U përfol si kryetar i Vetëvendosjes në Shqipëri, Ditmir Bushati takon Albin Kurtin

Ditmir Bushati, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë ka zhvilluar një takuar me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili ndodhet prej disa ditësh në Tiranë.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Bushati, i cili ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në “Facebook” disa foto nga takimi me Kurtin.

Bashkëngjitur fotove, ish-kreu i diplomacisë shqiptare shkruan se fokusi i bisedimeve mes tyre kanë qenë sfidat që e presin Kurtin si kryeministër i Kosovës, pas fitores së forcës politike që ai drejton në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

“Pritshmëritë janë të mëdha për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për shqiptarët kudo ku ata jetojnë, si parakusht për të kontribuar në fuqizimin e faktorit shqiptar në rajon”, ka shkruar Bushati.

Muajin e fundit, emri i Bushatit është lakuar si një drejtues i mundshëm i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri. Ky pretendim u hodh poshtë nga Bushati, ndërsa Kurti tha se gëzon një respekt të veçantë për ish-ministrin dhe do dëshironte të bashkëpunonte me të, por qendra e Vetëvendosjes në Tiranë është autonome dhe se ai nuk përfshihet në veprimtarinë e saj.

Ish-ministri Bushati është shprehur hapur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në maj të vitit 2019, në një intervistë për “Der Standard”, Bushati tha se shkëmbimi i territoreve është një ide e vjetër e shekullit të 19-të dhe shumë e rrezikshme.

Ai theksoi se kjo ide shkon kundër frymës së integrimit europian dhe zgjerimit të BE-së, deklaratë kjo që binte ndesh me qëndrimin e Ramës për kufijtë Kosovë-Serbi./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne