U zhduk në Laç teksa shiste perde, nëna e të riut: Djalin e grabitën dhe e vranë

Një 29-vjeçar nga Peqini rezulton i humbur që prej 10 ditësh. Familjarët e Fatjon Fejzillarit, i cili ka humbur kontaktet që në 29 prill, të pushtuar nga dhimbja dhe ankthi, kanë pak shpresa për të gjetur shëndosh e mirë djalin e tyre.

Nëna e tij, Fatime Fejzillari ka dyshime të mëdha se i biri, i cili kishte shkuar në Laç për të shitur perde, është grabitur dhe më pas vrarë.

Ajo tregon për ‘News24’ se si e kishte mësuar lajmin për zhdukjen e djalit.

29-vjeçari sipas saj ishte larguar për të shitur si ambulant perde dhe çarçafë në disa qytete e fshatra të Shqipërisë së Veriut. E moshuara i është drejtuar për ndihmë strukturave shtetërore dhe tashmë që kanë kaluar dhjetë ditë nga zhdukja e të birit ndihet e zhgënjyer që nuk po merr asnjë lajm për fatin e tij qoftë edhe i keq.

Sipas familjarëve të 29-vjeçarit të zhdukur, Fatjoni kishte dalë në punë më datë 23 prill, bashkë me shokun e tij Aleksandër Fadili për të shitur perde dhe çarçafë. Shoku i Fatjonit ka treguar se pasi kanë punuar disa ditë me radhë, pasditen e 29 prillit janë ndarë për të vijuar punën veç e veç për t’u bashkuar në mbrëmje. Ndonëse e kishte pritur për disa orë, madje i kishte rënë edhe telefonit, Fatjoni nuk është paraqitur tek vendi i takimit.

I shqetësuar për fatin e shokut, të nesërmen ka denoncuar në komisariatin e Laçit dhe ka njoftuar familjarët e Fatjonit.

Nga ana tjetër Petrit Fejzillari, babai i djalit të zhdukur ndodhet në gjendje shoku, ndërsa vazhdimisht i bie kokës me grushte. Ndërkohë, daja dhe tezja e Fatjonit hedhin dyshime edhe ndaj shokut të nipit të tyre.

Dashamir dhe Fetije Kanani i bëjnë apel shtetit që të gjejnë nipin e tyre.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne