Udhëpërshkrimi nga Haxhi (Pjesa e gjashtë)

Nga Faik Miftari

Në këtë pjesë të udhëpërshkrimit do të përshkruaj disa aspekte të mbresave që më kanë lënë përshtypje për gjatë 10 ditëve të para të qëndrimit tim në Meke. Pothuajse çdo ditë kam bërë tavaf(rreth rrotullim) rreth Qabesë dhe kam fal ndonjë nga namazet ditore në xhami të Qabesë. Nga të gjitha namazet ditore që i kam falë në Qabe, pos namazit të xhumasë, ishte namazi i sabahut i veçantë për mua, me pamje impresive, një ngjarje me vlerë, që kurrë nuk do të harrojë dhe sa të jem gjallë do të mbajë në mend. Namazin e sabahut e fala në një distancë vetëm 50 metra përball Qabesë, të rreshtuar në safe(radhë), nga cilado anë e Qabesë, kiblës (drejtimit) në të cilin nga cili do cep i botës që gjendet myslimani, orientohet në drejtim të Qabesë për të falur namazin , të jesh “live” përball saj ishte për mua e mrekullueshme. Atmosfera e shndërrimit të natës në ditë, të zbardhjes së agimit dhe lindjes së diellit, ishte fascinuese . Qabeja shkëlqente nga dritat e shumta që jepnin një imazh të bukur të saj natën. Nata ishte e qetë, zëri i imamit të xhamisë së Qabesë që këndonte nga Kur’ani ,suren (kaptinën) e Haxhit, gjatë namazit të sabahut, me zërin e tij melankolik lente përshtypje të veçantë. Sa i përket Qabesë, sa më afër saj kryhet tavafi aq më tërheqës ishte ajo, ishte si një magnet që të tërhiqte sa më afër vetes saj.

Uji i Zemzemit ishte shpërndarë në mijëra rubineta rreth e rrotull Qabesë, kishte me bollëk dhe me të vërtetë uji ishte i veçantë, kishte një shije tjetër nga uji i zakonshëm që gjendej në Meke e Medine. Pas kryerjes së tavafit, uji i Zemzemit të këndellte pa masë në ato ditë verore me vapë të madhe dhe me temperatura mbi 40 shkallë Celsijus. Edhe një specifikë e veçantë që vura re ,ishte se rreth e përqark Qabesë shin të ndërtuara me mijëra nyje sanitare (tualete dhe abdestahne) të pajisura me ujë të nxehtë 24 orë pandërprerë, që ishin në shërbim të qindra mijëra haxhinjëve dhe haxhikeve , ashtu që nuk ka nevojë për pritjet eventuale . Mirëmbajtja e pastërtisë në harem dhe rreth e përqark saj ishte në nivel të duhur, të cilën e mirëmbanin plot 24 orë mijëra pastrues. Edhe pse ishin të vendosura me mijëra shporta për hedhjen e bërllokut, prapë se prapë duke marrë parasysh nivelin e vetëdijes të myslimanëve nga mbarë bota, të popujve të ndryshëm, fiseve të ndryshme, racave të ndryshme, kulturave të ndryshme, ishte e pamundur e gjitha të jetë e përkryer , por duke marrë parasysh edhe fluksin e madh të haxhinjëve (2,5 milion) , aty këtu, vende vende reflektohej hedhja e bërllokut jashtë shportave për mbeturina, gjatë ditëve të kryerjes së haxhit në Meke.

Sa i përket haxhinjëve nga mbarë bota, më së shumti ishin nga Indonezia, Pakistani, India, Bangladeshi, Nigeria, Egjipti, Turqia, Irani, etj, ndërsa për nivelin e organizimit dhe rendit, prinin haxhinjët nga Indonezia, Turqia dhe Irani, të cilët të gjithë haxhinjët e tjerë nga bota, sidomos organizatorët e tyre duhet të marrin si mostër për organizimin sa më të mirë të mundur të ibadetit të haxhit.

Ditët e kaluara në Arefat, Muzdelife, Mine, Harem, gjatë haxhit ishin me të vërtet të vështira, të mundimshme, të lodhshme , edhe për neve që i përkisnim gjeneratës së mesme, e të mos flasim për të gjithë ata haxhinjët në moshë të shtyrë, por që me kalimin e kohës harrohej, pasi që kryesore ishte se e kryem me sukses haxhin. Koordinimit në mes të udhëheqësve të BIK-ut dhe nikoqirët e organizimit të haxhit, Ministrisë së haxhit të Arabisë Saudite, aty këtu shënonte edhe ngecje.

Jemi duke jetuar në shek. XXI-të , dhe kudo që isha në Meke dhe Medine hasa gati në çdo dorë të arabit saudit telefonin mobil(celular) të tipit më të ri të Iphone apo Samsung, e në anët tjetër haxhinjtë akoma qëndronin në Muzdelife në një gjendje të mjerë. Nuk e kam të qartë pse akoma Ministria e haxhit të Arabisë Saudite nuk e ka rregulluar çështjen e akomodimit të haxhinjëve në Muzdelife, ashtu siç e ka rregulluar qëndrimin e haxhinjëve në Arefat, në Mine dhe Harem. Njashtu distanca prej Arefatit gjer në Mine është përafërsisht 10 km, dhe këtë distancë 2,5 milion haxhinjë janë të detyruar të udhëtojnë vetëm nëpërmjet një magjistraleje, edhe pse është me 6 korsi, por është e pamjaftueshme për të përballuar fluksin prej 2,5 milion haxhinjëve që duhet të kalojnë haxhinjët gjatë dy ditëve dhe netëve, në kohë dhe vend të caktuara me orë, ashtu që merr shumë kohë për të transportuar të gjithë ata drejt vendeve të përcaktuara gjatë kryerjes së ditëve të haxhit. Ministria e haxhit e Arabisë Saudite, ka mjete financiare, mjaftojnë vetëm të ardhurat e fituara nga haxhi, e të mos flasim të ardhurat që kanë në nivel shtetëror nga shitja e naftës, duhej të ndërtojë së paku edhe dy rrugë alternative, një metro dhe një rrugë tjetër me mbi kalime, për të lehtësuar transportin më të shpejtë të haxhinjëve, pasi që distanca është vetëm 10 km, dhe do të kishte një kosto të përballueshme për zyrtarët e Ministrisë së haxhit. Po për arabët vendor saudit, vlen akoma thënia “bukren”,që në shqip do të thotë “nesër në sabah (mëngjes)”, që e ka domethënien ka kohë, kurrë nuk është vonë për ta.

Por gjatë qëndrimit tonë në haxh, ndodhën edhe gjëra jo të hijshme, që sado kudo e zbehën imazhin e qëndrimit tonë në haxh, por ja që edhe kjo mund të ndodh edhe në Meke. Gjatë qëndrimit tonë në hotel në Meke, një haxhiut tonë, gjegjësisht haxhiut Ismet Rama nga Mushnikova, i humbën apo iu morën 670 euro nga çanta e tij. Në bisedë me të saktësisht nuk i kujtohej dita e saktë kur i ka humbur, apo iu kanë marrë të hollat nga çanta, pasi që nuk e ka vërejt menjëherë, por pasi që ka dashur të blejë diç, e ka parë që paret i mungonin në çantë, ndërsa gjitha tjerat i kishte në çantë. Pasi që për momentin më vonë kishte hetue që i mungonin paret, edhe pse dyshonte se ndoshta ndonjëri prej personelit të hotelit që mirëmbanin pastërtinë, eventualisht ka mund t’ia merr, apo se ndoshta edhe kanë mundur t’i binin diku, me rastin e nxjerrjes së pareve, në mungesë të fakteve dhe provave, “mos të hyjmë në gjynah më tepër”. Në bisedë me udhëheqësit tonë të haxhinjëve të Prizrenit, u morëm vesh, ashtu që të gjithë neve që ishin, dikush dha 5, dikush 10 e dikush 20 Euro, u tubuan gjithsejtë 650 Euro, dhe iu dorëzuan parat, ashtu që të mos mbetej pa para, dhe të kishte mundësi të qëndrojë komod gjatë ditëve të mbetura të haxhit.

Problemi tjetër ishte sjellja e taksistëve të Mekës, të cilët gjatë qëndrimit para se të afrohen ditët e haxhit, paguanin shërbimet e tyre të transportit nga hoteli në Harem, një tarifë e zakonshme prej 20 rijali(5 euro), që ishte normale, pasi që i binte një udhëtari të paguaj 5 rijal, diç më shumë se 1 Euro. Por, pas pezullimit të transportit tonë me autobusë për shkak të fluksit të madh, 4 ditë para Arefatit, dhe gjatë ditëve të Kurban Bajramit, taksistët e Mekës i rritën çmimet e tyre gjer edhe në 100 rijal(25 euro), që me të vërtet nuk ishte i hijshëm një veprim i tillë nga ata, normal që kuptohet se për shkak të fluksit të madh do të mund të rrisnin çmimet një herë më tepër, p.sh. 40 rijal ( afër 10 Euro), por kjo sjellje e tyre me të vërtet ishte e tepërt prej tyre. Por kjo nuk është çudi për neve mysliman që jemi, pasi që gjithkund në botë në kuadër të festave fetare zbriten çmimet, përkundrazi vetëm tek neve për festat e Bajrameve rriten çmimet.

Një veprim tjetër i papëlqyer ishte edhe qethja apo rruarja e flokëve pas kthimit nga Mineja në hotel, nga berberët(frizerët) lokal, ashtu që për shkak të fluksit të madh, ata çmimet i ngritën për një qethje apo rruarje të flokëve në mes 20 -30 rijal (5-7 Euro). Do të kisha preferuar që në haxh kur shkojnë berberët(frizerët) të marrin me veti pajisjet e tyre, ashtu që ata në hotel mund të bëjnë një punë të tillë, ashtu që kanë llogari që vetëm edhe nga 5 rijal( 1 Euro) të paguajnë shërbimin e tyre për një haxhi, do mund të fitonin 200-300 Euro, vetëm gjatë 1 ditë, e që është një fitim goxha i mirë, kur të marrim parasysh se ky ritual i qethjes apo rruarjes së flokëve përsëritet dy herë, herën e parë pas kryerjes së Umresë, herën e dytë pas kryerjes së haxhit, ashtu që për dy ditë punë , një berber(frizer) haxhi do të mund të fitonte goxha mirë, por edhe neve haxhinjëve do të na kursenin, ashtu që në vend të 10 Euro do të paguanim vetëm 2-3 Euro, dhe do të kursenim 7-8 Euro.

Gjatë qëndrimit tonë në hotel, në Meke, kokëçarje të mëdha në sjellnin 4 ashensorët ekzistues në hotel që ishin në shërbim të mysafirëve, si dhe një ashensor për personelin e hotelit, të cilët nga njëherë edhe neve e shfrytëzonim. 4 ashensorë ekzistues nuk ishin të mjaftueshëm për të përballur fluksin të mbi 1 mijë mysafirëve haxhinjë të vendosur në hotel, e rrëmujë më të mëdha bëheshin gjatë kohës së namazeve, kur shumica zbritnin për të falur namazet ditore në të njëjtin kohë në mesxhidin e hotelit apo në xhamitë ekzistuese pranë hotelit. Ashensorët lëviznin me një shpejtësi më të ngadalshme në krahasim me ashensorët e hotelit në Medine që ishin më të shpejta. Gjatë pritjes së haxhinjëve për ashensor, ndodhnin edhe momente të pahijshme, duke marrë parasysh nga një anë mentalitetin tonë shqiptar, e nga ana tjetër edhe nervozizmin, të arsyeshëm në këtë aspekt, për shkak të pritjeve të mëdha gjatë shërbimeve me ashensor. Por edhe nuk kishin faj, pasi që haxhinjët ishin vendosur prej katit 7 e gjer në katin 25, ashtu që neve që ishin të vendosur në katin e 17-të , na ndodhte të ecin edhe në këmbë teposhtë për të zbrit, ama për të hipur lartë me të vërtet ishte e lodhshme dhe e mundimshme gjer në katin e 17-të, 20-të apo 25-të.

Para se të nisesha në haxh përveç porosive të shumta që bënin haxhinjtë dhe imamët që kanë qen në haxh, ishte edeh porosia për sabër (durim). Me të vërtetë këtë porosi të tyre e zbatova në haxh, pasi që ishte shumë më mirë, ndihesha shumë më komod, e”lëshova veten në ler” ashtu siç thotë një fjalë te ne, përkundër asaj që të humbas sabrin( durimin), pasi që ajo me të vërtet vetëm do të sjellte vetëm nervozizëm, kokëçarje, ashtu që pas kthimit tim nga haxhi që iu rrëfeva, nuk besonin, pasi që ishte e pamundshme që të mos reagojë në atë çfarë ka ndodhë.

Në ashensor, pasi që numri i përcaktuar mbushej, dhe arrihej sasia e peshës të cilën ashensori e përballon, personi shtesë kur hipte, cingëronte zëri, ashtu që detyrohej i fundi që hipte, të braktis ashensorin. Gjatë një rasti, në ashensorin tonë i fundit hyri një haxhi me një karrocë , dhe pasi cingëroi alarmi pasi ishte mbush ashensori, një haxhi tjetër i tha atij që duhet të del prej ashensorit. Ai një pa dy u drejtua” s’ka kush që me qet mua jashtë prej ashensorit, dashit ju dilni të gjithë, unë assesi nuk dal me kërcit edhe topi”. Unë pa një pa dy, dola i pari, dhe pas meje edhe dy të tjerë, ashtu që ja lëshuam vendin atij, dhe të tjerëve që të vazhdojnë udhëtimin, ndërsa neve e pritëm ashensorin e radhës.

Në rastin tjetër sapo kishim hip në ashensor, derisa pritnim që të nis rrugëtimin ashensori, një haxhi pa një pa dy me tërë forcën që e kishte i mëshonte me dorë tabelës së sistemit të ashensorit, ashtu që ai u bllokua, dhe pas këtij veprimi të haxhiut, unë dola me disa haxhi tjerë pa bërë zë, për të lënë atë me të tjerë të pritnin në ashensorin e bllokuar nga veprimi dhe sjellja e papranueshme e tij. Por kjo nuk ishte çuditshme, por e pritshme, pasi që kishte haxhi që për herë të parë përballej me ashensor, dhe jo që nuk dinte vetëm se si duhej përdorur, por edhe më pak se si të sillej dhe veprojë në çastet e caktuara.

Me të vërtetë në ashensor përjetonim gjëra të çuditshme sa që shumë herë u kënaqshim duke qesh, me gjestet dhe artikulimet e haxhinjëve kosovar që vinin nga të katër anët e Kosovës për të kryer haxhin, sa që duhej kuptuar edhe ata që këto veprime të pahijshme i bënin për shkak mos njohjes dhe mos qasjes me ashensor në jetën e tyre, por edhe në saje të pritjes së tepërt gjatë zbritjes dhe hipjes nëpër dhoma të hotelit me ashensor e që sillnin edhe kokëçarje dhe nervozizëm, herë të arsyeshëm por edhe më shumë të paarsyeshëm. Por haxhi i sjell edhe këto dukuri dhe veprime pasi po përballesh me haxhinjtë tonë që vinin nga anët e ndryshme të Kosovës e që karakterizohen me vese të ndryshme, adete të ndryshme, kultura të ndryshme , e që të gjitha këto së bashku kisha rast të përjetojë”live” gjatë kohës së qëndrimit tim në haxh./ Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne