Turqia: Sulmet e Haftar-it përbëjnë krime të luftës

Ministria turke e Punëve të Jashtme ka deklaruar se Turqia do t’i konsiderojë elementët e komandantit luftarak libian, Khalifa Haftar, si një shënjestër legjitime nëse shënjestrohen interesat e vendit në Libi.

“Sulmet e Haftar-it të cilat shënjestruan misionet diplomatike, përfshirë ambasadën turke në Tripoli, Aeroportin Mitiga, aeroplanët civilë që përgatiteshin për fluturim, si dhe infrastrukturat e tjera civile përbëjnë krime lufte”, tha ministria në një deklaratë.

Duke theksuar se milicia e Haftar-it rriti pa dallim sulmet e saj, veçanërisht në kryeqytetin Tripoli, ministria tha se është e papranueshme që Kombet e Bashkuara (OKB) të qëndrojnë joaktive përballë mizorisë në vend.

Ministria theksoi se edhe vendet që ofrojnë mbështetje ushtarake, financiare dhe politike për Haftar-in gjithashtu janë përgjegjës për mizorinë dhe paqëndrueshmërinë në vend.

Sot, të paktën gjashtë civilë u vranë në sulme me raketa nga milicia e Haftar-it në Aeroportin Ndërkombëtar Mitiga në kryqytetin Tripoli.

Sulmet e sotme erdhën disa orë pasi Misioni i Mbështetjes së OKB-së në Libi (UNSMIL) dënoi sulmet ndaj civilëve në Tripoli, duke theksuar se sulmet “mund të jenë krime lufte”.

Haftar, udhëheqës i forcave të armatosura të paligjshme në Libinë lindore, intensifikoi sulmet ndaj civilëve që nga fillimi i muajit maj pasi ushtria e qeverisë libiane së fundmi fitoi avantazh në territore dhe shkaktoi humbje të rënda për militantët e Haftar-it.

Qeveria ka qenë nën sulm nga forcat e Haftar-it që nga prilli i vitit 2019, me mbi 1 mijë të vrarë në dhunë. Ajo filloi “operacionin e paqes” më 26 mars për të kundërshtuar sulmet ndaj kryeqytetit.

Pas rrëzimit të sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011, qeveria e Libisë u formua në vitin 2015 nën një marrëveshje politike të udhëhequr nga OKB-ja./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne