U përfol se Rama e kishte hedhur në gjyq, VOA ‘zbulon’ të vërtetën: Nuk ka padi ndaj Peter Tiede, gazetarët të inkurajohen

Përfaqësuesit e disa organizatave ndërkombëtare për median thonë se njoftimi i Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se do të padisë gazetarin gjerman të gazetës Bild, nuk duket të jetë një veprim inkurajues për profesionistët e fushës që duan të denoncojnë rastet e korrupsionit. Peter Tiede është autori i publikimit të disa përgjimeve, të cilat duket se implikojnë zyrtarë të Partisë Socialiste në raste të dyshuara të abuzimit me detyrën. Ndërsa presin të dinë më shumë rreth arsyetimit ligjor mbi të cilin zoti Rama do të paraqesë padinë, ekspertët thonë se duhet bërë transparencë edhe rreth asaj se kush do të paguajë për ndjekjen ligjore. Shqetësim, sipas tyre, përbën fakti se në Shqipëri sulmet ndaj gazetarëve ndonjëherë mbeten krejtësisht të pandriçuara dhe se gazetarët në Shqipëri kanë qasje të ulët tek informacioni, krahasuar me çdo vend tjetër në Ballkan.

Gazetari gjerman Peter Tiede i tha Zërit të Amerikës se njoftimi i kryeministrit Edi Rama se ka autorizuar një avokat gjerman për nisjen e procesit gjyqësor ndaj tij, është një mënyrë për të hequr vëmendjen nga përmbatja e telefonatave të publikuara. Gazetari tha se është herët të flasësh për hollësi të tjera, nisur nga fakti se ndaj tij nuk është ngritur ende ndonjë padi.

Përfaqësuesit e disa organizatave ndërkombëtare të cilët vizituan pak ditë më parë Shqipërinë kërkojnë të dinë më shumë rreth padisë. Por sipas tyre qasja e përgjithshme që duhet të ketë politika në Shqipëri, e në këtë rast kryetari i qeverisë, duhet të jetë ajo e inkurajimit të gazetarëve që të bëjnë punën e tyre.

Attila Mong përfaqëson Komitetin për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë jo-fitimprurëse e pavarur me seli në Nju Jork dhe me korrespondentë anembanë botës. Ai është korrespondent i organizatës me bazë në Berlin.

Attila Mong: “Ne ende nuk e dimë saktësisht se mbi çfarë baze ai po e ndjek ligjërisht gazetarin gjerman. Ajo që dimë është se ai ka marrë një avokat dhe ka thënë se do të ngrejë akuza ose një ankesë kundër gazetarit të Bild-it. Mund të jetë një çështje civile ose një çështje penale, ende nuk i dimë hollësitë. Por si rregull, ne mendojmë se gazetarët duhet të inkurajohen për të raportuar dhe zbuluar korrupsionin e mundshëm dhe pikërisht këtë bëri edhe gazetari i Bild-it.

Kryeministri Rama, kur e takuam gjatë vizitës sonë, e siguroi delegacionin se, si kryeministër, ai nuk do të ndiqte penalisht raste të gazetarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë, por do të ngrinte akuza për shpifje nëse do të ishin të nevojshme. Por disa gazetarë dhe ekspertë të lirisë së shtypit na folën për një numër në rritje rastesh gjyqësore për shpifje kundër gazetarëve në Shqipëri,” tha zoti Mong.

Zëri i Amerikës: Bazuar nga përvoja juaj, si i trajtojnë këto raste gjykatat gjermane, kur gazetarët paditen nga politikanët?

Attila Mong: “Gjermania, zakonisht ka një standard mjaft të lartë sa i përket lirive të shtypit. Përgjithësisht, gjykatat gjermane japin vendime në favor të lirisë së shprehjes. Natyrisht ne nuk e dimë saktësisht se mbi ç’bazë po e padit ose do ta padisë kryeministri i Shqipërisë gazetarin gjerman. Por nëse i referohemi një rasti mjaft të ngjashëm, ish-zëvendëskancelari austriak njoftoi kohët e fundit se ai do të ngrinte padi kriminale kundër dy gazetave gjermane pas publikimit prej tyre të një videoje që çoi në dorëheqjen e tij. Në atë rast Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u bëri thirrje prokurorëve gjermanë të mos e ndjekin çështjen, dhe jemi në pritje të përgjigjes. Prandaj ne presim një trajtim shumë të ngjashëm edhe të këtij rasti nga autoritetet gjermane,” tha zoti Mong.

Zëri i Amerikës: Do t’i bëni thirrje edhe në këtë rast?

Attila Mong: “Ne vazhdojmë ta vëzhgojmë çështjen. Kryeministri sapo ka njoftuar se do të marrë një avokat në Gjermani, prandaj ndoshta do të duhet pak kohë deri sa ekipi ligjor të njoftojë se mbi ç’bazë do të ngrihet padia.”

Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve ishte një ndër 7 organizatat të cilat në raportin e tyre paraprak dolën në përfundimin se gjendja e shtypit në Shqipëri po përkeqësohet. Por cili është problemi më i madh, që e ka krijuar këtë situatë sot në Shqipëri dhe a përfaqëson Shqipëria rastin më të keq në këtë drejtim nëse krahasohet situata me vendet e tjera të Ballkanit?

“Është shumë e vështirë të krahasosh njërin vend me tjetrin. Në Ballkan ne shohim prirje shumë të ngjashme. Ajë që është shqetësuese në Shqipëri është fakti që sulmet ndaj gazetarëve apo edhe ngacmimet online ndonjëherë mbeten krejtësisht të pandriçuara. Vetë gazetarët, shpesh nga frika e hakmarrjes zgjedhin të mos i raportojnë këto raste. Ky është edhe ndryshimi që ne vëmë re në Shqipëri, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit.”

Këshilltarja ligjore e Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias Flutura Kusari, thotë se kryeministri duhet të jetë transparent edhe lidhur me faktin se kush do të paguajë për këtë padi.

Ekspertët e intervistuar nga Zëri i Amerikës thanë se nga njëra anë është shumë e rëndësishme që gazetarët t’u përmbahen rregullave profesionale në raportime. Por politikanët dhe autoritetet, thanë ata, duhet që të sillen me respekt dhe t’u përmbahen standardeve ndërkombëtare, duke nxitur lirinë e shtypit dhe inkurajuar gazetarët për të ekspozuar rastet e korrupsionit. /VOA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne