Udhëpërshkrimi nga Haxhi (Pjesa e tetë)

5 shtator-ditë e marte
Pas nëntë ditësh ndërprerjeje, për shkak të fluksit të madh të haxhinjëve gjatë ditëve të haxhit, u rikthye transporti për haxhinjtë nga hoteli deri në Harem (Qabe). Pas namazit të drekës dola të eci rrugëve të Mekës, e cila tani iu rikthye lëvizjes normale të funksionimit pas 5 ditëve të vrullshme të haxhit, me ç’rast ishte e ngarkuar dhe mbipopulluar tej mase me haxhinjtë që kishin ardhur nga të katër anët e botës për të kryer Haxhin, njërin prej 5 sharteve të fesë Islame.
Duke ecur rrugëve të Mekës, në të dy anët e rrugëve dhe bulevardeve shtriheshin hotele të larta me mbi 20-30 katëshe, si dhe kantierët e shumtë të ndërtimit, të ndërtesave të reja të hoteleve. Pothuajse gjatë atyre rrugëve që eca nuk pash diç tjetër të ndërtimit të objekteve tjera përveç hoteleve. Nuk pashë shtëpi, por aty këtu ndonjë ndërtesë banimi në të cilët jetonin qytetarët e Mekës. Me siguri kuarti ku gravitonim ishte i destinuar vetëm për ndërtime të larta dhe atë kryesisht për hotele, edhe pse lëviza gjer në Mine, pash pothuajse panoramë të njëjtë.
Kryerja e haxhit për një besimtar mysliman apo besimtare myslimane, i cili apo e cila ka kushte materiale është obligim i paraparë me ajetin kur’anor dhe hadithin profetik të pejgamberit tonë të dashur Muhamedit a.s., të cilën e kemi theksuar më parë, nga e cila shihet qartë kryerja e haxhit është njëra prej pesë sharteve(kushteve) të islamit. Sa i përket bedelit( zëvendësuesit) për të kryer haxhin në vend të tjetrit, është i përcaktuar me hadithet e pejgamberit Muhamedit a.s, të cilin e transmeton Buhariu:” Një grua nga fisi Hath’am e kishte pyetur të dërguarin e Allahut xh.sh. duke thënë:vërtet urdhëri i Allahut për njerëzit që të kryejnë haxhin e ka gjetur babanë tim në moshë të shtyrë dhe nuk është në gjendje të qëndrojë hipur mbi deve, a mundem unë të kryejë haxhin në vend të tij?I dërguari i Allahut xh.sh. u përgjigj: Po kryeje haxhin për të”. Ibën Abasi transmeton se:”Një grua nga fisi xhuhejne kishte ardhur te i Dërguari a.s dhe i kishte thënë: Nëna ime është betuar se do ta kryejë haxhin dhe ka vdekur para se ta kryente atë. A duhet ta kryejë unë në vend të saj? I dërguari i Allahut u përgjigj: Po, kryeje haxhin në vend të saj. Sikur nëna jote t’i ketë mbetur dikujt borxh, a do ta ktheje borxhin e saj? Kështu duhet kthyer edhe borxhi ndaj Allahut. Allahu ka të drejtë më të madhe për kthimin e borxhit”(Buhariu). Nga kjo mund kuptojmë se bedel për haxh mund të shkohet për rastet e caktuara dhe për personat e caktuar. Arsyet e caktuara për personat e cekur që nuk mundë të kryejnë haxhin janë : sëmundja, mosha e shtyrë, vdekja, amaneti, betimi, etj. Në rast se prindërit, baba dhe nëna, anëtarët e familjes së ngushtë, vëllezërit dhe motrat, kanë kushte materiale për të shkuar në haxh, por për shkaqe shëndetësore, vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike, janë të palëvizshëm, janë të verbër, apo të shurdhër, apo në rast të rrezikimit të mëtutjeshëm të shëndetit, nuk janë të gjendje të kryejnë haxhin, atëherë mund të caktojnë bedelin(zëvendësuesin) për të kryer haxhin në vend të tyre dhe atë familjarin më të afërt, vëllanë, motrën, bashkëshortin apo bashkëshorten, apo ndonjë familjarë tjetër të ngushtë, sikurse daja, tezja, axha apo halla. Shembull tjetër është në rast se një besimtar mysliman i cili ka pas mundësi materiale dhe ka bërë nijet për të shkuar në haxh, porse vdekja e tij e ka parandaluar të kryejë haxhin, atëherë preferohet që djali, vajza, bashkëshortja, vëllau apo motra duhet të kryejnë haxhin bedel( zëvendësues). Rast tjetër është kur një besimtar mysliman i cili ka pas mundësi materiale për të kryer haxhin, dhe ka lënë amanet për të kryer haxhin për të pas vdekjes së tij, atëherë trashëgimtarët e tij ligjor, bashkëshortja, djemtë dhe vajzat, apo familjarët e tjerë të ngushtë janë të obliguar të kryejnë haxhin bedel(zëvendësues) dhe për të zbatuar në jetë amanetin e lënë. Në rast se një besimtar mysliman ka pas kushte materiale për të kryer haxhin, por për arsye të ndryshme subjektive nuk arrin të kryejë haxhin, ndërsa nuk ka lënë amanet për të kryer haxhin , trashëgimtarët e tij nuk janë të obliguar të kryejnë haxhin bedel(zëvendësues), por pasi që ka pas kushte materiale dhe ka qenë besimtar i devotshëm i cili i ka kryer me përpikëri të gjitha shartet (kushtet) e islamit, është e pëlqyeshme që trashëgimtarët e tij ligjor të kryejnë haxhin bedel(zëvendësues) për atë besimtar të devotshëm mysliman.
Kushtet që duhet plotësuar personi i autorizuar që do të kryejë haxhin bedel (zëvendësues) për besimtarin tjetër janë: a) personi i autorizuar duhet të bëjë nijet për personin për të cilin do të kryejë haxhin bedel(zëvendësues);b) personi i autorizuar duhet të jetë i moshës madhore, i logjikshëm dhe i njohur me rregullat e kryerjes së haxhit;c) personi i autorizuar i cili do të kryejë haxhin bedel (zëvendësues) bëhet për shkak të pamundësisë së personit i cili nuk mund të kryejë haxhin për kushtet e lartcekura më lartë; d) shpenzimet e haxhit bedel (zëvendësues) të paguhen nga pasuria e atij që ka obligim haxhin dhe për të cilin shkohet në haxh, apo pagesa kryhet në mënyrë vullnetare nga pasardhësit e tij ligjor;e) personi i autorizuar duhet të kryej atë lloj haxhin për të cilin është i autorizuar nga personi i cekur;f) personi i autorizuar duhet vet të kryej haxhin bedel(zëvendësues) për personin i cili e ka autorizuar, assesi nuk bën që ai të autorizojë dikë tjetër për të, pa pëlqimin paraprak të personit për të cilin kryhet haxhi; g) personi i autorizuar që kryen haxhin bedel(zëvendësues) për personin tjetër, duhet të jetë haxhi, do të thotë që e ka kryer më parë haxhin për vete. Personi i autorizuar i cili kryen haxhin bedel( zëvendësues) për personin e porositur, në rast se për shkaqe të ndryshme objektive apo subjektive nuk arrin të kryejë haxhin, për shkak të sëmundjes eventuale, neglizhencës, mosplotësimit eventual të ndonjë riti farz( të obliguar) të haxhit, i cili haxhin e bënë të mangët dhe të papranueshëm, atëherë personi i autorizuar është i obliguar që të kthejë të hollat e pranuara për kryerjen e haxhit, personit i cili e ka autorizuar atë.
Por, në realitetin e tanishëm kohor haxhi bedel(zëvendësues) dita ditës po merr formën e haxhit për biznes. Në vend se trashëgimtarët ligjor, djemtë e vajzat, të kryejnë haxhin bedel(zëvendësues) për prindërit e tyre( babën apo nënën), të cilët për shkaqe të ndryshme subjektive nuk kanë mund të kryejnë haxhin, i dërgojnë kryesisht imamët apo hoxhallarët të kryejnë haxhin bedel(zëvendësues). Personat të caktuar sa ishin gjallë nuk kanë pas farz të kryejnë haxhin, pasi nuk kanë pas kushte materiale, mezi në atë kohë kanë arritur me një rrogë të atëhershme të ushqejnë dhe të mbajnë gjallë fëmijët e shumtë të tyre, duka pas parasysh rrethanat e caktuara kohore të atëhershme. Tani, fëmijët e tyre, djemtë apo vajzat, që kryesisht gjenden me punë në botën e jashtme, dhe kanë gjendjen e mirë materiale, në vend se të kryejnë vetë haxhin për vete për të cilën janë të obliguara pasi posedojnë kushte materiale, ata zakonisht me dërgimin e bedelit për haxh për prindërit e tyre të ndjerë,mendojnë se e shpaguajnë me këtë obligim veten e tyre. Edhe më habitshme është se kur i çojnë bedel të kryejnë haxhin për prindërit e tyre, të cilët gjatë kohës sa ishin gjallë nuk janë falur, agjëruar, nuk kanë dhënë zeqat, e lere më se kanë menduar të shkojnë në haxh, a thua me çfarë logjike i dërgojnë për kryerjen e haxhit bedel imamët apo hoxhallarët për prindërit e tyre. Këtyre llojeve të haxhit bedel ia shohin hajrin vetëm imamët me bashkëshortet e tyre , si dhe studentët dhe studentet të cilët gjenden në studime në Arabinë Saudite, të cilët kryesisht e kryejnë këtë shart islam dhe përfitojnë goxha para. Tarifa e bedelit për haxh sivjet ishte prej 1700 gjer në 2000 Euro për një haxh bedel të cilët paguheshin studentët apo studentet që gjendeshin në Arabinë Saudite, ndërsa tarifa e haxhit bedel për imamët apo hoxhallarët që shkonin nga Kosova ishte 1500 Euro, plus çmimi i plotë i haxhit, që sivjet ishte 3400 Euro si dhe bakshishet (peshqeshesh ) që zakonisht japin të afërmit e tyre.
Kulminacioni i këtij biznesi bedel ishte bedeli për umre, i cili për mua ishte një befasi e madhe, pasi që për haxhin bedel kisha njohuri prej shumë kohësh , por që paska bedel edhe për umre, këtë nuk e kisha dëgjuar, por ja u vërtetova sivjet ”live” në Meke, se kjo po ndodh. Gjatë një dite sa isha në Meke, një hoxhë që e njihesha, kërkonte prej haxhinjëve në hotel që t’ia huazonin ihramin, pasi që neve shumica i dorëzuam ihramet, pas kryerjes së haxhit, të cilët i grumbulluan punëtorët ndihmës të hotelit. E pyeta se për çfarë i vyen ihrami, pasi e kryem haxhin, u përgjigj se i ka godit 2 bedela për umre nga 100 Euro, e pas ca ditësh, më tregoi se i kishte godit edhe 2 bedela tjerë për umre, që të gjitha nga 100 Euro për person. Unë i thash, në formë shakaje hoxhës që e njihja, se pak i paske marrë nga 100 Euro, po tha, ke të drejtë Faik, se studentët e këtushëm që gjenden së studime, tarifën e kanë 150 Euro për një umre bedel???!!!!Umreja nuk është farz (e obliguar) për t’u kryer, por është synet( e preferuar), në rast të kryerjes ke sevap, e në rast të moskryerjes nuk ke gjynah(mëkat).
6 shtator-ditë e mërkure
Sot pas tri ditë pushimi që nuk isha në Qabe, u nisa në mesditë, në temperaturën mbi 40 shkallë Celsius për të kryer tavafin nafile(vullnetare), edhe pse ishte mesditë dhe jashtëzakonisht e nxehtë, ishte një kënaqësi mahnitëse në këtë kohë të kryesh tavafin, ishte diç fascinuese e papërshkrueshme tavafi në mesditë rreth Qabesë. Pas një pushim i të shkurtër, shfrytëzova rastin, tani në hije, të lexojë edhe pakëz Kur’an, pas së cilës erdhi edhe vakti(koha) e namazit të drekës. Pas faljes së drekës u nisa drejt hotelit dhe mbërrita në ora 14.00. Fluksi i haxhinjëve ishte shumë i madh gjatë këtyre 3-4 ditëve, pas Kurban Bajramit, pasi që shumica e haxhinjëve e kryenin tavafin lamtumirës, pas së cilës udhëtonin në Medine për të vizituar xhaminë e pejgamberit tonë të dashur, Muhamedin a.s., ata që nuk kanë shkuar më parë, ndërsa haxhinjët tjerë që kanë vizituar Medinën para kryerjes së haxhit ktheheshin në vendlindjet e tyre nga kishin ardhur nga të katër anët e botës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne