Turqit kane qene shumice ne Shkup ne fillim te shekullit te XX

SALIM KERIMI

Para pak kohe kisha rastin ta lexoj tekstin e ligjëratës/ artikullit të zotërinjve Isamedin Azizi dhe Agron Salihi me titull: “Lëvizjet demografike të shqiptarëve në Shkup me rrethinë midis dy luftave“[1]. Ligjërata në fjalë paska qenë e prezantuar në Konferencën shkencore, të mbajtur më 14-15 tetor 2015, në Shkup, e organizuar nga Instituti i trashigimisë shpirtërore e kulturore të shqiptarëve, me seli në Shkup. Në ndërkohë “zbulova“ se tekst, gati me përmbajtje të njëjtë, i përkëthyerë në maqedonisht, është botuar edhe në “Гласник“ (Revistë e IIN – ИНИ)[2].

Pas analizës të disa të dhënave dhe konstatimeve në tekstin e autorëve në fjalë, erdha në përfundim e sipër se, përmbajtja e ligjëratës së tyre assesi nuk mund të ketë tiparet e një analize objektive/ shkencore. Ja pse:

– pa dashur të ofendoj ose ta nënvleftësoj punën e tyre, zotërinjtë I.Azizi dhe A.Salihi, si zakonisht edhe shumica e autorëve të tjerë shqiptar, dyke dashur ta vërtetojnë tezën për “praninë dominate“ të shqiptarëve në qytetin e Shkupit, në periudha të caktuara, kanë bërë manipulime dhe keqinterpretime të disa të dhënave statistikore dhe fakteve relevante;
– kështu p.sh., duke i përdorur të dhënat “të favorshme“ për numrin e shqiptarëve në nivel të Rrethit të Shkupit, kanë sygjeruarë konkludim të rrejshëm në lidhje me numrin e popullatës shqiptare në qytetin e Shkupit;
– zotërinjtë Azizi dhe Salihi të njëjtën gjë e kanë bërë edhe duke e llogaritur përqindjen e shqiptarëve, nga numri i përgjithshëm i popullatës myslimane të Shkupit me rrethinë, sipas të dhënave statistikore të vitit 1921. Me fjalë të tjera, nëse në vitin 1921, numri i banorëve, të cilët si gjuhë amtare e kishin shqipen, ka qene 32.035 qytetarë atëherë nga numri i përgjithshëm i popullatës myslimane të asaj kohe (67.376) shqiptarët myslimanë kanë përbërë 47,5%, e jo 60%. Pra, raporti mes popullatës shqiptare dhe turke, në kuadër të Rrethit të Shkupit ka qene 47,5% me 40% (në favor të shqiptarëve), e jo 60% me 40%, siç e kanë llogaritur autorët e lartpërmendur;
– sa i takon të dhënave vetëm për qytetin e Shkupit raportet mes popullatës turke dhe asaj shqiptare gjithmonë kanë qenë tjetërfare – kuptohet në favor të popullatës turke, e jo asaj shqiptare, siç pretendojnë I.Azizi dhe A.Salihi, dhe të tjerë. Prania dominante e turqve, si element i dytë në Shkup (pa rrethinën), ka vazhduar edhe pas 1921 – deri në vitin 1971, kur si rrjedhojë e shpërnguljes masive të turqve, duke filluar nga regjistrimi i vitit 1971, numri i shqiptarëve në Shkup, për herë të parë, bëhet më i madh se ai i turqve, por përsëri popullata dominante është ajo maqedonase, e jo ajo shqiptare.

Manipulime të ngjajshme me numrin e shqiptarëve, duke e minimizuar ose mohuar tërësisht praninë e popullatës turke në disa pjesë të Maqedonisë, e posaçërisht në Shkup, kanë bërë edhe zotërinjtë Qerim Lita dhe Skender Asani, mes tjerash, edhe në një libër të tyre të përbashkët[3]. Sipas këtyre dy autorëve, “përkundër faktit se mungojnë të dhënat rreth përbërjes nacionale për këtë periudhë, lirisht mund të thuhet se shqiptarët për dallim nga kombësitë tjera përbënin elementin më dominues. Këtë e dëshmon fakti se në Rrethin e Shkupit përfshiheshin 66 fshatra të pastra shqiptare, mbi 100 xhamia dhe teqe, ku vetëm në qytetin ishin 34 sish“[4] “…… sipas të dhënave të Bashkësisë Fetare Islame, Shkupi me rrethinë gjatë vitit 1939 pati 57.781 banorë të konfesionit islam (pra, shqiptarë) ose shprehur në përqindje 43% nga popullsia e përgjithshme“[5].

Z.Q.Lita në ligjëratën e tij të mbajtur në Konferencën e lartpërmendur, edhe një herë turqit i ka fshirë tërësisht nga harta e qytetit të Shkupit dhe rrethinës. Ja, p.sh. çfar mendon z.Lita për përbërjen nacionale të banorëve të Shkupit me rrethinë: “Popullsia e Shkupit me rrethinë, rrjedhimisht deri në vitin 1912 përbëhej prej një shumicë shqiptare, si dhe disa pakicave, në radhë të parë sllave (bullgar – maqedonase, serbe) por edhe hebraike, rome, vllahe“[6]. Sipas tij,“… në regjistrimin e vitit 1948 qyteti i Shkupit … numëronte … 96.051 banorë, prej tyre 56.329 …. maqedonas, 7.861 …. shqiptarë, 14.092…..turq… Sipas këtyre të dhënave, …….. popullsia shqiptare për shkak presioneve të sipërpërmendura ishte ndarë në dy etnitete, ku shumica e saj ishte përcaktuar si turke’’[7].!?
Ose, zotërinjtë Skender Asani dhe Ardian Limani, në studimin e tyre mbi “Lëvizjen kombëtare shqiptare në Shkup 1908-1912“[8], dyke u thirur në të dhëna gjoja turke dhe gjermane, gjithë popullatën myslimane të Shkupit me rrethinë e kanë prezantuar vetëm si shqiptarë. Me fjalë të tjera, gjoja sipas të dhënave statistikore turke, në Shkup e rrethinë, në periudhën osmane, elementi turk nuk egzistuaka fare!?.
Shtrembërime edhe më flagrante, mes tjerash, edhe në lidhje me përbërjen nacionale të banorëve të Shkupit ka bërë, tashti më i ndjeri, Hamit Kokalari, konsull në Konsullatën e Shqipërisë në Shkup, i cili në dorëshkrimin e tij[9] të pregaditur në vitin 1942, mes tjerash, i ka bërë edhe këto “zbulime“:
– “Në kohën e sundimit otoman, Shkupi ka qenë një qendër shqiptare myslimane dhe për këtë dëshmojnë popullsia e tij, mënyra e ndërtimit të qytetit dhe numri i madh i xhamive“[10];
– “Popullsia e Shkupit ka pasur kurdoherë ndryshime të shpeshta në numrin e saj, ….. por gjithnjë shumica e popullsisë vendëse ka qenë shqiptare“[11];
– “Me përjashtim të një sasie fare të vogël turqish, nënpunës të ardhur nga Turqia me familjet e tyre, në statistikat e mësipërme, shifra e myslimanëve përbëhej prej shqiptarësh“[12];
– “Luftat ballkanike dhe botërore e vunë popullsinë e Shkupit në një gjendje të vështirë: një pjesë e popullit mysliman, do me thënë gjithë elementi turk si dhe disa familje shqiptare u nisën për në Turqi“[13];
– “Më 1936, statistika zyrtare serbe njihte në qytet 66.893 frymë, nga të cilat 42.664 ortodoksë, 22.951 myslimanë, 1.873 katolikë, dhe 3.302 izraelitë….. dhe për sa i përket turqve, këta nuk meritojnë as të përmenden, sepse nuk kalojnë as 100 frymë“[14];
– “Elementi turk pothuajse nuk egziston fare në Shkup, me përjashtim të dy a tre familjeve“[15], e tj., e tj.
Se sa të pavërteta janë konstatimet e lartpërmendura të zotërinjve Q.Lita, S.Asani A.Limani dhe H.Kokalari, mes tjerash, mund të shihet edhe nga këto disa të dhëna – fakte të pamohueshme:
– prania e popullatës turke në qytetin e Shkupit, gjatë gjithë periudhës osmane dhe deri më sot, është fakt i pamohueshëm. Këtë e vërtetojnë shumë të dhëna dhe autorë, sipas të cilëve numrin dominant të popullatës myslimane të Shkupit e kanë përbërë Turqit dhe Shqiptarët, e jo vetëm shqiptarët. Me fjalë të tjera, identifikimi i gjithë popullatës myslimane me atë shqiptare është më se apsurd, meqenëse çdo kush e ka të qartë se në Shkup dhe rrethinë, atëherë dhe sot (së pakti gjashtë shekujt e fundit), përveç shqiptarëve, komunitetit mysliman i takonin/ i takojnë edhe pjesëtarët e popullatës turke, torbeshe, boshnjake, rome dhe një pakicë e vogël çerkeze;
– gjithashtu është tejet apsurde numri e xhamive dhe teqeve të përdoret si indikator/ fakt kyç për të vërtetuar vetëm numrin e pjesëtarëve të popullatës shqiptare-edhe vetë autorët e lartpërmendur e kanë, ose duhet ta kenë të qartë, se në Shkup e kudo në ruzullin tokësor, xhamitë, teqet dhe objektet të tjera të ngjajshme islame nuk i takojnë vetëm shqiptarëve – mysliman, por gjithë komunitetit islam të botës, pa as çfarë përjashtimi;
– sipas të dhënave statistikore dhe fakteve relevante, në qytetin e Shkupit, shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë element dominues. Këtë p.sh., mes tjerash, e vërtetojnë të dhënat statistikore nga periudha osmane (deri më 1912), serbe (deri më 1940), dhe jugosllave (pas Luftës së Dytë botërore, dhe deri më sot;
– në Rumeli (pjesa Evropiane e Perandorisë osmane), në krahasim me përfaqësuesit e popujve te tjerë mysliman (veç e veç), përfshirë edhe në qytetin e Shkupit, turqit kanë qenë në numër më të madh. Në favor të këtij konkludimi mund të shërbejnë disa të dhëna, mes tjerash edhe të dhënat e autorit osman/ turk Tahsin Uzer, të publikuara në librin e tij me titull: “Makedonya Eşkiyalık Tarihi ve son Osmanlı Yönetimi”*16. Sipas këtij autori, në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të, ose më mirë thënë në vitin 1877, në Rumeli, nga gjithsej 8.7 mil. banorë, numri i popullsisë turke ka qenë 4,0 mil., kurse e popullsisë shqiptare 2 mil. e 250 mijë (1 mil. e 250 mijë myslimanë dhe 1.0 mil. të krishterë). Sipas të dhënave[17] të studiuesve francez D.Urquhart dhe Franc Bradaska-Agram, dhe atij anglez Edward Stanford, numri i përgjithshëm i popullsisë shqiptare në pjesën evropiane të Perandorisë osmane, në vitet ’30 dhe ’70 të shekullit të 19-të, paska qenë edhe më i vogël – 1.5 – 1.6 mil. frymë.;
– nëse i kemi parasysh të dhënat e Tahsin Uzerit, D.Urquhartit, Franc Bradaska-Agramit dhe Edward Stanfordit, si dhe ato të administratës osmane, të prezantuara, p.sh., në librin e Asllan Selmanit[18], sipas të cilave në vitin 1569, në Shkup paska 1.559 familje myslimane, 511 familje të krishterë dhe 53 familje hebreje, atëherë më i logjikshëm është sypozimi për dominimin e elementit turk në qytetin e Shkupit të asaj kohe. Këtë sypozim e vërtetojnë edhe disa personalitete diplomatiko-kozullore, udhëpërshkrues, mes tjerash edhe Evlija Çelebi (Evliya Çelebi), e tj.;
– në periudhën e pushtetit serb, sipas të dhënave statistikore[19] të viti 1921, që H.Kokalari i anashkalon, në Shkup (Komuna e Shkupit), nga numri i përgjithshëm i banorëve (40.666), numri i banorëve me gjuhë amtare turke ka qenë 13.980, kurse i banorëve me gjuhë amtare shqipe 862 veta;
– edhe sipas të dhënave statistikore nga regjistrimet e mëvonshme (deri në vitin 1971), në qytetin e Shkupit elementi shqiptar asnjëherë nuk ka qenë dominant, Kështu p.sh. në regjistrimin e vitit 1948, nga numri i përgjithshëm i banorëve të këtij qyteti (87.654), 51.819 kanë qenë maqedonas, 13.928 turq, 5.209 shqiptarë, e tj., në 1953, 72.477 maqedonas, 22.491 turq, 2.975 shqiptarë, në 1961, 109.799 maqedonas, 14.610 turq, 11.151 shqiptarë, e tj., kurse në vitin 1971, 215.578 maqedonas, 28.705 shqiptarë, 18.586 turq, e tj. Pra, numri i shqiptarëve, në qytetin e Shkupit, më i madh se ai i turqve për herë të parë paraqitet në Regjistrimin e vitit 1971, edhe atë vetëm si rezultat i shpërnguljes masive të popullatës turke të Shkupit dhe gjithë Maqedonisë, në Turqi, sidomos në periudhën pas vitit 1953.
Nga të dhënat e lart përmendura shihet qartë se edhe konstatimi i zotërinjve Azizi dhe Iseni se, “në statistikat e mëhershme elementi shqiptar në qytetin e Shkupit qenka në pozicionin e parë si etni më e madhe, e cila në regjistrimin e 1948 paska kaluarë në pozicionin e pestë“, mendoj se është i gabuar, mos them apsurd. Vall mundin zotërinjtë Azizi, Salihi, Lita, Asani, Limani, ose cili do tjetër autor, të na i ofrojnë “statistikat e mëhershme“ konkrete, sipas të cilave elementi shqiptar në qytetin e Shkupit paska qenë dominues? Sa i takon të dhënave statistikore për periudhën osmane që i kanë transmetuar S.Asani dhe A.Limani, në të cilat zotërinjtë Azizi dhe Salihi referohen në ligjëratën e tyre të lartpërmendur, ato janë jo të vërteta, për vet faktin se autorët në fjalë të gjithë popullatën myslimane e kanë trajtuar/ prezantuar vetëm si shqiptare. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe H.Kokalari, por për fat të keq edhe Akademik Marenglen Verli, sipas të cilit, “edhe statistikat zyrtare jugosllave të publikuara mbi bazën e regjistrimit të vitit 1921, ………Shkupi kishte në këtë kohë 38.023 banorë, nga të cilët 15.713 shqiptarë myslimanë dhe 22.310 të krishterë të ndryshëm, ….“[20].
Manipulimet e H.Kokalarit pa dyshim se më habitin por jo aq shumë, se ato janë të bëra në vitin 1942, por ama ato të akademikëve Kristaq Prifti, Marenglen Verli dhe Mark Tirta, të sajuara në vëtin 1999/ 2014/ 2015, më habitin pa masë. Konkluza e, tashti më të ndjerit, Kristaq Priftit[21], se gjoja popullata myslimane e disa sanxhaqeve të Vilajetit të Kosovës, përfshirë edhe e sanxhaqeve të Shkupit, Tetovës dhe Kumanovës, na qenka vetëm shqiptare, është apsurde. Po ashtu, më se apsurde është sajesa e akademik Marenglen Verli, sipas të cilit, nga numri i përgjithshëm i banorëve të Shkupit (40.666), në vitin 1921, numri i shqiptarëve paska qenë 15.713 frymë. Të dhënat statistikore të regjistrimit të parë zyrtar të vitit 1921[22] flasin për një përbërje nacionale tjetër fare të Shkupit (Komuna e Shkupit). Siç u theksua më sipër, nga numri i përgjithshëm i banorëve të Shkupit, numri i banorëve me gjuhë amtare turke ka qenë 13.980, kurse i banorëve me gjuhë amtare shqipe 862 frymë, e jo 15.713 frymë, siç e ka prezantuar zotëria Verli. Edhe sipas akademik Mark Tirta[23], gjoja sipas të dhënave statistikore osmane/ turke, të vitit 1908/ 1909, në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë numri popullatës shqiptare qenka 300.839 frymë.
Vërejtja e autorëve shqiptar se administrata serbe ka bërë çmos që ta paksojë elementin shqiptar, në favor të elementit turk, nuk ka as çfar baze/ mbështetje, mes tjerash për vet faktin se:
a) për autoritetet serbe jo vetëm shqiptarët, por edhe turqit kanë qenë të padëshiruar dhe të përndjekur/ të detyruar të shpërngulen në Turqi, dhe
b) të dhënat për numrin e shqiptarëve ne Rrethin e Shkupit, sipas Regjistrimit të vitit 1921 (18.032, nga gjithsej 54.089 frymë, ishin shqiptarë), flasin për prezantimin deri diku të drejtë të përbërjes nacionale të popullatës myslimane të asaj kohe të qytetit dhe Rrethit të Shkupit. Me fjalë të tjera, nëse administrata serbe, në Regjistrimin e vitit 1921, me të vërtetë e paska paksuarë numrin e shqiptarëve në qytetin e Shkupit, pse të njëjtën gjë nuk e ka bërë edhe me numrin e shqiptarëve në Rrethin e Shkupit?
Manipulimi që bëhet nga një pjesë e autorëve të lartpërmendur, se gjoja “turqëzimi“ i shqiptarëve qenka shkaku për zvogëlimin masiv të numrit të përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Shkup, edhe sipas rezultateve nga Regjistrimi i popullatës së Maqedonisë, në vitin 1953, nuk është deri në fund i vërtetë. Ja pse:
– që të vlerësohet vërtetësia e numrit të popullatës turke në Maqedoni në vitin 1953, së pari duhet vlerësuar vërtetësia e rezultateve të Regjistrimit të vitit 1948. Fakte të shumta flasin/ vërtetojnë se numri i popullatës turke në Maqedoni në vitin 1948 në vend 95.940, së pakti është dashur të jetë rreth 160.000, kurse në vitin 1953 rreth 180.000. Me fjalë të tjera, në qoftë se në vitit 1921 numri i popullatës turke në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë ka qenë 118.758, kurse i shqiptarëve 110.674 banorë, si ndodhi që në vitin 1948 numri i shqiptarëve u rit në 197.389 (+86.715), kurse i turqve u zvogëlua në 95.940 (-22.818)!?, në kushte kur nataliteti i këtyre dy komuniteteve ka qenë përafërsisht i njëjtë, dhe se në radhët e të shpërngulurve myslimanë nga Jugosllavia në Turqi, në periudhën mes viteve 1921 dhe 1940, përveç turqve ka pasur edhe shqiptarë, boshnjakë, torbeshë, e tj.;
– kjo e dhënë dhe shumë fakte të tjera të pamohueshme vërtetojnë se në periudhën mes 1921 dhe 1940, e posaçërisht nga viti 1941 e deri më 1950, jo ndaj shqiptarëve por ndaj turqve janë bërë presione të ndryshme për asimilimin e tyre. Në periudhën 1941-1943 e gjithë popullata myslimane, pra edhe ajo turke, e Maqedonisë Perëndimore dhe Jug-Perëndimore, nga ana e administratës italo-shqiptare, është detyruar të regjistrohet si shqiptare. Presion i ngjashëm është bërë deri në korrik të vitit 1948, në periudhën e marëdhënjeve “vëllazërore“ mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Kjo tendencë ka vazhduar edhe dy vitet e ardhshme – deri në 1950 në Kosovë minoriteti turk nuk ka qenë i pranuar fare, kurse në disa pjesë të Maqedonisë nuk ka qenë e lejuar hapja e shkollave në gjuhën amtare edhe për pjesëtarët e popullatës turke të Maqedonisë Perëndimore, me pretekst se në këtë pjesë të Maqedonisë gjoja nuk paska turq.
Deklarimi si turq i një pjese të popullatës shqiptare, torbeshe dhe boshnjake assesi nuk mund të shfrytëzohet/ përdoret si alibi për tendencën e minimizimit ose mohimit të elementit turk në qytetin e Shkupit dhe në disa pjesë të Maqedonisë. Ndërrim të përkatësisë nacionale, nga ajo shqiptare në atë turke, padyshim që ka pasur, por ama kjo ka ndodhur në mënyrë vullnetare – si parakusht për emigrimin e popullatës myslimane (jo turke) në Turqi, posaçërisht në periudhën mes 1953 dhe 1966. Pra, për ndërimin e përkatësisë nacionale nga ajo shqiptare, torbeshe, boshnjake, e tj., në atë turke nuk është dashur të organizohet ndonjë aktivitet i posaçëm nga ana e autoriteteve shtetërore të asaj kohe, meqenëse mjaftonin përpjekjet e tyre për nxitjen e procesit të shpërnguljes të gjithë popullatës myslimane.
Siç u theksua më lart, deklarimi i një numri te caktuar të shqiptarëve si turq, me qëllim të shpërnguljes në Turqi, në asnjë mënyrë nuk mundet të jetë faktor vendimtar për ndonjë zvogëlim të përmasave të mëdha të popullatës shqiptare në qytetin e Shkupit dhe të Maqedonisë në përgjithësi, dhe assesi nuk mundet të jetë arsyetim/ alibi për trajtimin e popullatës turke të Shkupit dhe të një pjese të Maqedonisë, si popullatë e “turqizuarë“ shqiptare. Është më se e qartë se në të kaluarën, për shkaqe të ndryshme, një pjesë e popullit shqiptar është asimiluar në popuj të tjerë e posaçërisht në turq, por ama kjo dukuri nuk ka qenë/ nuk është veçori specifike vetëm e shqiptarëve, por e gjithë popujve pa përjashtim. Kështu p.sh., proces “vullnetar“ i asimilimit të një pjese të turqve në atë shqiptare në disa pjesë të Maqedonisë ndodh edhe sot, sidomos nëpërmjet martesave të përzjera. E kundërta ndodh në Turqi, ku pjesëtarë të komunitetit shqiptar, torbesh, boshnjak, e tj., në të kaluarën edhe sot janë asimiluar/ asimilohen në turq. Sipas meje, nëse “asimilimi“ i ndokujt ka ndodhur/ ndodh pa detyrim/ pa dhunë, atëherë kjo duhet parë/ pranuar si proces i natyrshëm/ i zakonshëm. Kjo dukuri, jo vetëm në regjionin tonë por kudo në botë, ka qenë dhe do të jetë e pranishme edhe në të ardhmen.
Edhe konstatimi i zotërinjve Azizi dhe Salihi se: “Nga të dhënat e vitit 1953, del në pah se elementi turk për herë të parë është më i lartë se elementi shqiptar jo vetëm në Shkup por edhe në tërë Republikën e Maqedonisë“, nuk është i vërtetë. Ja pse:
– sipas të dhënave të dy autorëve bullgar, numri popullatës turke në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë, në fillim të shekullit të 20-të ka qenë 175.000[24], kurse në vitin 1916, 120.676[25];
– përsëri sipas J.Ivanovit, i cituar nga Galaba Palikrushevas[26], në vitin 1912, numri i popullatës turke ka qenë 208.585, kurse i asaj shqiptare 147.900 banorë;
– edhe sipas të dhënave të prezantuara në studimin e përbashkët të dy autorëve maqedonas J.Dimitrija Talevski dhe R.Temjanovski[27], në 1900 në territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë numri i popullatës turke ka qenë 175.000, i asaj shqiptare 88.000, kurse në vitin 1921, 119.000 (i turqve), 111.000 (i shqiptarëve);
– sa i takon numrit të turqve dhe shqiptarëve në territorin e tre pjesëve të Maqedonisë (Vardare, Egeje dhe Pirine), sipas Vasill Kënçovit[28], në vitin 1900, ka qenë kështu: 499.304 (turq), 128.711 (shqiptarë), e tj.
Pra, nga të dhënat e prezantuara del se, jo vetëm në 1953 por edhe më parë, në Shkup dhe në gjithë territorin e sotëm të Republikës së Maqedonisë dhe më gjerë, numri i popullatës turke ka qenë më i madh se ajo shqiptare.
Zotërinjtë Azizi dhe Salihi, në tekstin e tyre të lart përmеndur, flasin për të ashtuquajtura “toka shqiptare“[29]. Për dallim nga kjo, z. I.Azizi, në tekstin me përmbajtje të ngjajshme (në maqedonisht), i botuar në revistën “ГЛАСНИК“, përdorimin e termit në fjalë e anashkalon. Sido qoftë, përdorimi i termit “tokat shqiptare“/ “troje shqiptare“/ “krahina shqiptare“/ “qytet shqiptar“, nga ana e autorëve të lartpërmendur dhe të tjerë shqiptar, sipas opinionit tim, gjithashtu është i gabuar – paraqet manipulim. Ja pse:
– në Planetin Tokë nuk egzistojnë të ashtuquajtura “toka shqiptare“, “maqedonase“, “turke“, “serbe“, “bullgare“, “greke“, “angleze“, e tj., por egzistojnë troje/ toka/ krahina/ qytete, të banuara nga shqiptarë, maqedonas, turq, bullgarë, grekë, anglezë, e tj.;
– prania dominante e pjesëtarëve të një populli në cilin do territor/ qytet të botës, komunitetit përkatës nuk i ja nijh të drejtën “ekskluzive“ për posedimin/ përvetësimin e territorit në fjalë vetëm si të veten, meqenëse, p.sh., në ato “toka/ troje/ krahina/ qytete shqiptare“, përveç shqiptarëve jetojnë edhe pjesëtarë të popujve të tjerë (maqedonas, turq, serbë, romë, vllehë, e tj.), dhe pamvarsisht prej numrit të tyre, edhe ata i gëzojnë të drejtat (dhe obligimet) të njëjta/ të barabarta – me fjalë të tjera, ata në ato “toka/ troje/ krahina/ qytete shqiptare“ nuk kanë statusin e qiraxhinjëve;
– bile, në rastet kur në një territor të caktuar ku 100% e popullatës që jeton aty të jetë p.sh. maqedonase, siç është rasti me territorin e Komunës të Pustecit (Liqenasit) në Republikën e Shqipërisë, ai territor nuk mund të emërohet si “tokë maqedonase“, meqenëse bëhet fjalë për teritor i cili aktualisht është pjesë përbërëse e Republikës së Shqipërisë i banuar me qytetarë të përkatsisë nacionale maqedonase;
– pra, në këtë botë çdo gjë që posedon një individ, komunitet ose shtet, është i përkohshëm, pamvarsisht prej jetëgjatësisë së tij. Së paku, çdo besimtar mysliman e ka ose duhet ta ketë të qartë se, vetëm “të Allahut janë çka në qiej dhe në tokë….“[30], meqenëse azgjë në këtë botë nuk është e dhënë njëherë e përgjithmonë, çdo gjë që një individ, komunitet ose shtet e posedon përkohësisht nuk mundet, ose më mirë thënë, nuk duhet të tentojë ta përvetësojë vetëm si pronën e tij/ të vet.

Profesoresha e famshme amerikane z-nja Frances Trix, sipas meje, njohësja shumë e mirë e çështjes të migrimeve të popullatës myslimane nga trevat ish Jugosllave në Turqi, në librin[31] e saj më të ri, qytetin e Shkupit, me plot të drejtë, e ka prezantuar si një qytet multi etnik/ multi konfesional.

Dhe fare në fund të këtij artikulli, dua të theksoj pasojat që dalin si rrjedhojë posaçërisht e manipulimeve të vetëdijshme, nga ana e “shkencëtarëve“ të ndryshëm, bile eminent/ në zë, meqenëse “zbulimet“, ose më mirë thënë trillimet e tyre, me kohë bëhen burim “atraktiv“ për “shkencëtarë“ të ndryshëm, të cilët duke u mbështetur në fakte të shtrembëruara lansojnë gënjeshtra edhe më fantastike. Një gjë e këtillë sa është e dëmshme, po aq është edhe e palejueshme.
Shkruan: Salim Kadri Kerimi


[1]Jeta shoqërore e shqiptarëve në Shkup e rethinë ndërmjet dy luftrave botërore (Konferencë shkencore, 14-15 tetor 2015- Shkup), ITSHKSH – Shkup, f.306-322;
[2]Исамедин Азизи, “Демографските промени кај Албанците во Скопје и во Скопско (1921 – 1953)“,ИНИ – ГЛАСНИК (2017);

[3]Qerim Lita- Skender Asani, “50 vjet nga tërmeti të Shkupit (Dokumente)“, Libraria e çarshisë, Shkup 2013;
[4]Qerim Lita – Skender Asani, vepër e cituar, Fusnota nr.2, faqe.11;
[5]Qerim Lita – Skender Asani, vepër e cituar, Fusnota nr.8, faqe.13;
[6]Qerim Lita, “Diplomacia shqiptare në Shkup (1935-1941)“, botuar në: “Jeta shoqërore e shqiptarëve në Shkup e rethinë ndërmjet dy luftrave botërore (Konferencë shkencore, 1415 tetor 2015- Shkup), ITSHKSH – Shkup, f.55;
[7]Qerim Lita – Skender Asani, vepër e cituar, faqe.15;
[8]Skender Asani – Ardian Limani, ’’Lëvizja kombëtare shqiptare në Shkup 1908-1912(dokumente), …, Shkup 2012;
[9]Hamit Kokalari, “Shkupi – Üsküb – Konsiderata etnografike, historike e ekonomike“, ITSHKSH-Shkup & IHQSA-Tiranë, Shkup 2015;
[10]Po aty, f.18;
[11]Po aty;
[12]Po aty, f.19;

[13]Po aty;
[14]Po aty, f.20;
[15]Po aty;
[16]Tahsin Uzer, “Makedonya Eşkiyalık Tarihi ve son Osmanlı Yönetimi”, Türk Tarih Kurumu, 3-cü Baskı,Ankara 1999, f.116;

[17]Këto të dhëna janë transmetuar nga akad. Kristaq Prifti në veprën e tij: “Popullsija e Kosovës 1831-1912“, ASHSH, Tiranë 2014, f.28-30;
[18]Asllan Selmani: “Popullsija e Maqedonise”, Logos-5, Shkup 2004, f.191;

[19]Дефинитивни резултати пописа становништва, од 31 јануара 1921 године, Сарајево 1932;
[20]H.Kokalari, “Shkupi – Uskub – Konsiderata etnografike, historike e ekonomike“, ….., стр.100;
[21]Kristaq Prifti, “Popullsija e Kosovës 1831-1912“, ASHSH, Tiranë, 2014;
[22]Дефинитивни резултати пописа становништва, ……..;

[23]Mark Tirta, “Etnografia Shqiptare“, Tiranë 1999, Tabela në f.113;

[24]Иордан Иванов, “Българите във Македония “, София, 1917;
[25]“Научна експедиция в Македония и Поморавието“ 1916, Съставител Петър Хр. Петров, ……Универзитетско издателство “Св.Климент Охридски“, София, 1993;
[26]Галаба Паликрушева, Исламизација на Торбешите и формирање на торбешка субгрупа – докторска дисертациа;
[27]Јове Д.Талевски и Ристе Темјановски: “Воено – демографски карактеристики на етничката и  конфесионална структура на населението во Република Македонија“, Воена академија “Генерал Михајло Апостолски“, Скопје; Природно- математички факултет, Институт за географија – Скопје;

[28]Васил Кънчов, “Македония-Етнография и статистика“, София 1900;
[29]Kjo çështje më gjerësisht është trajtuar në artikullin me titull: ‘’Why it is wrong to use the term Albanian lands – Trojet shqiptare”, që është botuar në Veb. portalin tim (salimsblog.wordpress.com);
[30]Kurani Kerim, Surja Ali Imran, Ajeti 109. Këtë porosi jo rastësish Allahu xh.xh., në Kuran e ka theksuar 41 herë (në 25 sure – 41 ajete);

[31]Frances Trix, “Urban Muslim Migrants in Istanbul – Identity and Trauma Among Balkan Imigrants – Identity and Trauma Among Balkan Immigrants“, I.B.TAURIS.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne