Turqia vijon të mbështesë Shqipërinë në situatën e Covid-19

Gjashtë autoambulanca kanë mbërritur pak ditë më parë nga Turqia në komandën Mbështetëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, si pjesë e flotës së ndërhyrjes së shpejtë të Agjencisë së Emergjencave Civile.

Në komandën mbështetëse brenda pak javësh do mbërrijnë edhe qindra uniforma, çadra e pajisje që do të modernizojnë operacionet për emergjencat civile.

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, në ceremoninë e marrjes në dorëzim të autoambulancave theksoi se këto janë si mini urgjenca lëvizëse, ndërsa shtoi se po i japim imazhin dhe vëmendjen që meriton Emergjenca  Civile.

-“6 autoambulancat e mbërritura janë mjetet e para të siguruara falë grantit të qeverisë Turke të siguruara për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura për modernizimin e FA. Dua të shpreh mirënjohje të dyfishtë për Turqinë, miken dhe aleaten tonë, që edhe pse po përballet edhe vetë me këtë armik të padukshëm, siç është COVID-19, sërish ka një vëmendje ndaj nesh. Një falënderim kam edhe për ambasadorin e Turqisë në Tiranë, që bëri të pamundurën për mbërritjen e këtyre ambulancave. Janë në vetë-vete një mini-urgjencë, një mini-spital, janë të kompletuara me elementët e nevojshëm, që nga respiratori për rrugët e frymëmarrjes, po ashtu janë kompletuara me mjetet e imobilizimit të frakturav etj.”, tha Xhaçka, e cila nënvizoi se këto autoambulanca do të jenë pjesë operacionale e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

-“Që sot këto autoambulanca do jenë pjesë operacionale e Forcave të Armatosura në kuadër të emergjencave civile dhe në rast nevoje do atashohen dhe në spitalin e traumës për urgjencat mjekësore, pasi në kuadër të problematikës së krijuar nga COVID-19, në këtë spital po kryhet një pjesë e mirë e shërbimeve mjekësore të atyre shërbimeve dhe trajtimeve që kryheshin tek QSUT. Këto autoambulanca janë vetëm fillimi i transformimit të Emergjencave civile, që po transformohen nga një drejtori me 10-të persona, në një agjenci me mbi 100 inxhinierë  e specialistë, të aftë për të koordinuar me pushtetin qendror e lokal për planifikimin, parandalimin, reagimin në rastet e fatkeqësive natyrore..”.

Sipas ministres Xhaçka, këto autoambulanca janë vetëm fillimi i transformimit të Emergjencave Civile. Ajo shtoi se efiçenca e reagimit është përmirësuar ndjeshëm me bashkimin e Emergjencave Civile me Forcat e Armatosura, dëshmi për këtë në fakt janë episodet e tmerrshme të këtyre dy viteve, tërmetet, përmbytjet etj.

-“Ky është vetëm fillimi, pasi ne po i japim fund një tradite 30-vjeçare, të të mos investuarit në Emergjencat Civile, duke pasur parasysh që jemi një nga vendet më të rrezikuara sa i takon fatkeqësive natyrore. Emergjencat Civile falë këtij bashkëpunimi me Turqinë, do kenë një fytyrë të re, uniforma të reja, çadra, automjete për terrene të vështira, modele spitalesh fushore, si dhe aparatura moderne që do të lehtësojnë punën e ekipeve operacionale, që zbresin në terren kur nevoja e kërkon..”, tha ministrja Xhaçka.

Ndërsa, zv.ambasadori i Republikës së Turqisë në Tiranë, Muammer  Hakkan Cengiz , shprehu ngushëllimet e tij për jetët e humbura nga COVID-19, ndërsa nënvizoi se bashkëpunimi me Shqipërinë do të vijojë edhe në të ardhmen.

-“Në emër të ambasadorit të Turqisë dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta për jetët e humbura nga COVID-19 dhe urojmë gjithashtu urim sa më të shpejtë për të prekurit nga kjo pandemi. Jemi të bindur se në të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare, populli shqiptarë do ja dalë të jetë fitues ndaj COVID-19.

Turqia gjithnjë ka ndenjur pranë Shqipërisë në kohë të vështira dhe me dhurimin e këtyre 6 ambulancave, ne thjeshtë po vazhdojmë traditën që kemi. Kjo nuk ishte parashikuar ekzaktësisht për këtë betejën ndaj COVID-19, por jemi të lumtur që duke qenë se jemi në këtë luftë, urojmë që qeveria shqiptare përmes këtyre autoambulancave të përballet më mirë edhe ndaj kësaj pandemia.

Faleminderit dhe njëherë zonja Ministre për rivënien në jetë të kësaj marrëveshje që prej shumë vitesh nuk vijonte dhe kjo duhet të realizohet mes dy aleatëve siç janë vendet tona. Përmes këtij mekanizmi ndihmat e qeverisë turke do vijojnë të jepen për popullin shqiptar”, përfundoi përfaqësuesi i Ambasadës së Turqisë në Tiranë.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralbrigade Bardhyl Kollçaku, drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako e përfaqësues të ambasadës turke.

Këto 6 autoambulanca janë në vetvete një mini-urgjencë, pasi brenda tyre janë që nga respiratorët për rrugët e frymëmarrjes, kompletet e imobilizimit për frakturat, aparatet ORL apo të gjitha mjetet e mjekimit apo të ndihmës së shpejtë.

Gjeneralbrigade Bajram Bega sqaroi se këto autoambulanca kanë brenda të gjitha pajisjet që i duhen një mjeku për të kryer detyrën.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë po koordinohet edhe me aleatët e tjerë, veçanërisht Italinë për trajnimin e njësive operacionale me teknikat më të reja të ndërhyrjes së shpejtë.

Në Komandën Mbështetëse brenda pak javësh do të mbërrijnë edhe qindra uniforma, çadra e pajisje që do të modernizojnë më tej sistemin e emergjencës civile të Shqipërisë./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne