Emigracioni i detyruar, eksodi apo spastrimi etnik, ka shumë emra, megjithatë turqit e Bullgarisë ende e kujtojnë të freskët fushatën e ashpër asimiluese dhe largimin masiv nga atdheu i tyre për në Turqi.
Të detyruar për të ndryshuar emrat e tyre dhe për të braktisur gjithçka që mund t’i lidhte me identitetin e tyre etnik, turqit, historia e të cilëve daton në vendin ballkanik që në shekujt e sundimit osman, u larguan për në Turqi në vitet 80. Rreth 350,000 njerëz erdhën në Turqi në mesin e një fushatë të ashpër të fshirjes së identitetit të tyre nga regjimi bullgar midis viteve 1984 dhe 1989. Shumë prej tyre luftuan me mënyra paqësore, megjithatë regjimi kurrë nuk u zbut, duke kulmuar me një eksod masiv në vitin 1989. Ishte emigrimi më i madh njerëzor në Evropë që pas Luftës së Dytë Botërore.
Nën diktatorin Todor Zhivkov, i cili sundoi vendin nga viti 1954 deri në vitin 1989, një fushatë asimilimi kundër pakicës turke në vend synoi të frenonte të drejtat e tyre nën pretekstin e krijimit të një vendi homogjen. Ajo filloi në vitin 1984 me urdhrin që turqit të ndryshonin emrat e tyre nga turq në bullgarë dhe vazhdoi me ndalimin e të folurit turqisht në publik. Fushata nuk u kufizua vetëm tek gjuha. Shumë shpejt, duke ndjekur atë që u quajt “Procesi i Ringjalljes”, xhamitë e pakicës turke u mbyllën prej diktaturës komuniste. Komuniteti nisi ti rezistojë me protesta paqësore, por kufizimet në rritje në jetën e tyre të përditshme i detyruan ata të largoheshin për në Turqinë fqinje ku ata u pritën krahëhapur nga qeveria. Siç u reflektua edhe në titujt e gazetave të kohës, kombi ishte zemëruar me “mizoritë bullgare ndaj turqve”.
Taner Nizamoğlu është njëri nga ata që udhëtuan për në Turqi kur ishte ende adoleshent. 47 vjeçari Nizamoğlu, i cili tani jeton në zonën Avcılar të Stambollit, tha se ajo në të vërtetë filloi pas revolucionit të vitit 1944 që solli pushtetin e regjimit komunist. “Në fillim ata u dhanë disa privilegje turqve në mënyrë që ata t’i afroheshin Partisë Komuniste. Ata madje nisën të promovonin arsimin në gjuhën turke. E gjithë kjo vazhdoi deri në vitet 50, dekadën kur nisën vërtet politikat e asimilimit”, tha Nizamoğlu. Një kongres i Partisë Komuniste në vitin 1956 ishte skenë e një debati mbi “një komb” që do të vendoste identitetin homogjen bullgar mbi çdo gjë tjetër. Një politikë “bulgarizimi” nisi ngadalë dhe turqit ishin ndër ata që filluan të vuanin më së shumti nga një seri politikash nën emra të ndryshëm. Për shembull, sipas Nizamoğlut, “nën revolucionin kulturor gratë u detyruan të hiqnin shamitë. Ndër të tjera kufizime të traditave dhe fesë së komunitetit, fëmijëve ju ndalua rrethprerja (synetllëku),” shtoi ai. “Turqit nuk po gëzonin më të drejta të barabarta si të tjerët. Për shembull, ata që shërbenin në ushtri nuk do të promovoheshin,” tha ai.
Reprezaljet dhe dhuna detyron turqit që të largohen
Politika e ndryshimit të emrave filloi me Pomakët, një komunitet bullgar musliman, e cila u pasua nga romët. Në vitin 1984, turqit iu nënshtruan ndryshimit të emrave me detyrim. Në një vit, të gjithë anëtarët e komunitetit u detyruan të zgjidhnin emra të rinj bullgarë. “Unë u quajta Albin,” tha Nizamoğlu. Fushata e asimilimit solli një faturë mbi familjen Nizamoğlu. “Babai im ishte mësues në fshatin tonë dhe ishte ndër ata që u pushuan nga puna për shkak të kundërshtimit të ndryshimit të emrave. Ai u arrestua në vitin 1989,” kujton Nizamoğlu. Në 20 maj 1989, protestat në fshatrat turke u ballafaquan me reprezalje dhe me rritje të dhunës nga duart e regjimit bullgar që i detyroi shumë të iknin drejt kufirit. Kjo ishte ajo që donte regjimi, dhe kur kufijtë u hapën, mijëra u nisën për në Turqi.
“Ata madje ndryshuan emrat e të vdekurve”
Sipas Galip Sertel, një gazetar dhe shkrimtar, regjimi fillimisht u përpoq të bindte turqit që të hiqnin dorë nga identiteti i tyre etnik. “Qëndrimi zyrtar ishte se komuniteti turk në të vërtetë përbëhej nga bullgarë që ishin konvertuan në islam nën sundimin osman,” tha ai. Serteli kujton marshimet e turqve në qytete. “Ata dëshironin që të rikthenin emrat e tyre turq, donin të flisnin përsëri në turqisht dhe të kishin klasa turke në shkolla. Ata donin që t’u lejohej praktikimi i ritualeve islame. Shteti i shihte marshimet si tradhëti dhe deshi ti largojë tradhëtarët duke u hapur kufirin,” tha Sertel. 77 vjecari Sertel tha se atij ju vu emri Galin.”Ata madje ndryshuan emrat e të vdekurve. Babai im i ndjerë, nga Mehmet u bë tani Mikail. Ata e vendosën këtë emër në gurin e varrit të tij. Gjyshi im, nga Suleyman u bë Semion,” tha Sertel. Nacionalizmi i Sertelit, lufta e tij për të mbajtur emrin e tij turk, i kushtoi atij vëndin e punës në një gazetë dhe ju ndaluan edhe profesionet e tjera, duke përfshirë edhe atë mësimdhënies. Pas rënies së regjimit komunist, përpara se të bashkohej me familjen e tij dhe të emigronte në Turqi në vitin 1990, Sertel u angazhua në politikë për të luftuar për rivendosjen e të drejtave të komunitetit turk.
Efrahim Kamberulu, i cili drejton shoqatën Turqit e Ballkanit me seli në Avcılar të Stambollit, tha se fushata kundër turqve u zgjerua madje deri tek funeralet. “Ata duhej të kishin funerale të krishtera. Gjithçka u ndalua. Nuk mund të shkoje dot në një xhami, nuk mund të flasje turqisht dhe nuk mund të dëgjoje muzikë turke. Ata vinin gjoba të rënda për këdo që shkelte ndalimet,” kujton ai. Ashtu si të tjerët edhe Kambëroglu emigroi në Turqi dhe është mirënjohës ndaj kryeministrit të atëhershëm Turgut Ozal për pranimin e tyre. Özal mbështeti të drejtat e komunitetit turk të Bullgarisë dhe i ftoi të gjithë 3.5 milionë turqit e Bullgarisë që të shkonin në Turqi. “Ai ishte një udhëheqës i madh. Na lejoi te hynim brenda,” tha Kamberulu. Ndryshe nga emigrantët e vendeve të tjera, ata ishin më me fat, tha Kamberulu. “Emigrantët turq ishin të arsimuar. Ata ishin njerëz me përvojë pune. Në mesin tonë kishte mësues e infermierë. Ne mund të flisnim turqisht, kështu që ishte e lehtë për ne që të përshtateshim me jetën këtu”. Kamberoglu vetë kishte qenë një mundës profesionist i Bullgarisë që kishte fituar tre tituj evropianë dhe pas emigrimit vazhdoi të konkurronte për Turqinë.
Arslan Şentürk ishte në mesin e rreth 1,000 emigrantëve nga Bullgaria të cilët 30 vjet më parë u vendosën në Kırklareli pranë kufirit turko-bullgar. 59 vjeçari Şentürk kujton ditët kur madje edhe nxënësit e shkollave po përballeshin me presionin e autoriteteve për të ndryshuar emrat e tyre. Për një farë kohe ai rezistoi, pavarësisht kërcënimeve se oficerët e policisë do ta thërrisnin herë pas here. Şentürk kujton kohën kur gruaja e tij, e cila sapo kishte lindur, nuk lejohej që të dilte nga spitali për mos vendosjen e një emri sllav për fëmijën e tyre. Ai këmbënguli që të mos e ndryshonte emrin e tij dhe për një periudhë kohore jetoi si i arratisur pasi karta e tij e identitetit u anullua dhe nuk iu lejua që të kishte leje qëndrimi nëse nuk e ndryshonte emrin e tij. Një herë tjetër ai u kap duke folur turqisht në punë dhe u detyrua të jepte një pjesë të pagës së tij si gjobë. “Unë merresha në pyetje dhe gjobitesha pothuajse çdo ditë vetëm e vetëm prej të qenurit turk. Pata depresion dhe mu desh ta lë punën time”, kujton Sentürk. Si përfundim, ai dhe familja e tij udhëtuan për në Kirklareli ku u vendosën në një qytet çadrash të ngritur për emigrantët. Hüseyin Yılmaz, i cili ka të njëjtën moshë me Şentürk, tha se për ta ishte shumë e vështirë në Bullgari. “Askush nuk dëshiron të largohet nga shtëpia e tij, toka e tij. Unë ende ëndërroj për Bullgarinë. Ende ëndërroj për vendin ku kam jetuar, ku kam lindur”, tha ai. Yilmaz dhe familja e tij u detyruan të parët që të shpërnguleshin në një qytet tjetër pasi kishin kundërshtuar ndryshimin e emrave të tyre. “Babai im u ndalua dhe u dërgua nëpër punëra të rënda në fshatrat bullgarë. Mua më gjobitën vetëm pse kisha folur turqisht”, tregon ai. “Ne kundërshtuam vetëm ndryshimet e emrave tanë. Nuk kemi pasur asnjë problem tjetër,” shtoi ai.
Ahmet Karabekir, i cili u vendos në Kirklareli, kishte qenë mësues në Bullgari kur u arrestua dy herë për kundërshtimin e tij të hapur ndaj ndryshimit të emrit. “Unë u arrestova një herë për shkak se në fletore shkruajta emrin tim turk”, kujton ai. Karabekir tha se njerëzit, sidomos ata në fshatra, u ballafaquan me shtypje, ndërsa ushtarët zakonisht kryenin bastisje në fshatrat ku njerëzit kishin refuzuar ndryshimin e emrave të tyre. “Ata ja mësynin shtëpive dhe i drejtonin armët drejt njerëzve. Më kujtohet njëherë kur njerëzit në fshatin tim mësuan se do të ndodhte një bastisjeje e afërt dhe i gjithë fshati iku dhe u fsheh në pyll në mënyrë që ata të mos detyroheshin të ndryshonin emrat e tyre,” tha ai./dailysabah/Gazeta Impakt