqiptar dhe familjeve që kanë humbur të afërmit e tyre si pasojë e kësaj fatkeqësie. U urojmë gjithashtu shërim sa më të shpejtë të plagosurve. Turqia ashtu si gjithmonë edhe në këtë fatkeqësi është pranë Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Më tej thuhet se nga Turqia do të mbërrijë me një avion ushtarak një ekip për kërkim dhe shpëtim dhe një ekip shëndetësor. “Turqia, e cila është në solidarizim të plotë me qeverinë dhe popullin shqiptar, është e gatshme të ofrojë çdo ndihmë që është e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Shqipërisë (IGJEUM) ka njoftuar se epiqendra e tërmetit kishte qenë 15 kilometra larg nga qyteti i Durrësit në një thellësi prej 38 kilometrash.

Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë si pasojë e tërmetit kanë humbur jetën 13 persona./ trt

OPINIONE