Ministri i Mbrojtjes Kombëtare i Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, u takua të hënën me shefin e Ushtrisë së Pakistanit për të diskutuar çështjet në lidhje me stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin në fushën e sigurisë midis dy vendeve.
Gjatë takimit të mbajtur në selinë e ushtrisë në qytetin pakistanez Rawalpindi, ai shkëmbeu mendime mbi “çështje me interes të përbashkët duke përfshirë stabilitetin rajonal si dhe bashkëpunimin e mbrojtjes dhe sigurisë” me Gjeneral Qamar Javed Bajwa, thuhet në deklaratën e Ushtrisë së Pakistanit. Bajwa theksoi se të dy vendet kanë një histori të marrëdhënieve vëllazërore, e cila po shndërrohet në një partneritet të qëndrueshëm.
Akar vlerësoi rolin e Pakistanit në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal.
Ai gjithashtu u takua me Kreun e Komitetit të Shefave të Përgjithshëm të Shtabit, gjeneral Nadeem Raza, me të cilin diskutuan çështje me interes të përbashkët dhe bashkëpunimin dypalësh, duke përfshirë masat për rritjen e nivelit dhe fushën e angazhimeve ushtarake, sipas deklaratës.
“Të dy palët riafirmuan angazhimin e tyre për të forcuar më tej marrëdhëniet e thella kulturore dhe vëllazërore midis dy vendeve”, shtohet në deklaratë.
Akar ishte i ftuari kryesor në ceremoninë e lëshimit të anijes të dielën, të korvetës së tretë të klasës MILGEM që Turqia i shiti Pakistanit.
Projekti MILGEM, i ndërmarrë nga firma turke e Ministrisë së Mbrojtjes ASFAT, për të ndërtuar katër anije po vazhdon siç është planifikuar. Projekti përfaqëson eksportin më të madh të industrisë që po lulëzon të mbrojtjes turke.
Marina Detare e Pakistanit nënshkroi një kontratë me ASFAT në korrik 2018 për të blerë katër anije të klasit MILGEM.
Në tetor 2019, Presidenti i Turqisë, Recep Tyyip Erdoğan, së bashku me shefin e Marinës së Pakistanit, Admiralin Zafar Mahmood Abbasi, prenë pllakën e parë metalike të korvetës së parë gjatë një ceremonie në Stamboll.
Turqia është një nga 10 vendet që mund të ndërtojë, projektojë dhe mirëmbajë anije luftarake./AA