Turqia do të mbështesë policinë e Kosovës

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, priti të enjten në një takim zyrtar homologun turk Selami Altinok.

Kreu i policisë turke shoqërohej në takim nga ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Këvëllxhëm Këllëç (Kıvılcım Kılıç).

Në takimin e mbajtur në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, Maxhuni e njohu homologun turk me objektivat e Policisë së Kosovës, të bazuara në planin zhvillimor strategjik të Policisë.

“Policia e Kosovës ka kapacitete profesionale dhe është e përgatitur që të ofrojë siguri, të luftojë kundër krimit të organizuar si dhe të bashkëpunojë ngushtë me organizatat policore me qëllim të avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e sigurisë dhe parandalimit të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, tha Maxhuni.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Turqisë, Selami Alltënok (Selami Altınok), vlerësoi punën e policisë së Kosovës, si dhe bashkëpunimin e deritanishëm mes dy palëve.

Po ashtu, kreu i policisë turke konfirmoi mbështetjen për policinë e Kosovës në kuadër të rritjes së kapaciteteve të saj, duke përfshirë edhe trajnimet e nevojshme në fusha të ndryshme për personelin policor.

Alltënok theksoi se Turqia do të mbështesë Kosovën për anëtarësimin në Interpol dhe mekanizma tjerë ndërkombëtarë policorë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne