Turqia vazhdon ekstradimin e terroristëve të huaj

Turqia ka riatdhesuar gjithsej 15 luftëtarë të huaj terroristë në vendet e tyre të origjinës gjatë 8 ditëve të fundit.

Procesi i ekstradimit filloi pas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme të Turqisë, Süleyman Soylu, të bërë më 2 nëntor, i cili theksoi se “Turqia nuk është hotel për anëtarët e DEASH-it të asnjë vendi”.

Gjithsej 10 shtetas gjermanë, nga një danez dhe britanik, si dhe dy shtetas holandezë u deportuan nga Turqia në datat 11-19 nëntor.

Akoma ka 944 luftëtarë të huaj në qendrat e riatdhesimit që presin të dërgohen përsëri në vendet e tyre të origjinës, përfshirë edhe një person pa shtetësi.

Më 9 nëntor, ministri i Brendshëm i Turqisë njoftoi se shteti i tij do të fillonte ekstradimin e terroristëve të kapur të DEASH-it në shtetet e tyre të origjinës.

Çështja e dorëzimit të anëtarëve të DEASH-it dhe familjeve të tyre që mbahen në Siri, duke përfshirë edhe pjesëtarët e huaj të grupit terrorist, ka qenë e diskutueshme, ndërsa Turqia kërkon që terroristët me origjinë të huaj duhet të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës.

Ankaraja thotë se do të dërgojë anëtarët e DEASH-it në shtetet e tyre, por disa shtete evropiane kanë refuzuar duke thënë se terroristët janë denacionalizuar./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne