Udhëheqja e Palestinës kundërshton gërmimet e Izraelit përreth Kompleksit Al-Aksa

Udhëheqja e Palestinës deklaroi se do të luftojë kundër gërmimeve që autoritetet izraelite po zhvillojnë përreth Kompleksit Al-Aksa në Jerusalemin Lindor.

Në një komunikatë me shkrim të lëshuar nga udhëheqja e Palestinës bëhet e ditur se Presidenti i Palestinës, Mahmud Abbas në koordinim me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) urdhëroi që të luftohet kundër shkeljeve që Izraeli bën në rrethinën e Kompleksit Al-Aksa në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Në anën tjetër Sheik Mahmud Al-Habbash, këshilltari i Presidentit Abbas për marrëdhënie me botën islame dhe përgjegjës për çështjet fetare, në lidhje me punimet e Izraelit për hapjen e një tuneli të zbuluar në lagjen Silvan në jug të Kompleksit Al-Aksa që shpie tek “Muri i Vajit” (Muri Burak) tha: “Udhëheqja palestineze është në kontakt të vazhdueshëm me Jordanin për të luftuar rreziqet që paraqiten nga punimet e autoriteteve izraelite për të ndërtuar një tunel nga Silvan në Kompleksin Al-Aksa dhe nga gërmimet që kryhen këtu”.

Të dielën autoritetet izraelite bënë hapjen e një tuneli që ndodhet në lagjen Silvan në jug të Kompleksit Al-Aksa që del nga pishina e Silvanit në Murin e Vajit (Muri Burak) në Al-Aksa.

Në ceremoninë e përurimit që u mbajt nën masa të rrepta të sigurisë ishin të pranishëm përfaqësuesi special i ShBA-së për Lindjen e Mesme, Jason Greenblatt, ambasadori i ShBA-së në Izrael, David Friedman dhe një numër i madh i deputetëve dhe ministrave izraelitë.

Tuneli në fjalë është pjesë e projektit “Shalem” të qeverisë së Izraelit që përfshinë projekte turistike dhe arkeologjike në Jerusalemin Lindor me në krye rrethin e Kompleksit Al-Aksa dhe lagjen Silvan që nga hebrenjtë njihet si “Qyteti i Davudit”.

Ndërkaq palestinezët i mbeten besnik kërkesave të tyre për shpalljen e Jerusalemit Lindor si kryeqytet i shtetit të Palesitnës, ndërsa bëjnë të ditur se Izraeli në kuadër të politikave të hebraizimit përpiqen të ndryshojnë identitetin mysliman arab të Jerusalemit Lindor.

Ndërsa Izraeli me pretekst se Kompleksi Al-Aksa është ndërtuar në vendin e Tempullit të Dytë (Tempulli i Sulejmanit) të rrënuar nga romakët në vitin 70 të erës sonë, vazhdojnë me punimet e gërmimit përreth kompleksit./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne