Turqia synon mënyra të qëndrueshme për të përmbushur nevojat e Katarit

Turqia i kërkoi Katarit, i cili gjendet nën bllokadë nga disa vende arabe që nga qershori, të qëndrojë së bashku me Turqinë në prodhimin e qëndrueshëm ushqimor, tha të enjten ministri turk i Ekonomisë, Nihat Zeybekci, raporton Anadolu Agency (AA).

Zeybekci propozoi që Turqia, në vend të dërgimit të mallrave të gatshme në Katar, të dërgojë materiale të papërpunuara, të cilat Katari mund t’i përpunojë në fabrikat e veta.

“Prodhimi mund të fillojë këtu (në Turqi), por të vazhdojë atje (në Katar)”, tha ai, duke folur në një forum biznesi Turqi-Katar në provincën perëndimore turke të Izmirit, ku i pranishëm ishte edhe homologu i tij nga Katari, Sheik Ahmed bin Xhasim bin Muhamed Al Thani.

Turqia ka dërguar një total prej 221 aeroplanëve me mallra për përdorim të përditshëm në Katar pas bllokimit, tha ministri turk. “Një nga gjërat më të rëndësishme që na nevojiten në qëllimet tona të ardhshme është të sigurojmë energjinë tonë të qëndrueshme dhe nevojat për lëndë të para”, tha ai, duke shtuar se vendet duhet të krijojnë mundësitë e tyre financiare.

Nga ana tjetër, Al Thani tha se të gjitha mallrat qarkullojnë në mënyrë normale në tregjet e Katarit dhe se nuk janë ndikuar nga embargoja e vendosur nga vendet arabe, duke e falënderuar Turqinë për mbështetjen e dhënë kësaj periudhe. “Mallrat turke e dëshmuan veten në tregjet e Katarit”, tha Al Thani, duke shtuar se investimet dhe mallrat turke në Katar do të forcojë ekonominë e dy vendeve dhe rezistencën ndaj çdo problemi.

Dy ministrat u mblodhën më vonë për një takim me dyer të mbyllura.

Ndryshe, kriza në rajonin e Gjirit filloi më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për “mbështetje të grupeve terroriste.”

Teksa Doha zyrtare i ka mohuar të gjitha akuzat, katër shtetet i kanë parashtruar Katarit një listë me 13 kërkesa, për të cilën Katari ka theksuar se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne