Bota

U shkarkua nga Trump, flet Bolton: Koreja e Veriut s’ka ndërmend të dorëzojë armët bërthamore

Ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, John Bolton, thotë se Koreja e Veriut nuk do t’i dorëzojë kurrë vullnetarisht armët e saj bërthamore. Në fjalimin e tij të parë pas shkarkimit nga administrata Trump, zoti Bolton tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të bëjë “gjithçka për të ruajtur aftësinë goditëse me armë bërthamore”. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Zlatica Hoke, fjalimi i zoti Bolton të hënën përkoi me fjalimin në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara të të dërguarit të Koresë së Veriut, i cili akuzoi Shtetet e Bashkuara për “provokime” që cënojnë progresin e bisedimeve për situatën në rajon.

Shtetet e Bashkuara thonë se do të mbajnë sanksione të ashpra ndaj Koresë së Veriut, derisa ajo të eliminojë programin e saj bërthamor. Presidenti amerikan Donald Trump ka lavdëruar marrëdhënien e tij personale me udhëheqësin koreanoverior Kim Jong Un dhe ka thënë se të dyja palët po bashkëpunojnë për çnuklearizimin e gadishullit.

Koreja e Veriut tha të hënën se është arritur pak progres, për shkak të veprimeve që i quajti provokime politike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara. “Varet nga Shtetet e Bashkuara nëse negociatat tona do të shndërrohen në një mundësi të re, apo nëse do të përshpejtojnë krizën”, tha Kim Song, i dërguari i Koresë së Veriut në Kombet e Bashkuara.

Zoti Bolton tha se Koreja e Veriut nuk ka ndër mend të dorëzojë armët e saj bërthamore.  “Mendoj se vendimi strategjik i Kim Jong Unit është që të ruajë aftësinë goditëse me armë bërthamore, ta zhvillojë atë më tej dhe ta përmirësojë. Mund të përpiqet për lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare dhe mund të bëjë disa lëshime, por në rrethanat e tanishme, ai nuk do t’i dorëzojë kurrë vullnetarisht armët bërthamore”, tha zoti Bolton, ish-Këshilltar i Sigurisë Kombëtare për Presidentin Trump.

Koreja e Veriut ka bërë disa testime raketash këtë vit, por nuk ka kryer një tjetër provë bërthamore që nga shtatori 2017. Presidenti Trump kërkon t’i njihet merita për këtë gjë, por zoti Bolton thotë se kjo nuk është një shenjë e mirë.

“Një arsye shumë shqetësuese pse nuk po teston më për momentin armë bërthamore, apo raketa me rreze të largët, është se Koreja e Veriut mendon se ka përmbushur fazën e testimit dhe se mund të prodhojë mbushje bërthamore dhe raketa me rreze të gjatë. Kjo nuk është një shenjë inkurajuese. Kjo është një shenjë për të cilën duhet të shqetësohemi”, tha zoti Bolton.

Zoti Bolton tha se është e papranueshme t’i lejohet Koresë së Veriut që të ketë armë bërthamore. “Nëse besoni se është e papranueshme që Koreja e Veriut të ketë armë bërthamore, atëherë forca ushtarake duhet të shërbejë dikur si një opsion”, tha zoti Bolton.

Presidenti Trump i është shmangur ushtrimit të forcës ushtarake. Ai e shkarkoi zotin Bolton duke përmendur dallimet në pikëpamjet për Korenë e Veriut, Iranin dhe një sërë çështjesh të tjera, dhe e zëvendësoi atë me kryenegociatorin amerikan për pengjet, Robert O’Brien. /Voa/

OPINIONE

INTERVISTA