Turqia vazhdon të kontribuojë në trashëgimin kulturore të Kosovës

Në ambientet e Institutit Kosovar për Mbrojtjen e Monumenteve sot janë nënshkruar dy memorandume të bashkëpunimit për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë dhe Xhamisë së Gazi Mehmed Pashës (Bajrakli) në Prizren, projekte të cilat do të realizohen nga ana e Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).

Me qëllim të ruajtjes dhe transferimit të trashëgimisë kulturore në gjeneratat e ardhshme, dy memorandumet u nënshkruan ndërmjet TIKA-s, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës (MKRS) si dhe Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).

Në ceremoninë e nënshkrimit të pranishëm ishin ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç, kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava, sekretari i BIK-ut, Resul Rexhepi, sekratari i MKRS-së, Veton Firzi, dhe koorditatori i TIKA-s, Hasan Burak Ceran.

Ambasadorja e Republikës së Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç gjatë fjalës së saj falënderoi të trija palët për bashkëpunimin e arritur, duke uruar që këto projekte të jenë në të mirën e të gjithëve.

“Shpresojmë që me anë të këtyre dy projekteve do të kemi edhe dy monumente të trashëguara nga paraardhësit tanë dhe besoj që me restaurimin e këtyre dy monumenteve të rëndësishme të trashigimisë sonë të përbashkët, do të forcojmë lidhjet tona të lashta historike dhe vëllazërore sot dhe në të ardhmen”, u shpreh Kılıç.

Ndërkaq, kryetari i BIK-ut, Naim Tërnava, tha se kjo ditë është një ditë e madhe dhe e bereqetshme për arsye të nënshkrimit të marrëveshjeve për restaurimin e dy xhamive më të vjetra në Kosovë.

“Xhamia Sulltan Murat apo Xhamia e Carshisë është xhamia më e vjetër e ndërtuar në Kosovë. Është xhami unike edhe ndër të gjitha xhamitë në Ballkan, sepse është e ndërtuar tërësisht prej gurit. Andaj, ajo me vete me të vërtetë bart një thesar shumë të madh të kulturës sonë, të fesë sonë. Pra, është një objekt i trashigimisë kulturore fetare”, tha Tërnava.

Duke theksuar që kjo xhami në Prishtinë dhe xhamitë e tjera në kryeqytet janë vetë letërnjoftimi i Prishtinës së vjetër, Tërnava vlerësoi se ka qenë e padrejtë që nuk ka filluar puna për restaurimin e tyre tanimë gjashtë vite. Ai u shpreh i lumtur që me këtë nënshkrim të memorandumeve do të fillojë puna për këto dy xhami, ndërsa tha se mosmarrveshjet në mes të Komunës dhe MKRS-së e kanë zvarritur punën për xhamitë e vjetra, të cilat, sipas tij, janë në gjendje të mjerueshme.

Tërnava kërkoi nga MKRS të lehtësojë punën procedurale për restaurimin e objekteve, ku, sipas tij, edhe BIK-u është duke hasur në disa pengesa në restaurimin e xhamive në Prishtinë dhe në qytete tjera. Ai shprehu shpresën që brenda një muaji e gjysmë të fillojnë edhe restaurimet e tri xhamive të tjera, Xhamisë Alaudin, Xhamisë së Perinazit dhe Xhamisë së Vogël (Buzagi Xhamia).

Nga ana tjetër, sekretari i MKRS-së, Veton Firzi, falënderoi Qeverinë turke dhe TIKA-n për ndihmën e vazhdueshme për ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore. Sipas tij, në bazë të memorandumeve, obligimet e MKRS-së janë të sigurojë që pjesa e procedurave administrative dhe mbikëqyrjes së zbatimit të projekteve të bëhet konfrom ligjeve për trashigiminë kulturore.

Po ashtu, koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran, tha se ka filluar edhe projektimi i Hamamit të Madh (Fatih) të Prishtinës, ndërsa theksoi se edhe projektet e Mejtepe Ruzhdijes në Gjakovë dhe Ruzhdijes në Prizren janë në përgatitje e sipër dhe së shpejti do të nënshkruhen memorandumet e bashkëpunimit edhe për këto monumente.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne