Turqia vazhdon trajnimet për Policinë e Shqipërisë

 Policia Kombëtare e Republikës së Turqisë vazhdon kurset e trajnimit për punonjësit e Policisë së Shqipërisë në fusha të ndryshme, ku trajnimi i fundit ishte për çështjet e luftës kundër terrorizmit.

Në ceremoninë e organizuar në Akademinë e Sigurisë në Tiranë, për ndarjen e certifikatave për pjesëtarët e trajnuar të Policisë së Shqipërisë, ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë dhe drejtues të Akademisë së Sigurisë.

Bilbil Memaj, drejtor i Akademisë së Sigurisë të Republikës së Shqipërisë, gjatë aktivitetit tha se vazhdojnë të realizojnë programin e trajnimeve të miratuar nga Policia e Shqipërisë dhe Policia e Turqisë.

“Për ne si akademi dhe polici është kënaqësi që të vazhdojmë bashkëpunimin në këtë drejtim. Ne vlerësojmë shumë eksperiencën e kolegëve tanë nga Turqia, pasi ata edhe janë ndeshur më shumë me probleme të cilat kanë lidhje me luftën ndaj terrorit. Oficerët tanë që kanë përfituar këtë trajnim do t’i zbatojnë njohuritë në praktikën e Policisë së Shqipërisë për të mirën e shqiptarëve”, tha Memaj.

Përfaqësuesja e Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Seda Kırdar, tha se trajnimi është organizuar në kuadër të bashkëpunimit në një fushë me rëndësi jetike për dy vendet vëllezër, Turqinë dhe Shqipërinë, dhe se dy vendet janë të vendosura për të forcuar bashkëpunimin për të luftuar së bashku kundër organizatave terroriste.

Sipas saj, bashkëpunimi në fushën e trajnimeve është bërë traditë që realizohet çdo vit dhe numri i programeve të bashkëpunimit në fushën e trajnimeve është rritur nga viti në vit.

“Fatkeqësisht Turqia është ndeshur me terrorin i shprehur në çdo formë. Edhe gjatë kësaj lufte ka një përvojë shumë të hidhur, por të madhe. Kjo përvojë na ka bërë më të fuqishëm dhe më të pamposhtur në luftën kundër terrorizmit. Për dhjetëra vite ne kemi luftuar kundër PKK-së, edhe tani po luftojmë. Ne po zhvillojmë një luftë të gjerë kundër PYD-së dhe YPG-së, e cila është pjesë e kësaj organizate mizore në Siri. Vendi ynë është përballur me një të keqe siç është DEASH-i që shfaq çdo llojë egërsie në shekullin 21. Sot Turqia është shtet i vetëm i NATO-s me ushtrinë e rregullt të saj që zhvillon operacion, lufton me DEASH-in në terren. Derisa ne luftojmë në këtë front, luftojmë në çdo fushë edhe kundër organizatës terroriste FETO, e cila duke shpërlarë trurin e të rinjve, me tanke dhe avionë sulmoi popullin dhe parlamentin. Të gjitha këto organizata janë globale dhe lufta kundër këtyre organizatave kërkon një bashkëpunim global”, theksoi Kırdar në fjalën e saj gjatë aktivitetit.

Ajo gjithashtu u shpreh se ky bashkëpunim është jetik, sepse terrori është një e keqe që vë në shënjestër njerëz të pafajshëm.

Pjesë e trajnimit të organizuar nga Departamenti i Antiterrorizmit i Policisë Kombëtare Turke gjatë periudhës 3-7 shtator ishin 15 pjesëtarë të Policisë së Shqipërisë, që në fokus kishte çështjet që lidhen me proceset e hetimit në luftën kundër terrorizmit.

Policia e Turqisë ka ofruar në vitet e fundit trajnime për tema të ndryshme për pjesëtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shqipërisë, në lidhje me metodat e luftës kundër terrorizmit, hetimin kundër krimit të organizuar, konceptet themelore të inteligjencës dhe për çështje të tjera.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne