U shoqërua në Polici për lajmin e rremë, gazetarja Grrica: Ja si qëndron e vërteta

Gazetarja e shoqëruar mbrëmjen e djeshme në Polici, Daniela Grrica, e medias “Shekulli Online” ka reaguar pas akuzave që i janë bërë se kishte përhapur panik tek qytetarët me një lajm të publikuar prej saj.

Në një reagim në Facebook, Grrica shkruan se ajo nuk e ka shkruar atë lajm dhe hedh akuza se fotoja që ka qarkulluar në rrjet ka qenë e modifikuar. “Unë di t’ju them që lajmi që unë kam publikuar në gazetën “Shekulli-online” nuk është ai që u bë viral, ai që la mijëra qytetarë jashtë shtëpive për të mbrojtur veten dhe fëmijët e tyre”, shprehet gazetarja.

Në fund Grrica shprehet se ndihet e keqardhur për të gjithë këtë situatë që ka ndodhur dhe se do i shkojë deri në fund të vërtetës.

POSTIMI I PLOTË

NUK ISHTE LAJMI IM, POR NJË FOTO E MODIFIKUAR DHE E BËRË VIRALE!
Nuk jam arrestuar.

U shoqërova në polici për të sqaruar detaje rreth një foto (skrin) që nuk e di nga ku mbiu, por fatkeqësisht bëri hatanë. U ndjeva tmerrësisht keq kur kolegët e mi në polici kishin shpërndarë një deklaratë për mediat, se jam shoqëruar ende pa bërë asnjë lloj verifikimi apo pa më pyetur: Si qëndron puna moj vajzë? Gjithashtu edhe kolegët e mi në televizione e portale, u ngutën për të bërë lajmin i pari, kush me foto, e kush me emër e mbiemër.

FALEMINDERIT të gjithëve! Unë di t’ju them që lajmi që unë kam publikuar në gazetën “Shekulli-online” nuk është ai që u bë viral, ai që la mijëra qytetarë jashtë shtëpive për të mbrojtur veten dhe fëmijët e tyre.

Ju siguroj se unë shtetasja, Daniela Grrica, që u shoqërova në polici për diçka që s’kam bërë, se ai lajm nuk është deformuar apo ekzagjeruar nga unë për disa palo klikime. Nuk do e bëja kurrë! Sepse pikë së pari jam njeri, dhe ashtu siç më kanë rritur prindërit e mi, një njeri me parime, që nuk e shet apo zmadhon fjalën pa pasur një bazë apo indicie konkrete. E aq më pak nuk do e bëja si gazetare sado e “vogël” që jam.

Lajmi i im ishte vetëm një citim i një medie preststigjoze shqiptare dhe titulli im fjalë për fjalë është ky: “Paralajmërimi i sizmologut grek: Kujdes tërmetet e tjera, mund të jenë shkatërruese!” (Pjesa tjetër e titullit, ku fitet për një orar është e shtuar).

Dhe më poshtë vijon intervista e plotë, ashtu siç ishte në median që unë kam cituar, pa asnjë lloj ndryshimi të mëvonshëm, përveç se publikimit të tij të parë në orën 15:11 minuta të datës 22 shtator.

Ju do thoni: Po ai foto-skrin që përhapi panik te të gjithë qytetarët dhe që mban emrin tënd çfarë ishte? Nuk e di! Nuk e di kush, pse, çfarë kërkoi ai apo ajo që modifikoi atë foto. Sepse ai nuk është një lajm, i shpërndarë me link, është një foto e modifikuar me fotoshop që përhapi panik.

Ndjej keqardhje të thellë që e gjitha kjo u përhap dhe u keqpërdor në masë, duke njollosur emrin tim, ende pa u akuzuar.

Por për një gjë të jeni të sigurt, kësaj çështje do t’i shkoj deri në fund, deri sa të dalë në dritë e vërteta e njollosur nga një “mjeshtër” fotoshopi./TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne