Hamdi Nuhiju
Me 27 prill të këtij viti (2017) në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë shumica parlamentare në krye me LSDM-në, BDI-në, Aleancën për Shqiptarët dhe Lëvizjen Besa mbajtjen një seancë në kushte të jashtëzakonshme ku për kryetar parlamenti pa votat e Lëvizjes Besa u zgjodh kandidati i BDI-së, Talat Xhaferi.
27 prilli i këtij viti mbahet mend në demokracinë e Republikës së Maqedonisë edhe për demaskimin dhe huliganizmin maqedonas ku brutalisht u rrahën deputetët e LSDM-së, shefi i Aleancës për shqiptarët, Zijadin Sela dhe asnjë gërvishtje nuk kishte për deputetët e BDI-së, ndërsa deputetët e Lëvizjes Besa të hutuar dhe të painformuar për rrjedhat e asaj mbrëmje, ashtu si kanë sqaruar në medie, janë larguar prej Parlamentit.
Largimi i deputetëve të Lëvizjes Besa pati përmasa të frikshme tek militantët partiak duke i sharë, fyer dhe etiketuar me fjalë të ndryshme, madje deputeti i BDI-së, Artan Grubi në skenë nxori edhe termin Lëvizja IK.
Në opinion u përfol dhe u gjykua mjaftueshëm edhe këndimi i himnit shqiptar në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë nga ana e deputetit të Lëvizjes Besa, Zeqirija Ibrahimi, i nxitur ashtu si sqaroi më vonë në medie, nga këndimi i himnit maqedonas nga ana e kriminelit Johan Tarçullovski.
Ajo që mund të shihet dhe krahasohet midis deputetëve të Lëvizjes Besa dhe militantëve partiak të Aleancës për shqiptarët dhe deputetëve të BDI-së ka kodra dallim. Militantët partiak të Aleancës për shqiptarët thanë lloj-lloj fyerje, sharje, etiketime dhe sulme ndaj deputetëve të Lëvizjes Besa. Sulmeve të deputetëve të BDI-së i parapriu Artan Grubi i cili nuk la rast pa e sulmuar Lëvizjen Besa në opinion dhe vazhdonte betejën e tij të frikësimit të atyre medieve që i jepnin hapësirë edhe qëndrimeve të Lëvizjes Besa.
Opinioni shqiptar në Republikën e Maqedonisë i pa të gjitha këto, por pa edhe sjelljen e deputetëve të Lëvizjes Besa, apelin e deputetit Zeqirija Ibrahimi i cili sugjeroi për qetësi dhe jo sharje. Ai këmbëngulte në apelin e tij që aktivistët e Lëvizjes Besa të mos shajnë dhe ofendojnë deputetët e BDI-së dhe Aleancës për shqiptarët. Në profilin e deputetit Zeqirija Ibrahimi ata që kanë përcjell ngjarjet mund që të shohin edhe komente që janë bërë ndaj tij fyese, por habitshëm për etikën dhe moralin politik në Maqedoni, deputeti Ibrahimi asnjërin prej atyre komenteve nuk e fshiu, komentuesit nuk i bllokoi dhe nuk ia ktheu me të njëjtën masë.
Kjo sprovë që i ndodhi politikbërjes shqiptare në Maqedoni ka nxjerr në pah eliksirin dhe dritën në fund të tunelit që me vite jemi duke e kërkuar si shqiptar të Maqedonisë.
Lëvizja Besa qysh prej ekzistimit të saj në skenën politike ka vendosur parime të cilat deri më sot mesa kam pasur mundësi që t`i përcjell asnjërin prej tyre nuk e ka thyer. Kanë thënë se nuk do t`i përkrahin kriminelët dhe të korruptuarit e BDI-së dhe ashtu doli.
Kjo gjë fshihet në kllapinë e shqiptarëve të Maqedonisë për arsyen e thjeshtë se shqiptarët e këtushëm fatkeqësisht nuk janë mësuar me politikan parimor.
Përndryshe zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryetar Parlamenti iu janë gëzuar të gjithë shqiptarët e Republikës së Maqedonisë pa përjashtim se votues të cilës parti janë ose nuk janë votues fare. Këtë gjë nuk mund ta mohoje askush. Por kur flasim në sferën e subjekteve politike, atje ekzistojnë parime dhe koncepte mbi baza të cilave ndërtohen politika dhe vizatohet ardhmëria e një populli. Parimet dhe konceptet e Lëvizjes Besa binin në kundërshtim me zgjedhjen e një kuadri të BDI-së,kuadër o korruptuar në krye të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë./ Gazeta Impakt