Udhëpërshkrimi nga Haxhi – pjesa XI

Udhëpërshkrimi nga Haxhi

(Pjesa e njëmbëdhjetë)

Nga Faik Miftari

13 shtator – ditë e mërkure

Po afrohet fundi i qëndrimit tonë në Haxh, pasi jemi paralajmëruar prej organizatorit, Bashkësisë Islame të Kosovës, se me 16 shtator, ditë e shtunë, grupi i haxhinjëve nga Prizreni, do të kthehet në Kosovë. Sipas porosisë së organizatorit,  kemi  drejtë të marrim  një valixhe të madhe, që duhet  dorëzuar në bagazh me peshë gjerë 25 kg. dhe një valixhe e vogël që do të marrim  me veti në aeroplan me peshë prej 5 kg. ashtu që duhet të kemi kujdes që pesha e gjithëmbarshme të mos kalojë 30 kg(25+5). Poashtu me vete kemi të drejtë të marrin edhe  një paketim prej 5 litrash ujë Zemzemi, por  i cili nuk do të llogaritet në peshën e gjithëmbarshme.

Sa i përket ushqimit që  kemi pasur në haxh, mund të them se ka qenë i kënaqshëm dhe kalorik. I kishim dy shujta në ditë, mëngjesin dhe darkën, mëngjesi   servohej prej orës 7-11, ndërsa darka nga ora 19.oo gjer në ora 23.oo. Ushqimi  i përngjante  kuzhinës turke, ishte i llojllojshëm dhe përmbante nga 10 artikuj ushqimor si në kafjall ashtu edhe në darkë. Për kafjall kishim  çorbë, sosë, vezë të zier, djathë, ullinj, sallatë, reçel, mjaltë, qumësht, ujë,  dhe me bollëk si në kafjall ashtu edhe në darkë, kafe  dhe çaj. Në darkë servohej , çorbë, pilaf(oriz), dy lloje gjellë(pasul, bizele, kompira, çofte, etj.), sallatë, dhallë apo kos, ëmbëlsirë, lëngë, pemë(mollë, portokaj apo banane), ujë, dhe normalisht bukë sa të duash.  Për veti nuk kam pas nevojë për më shumë ushqim, pasi që në mes ditë zakonisht qëndroja  në Qabe apo në qytet,  dhe se vetëm 3-4 herë kamë ngrënë  drekën në qytet dhe atë për të provuar specialitetin arab vendor El-bejik . Por kishte haxhinjë që ishin  të pakënaqur me këto lloje të ushqimeve, pasi që nuk ishin mësuar, dhe për 4 javë, sa ishim në haxh, ju kishte marr malli për të ngrënë fasule dhe pite, ashtu që i këshillova  disa haxhi që ankoheshin për ushqim, duke ju thënë:” pasi që të kthehemi në Kosovë,  të porositni, bashkëshortet,  të rejat apo nënat, që t’ju përgatisin një muaj me radhë vetëm fasule e pite, dhe të ngiheni  me ato”.  Edhe pse ushqimi ishte i mjaftueshëm, kishte haxhinjë që nuk ishin të disiplinuar, dhe merrnin më shumë se që duhet, dhe përpos në mensë që ushqeheshin, merrnin me vete edhe në dhomat e tyre, e sidomos kafe dhe çaj, të cilët i kishin në dispozicion me bollëk. Nga këto veprimet e disa  haxhinjëve  kosovar ishte befasuar dhe çuditur shumë, kryekuzhinieri i mensës, ashtu që një prej ditëve më pat thënë : “Bu sizin haciler hiç doymiyor, Allah onlari doyursun” që në shqip do të thotë:”këta haxhinjë e juaj assesi nuk po ngihen, Allahu ju ngoptë ata”. Mbeta pa koment  me fjalët  e tij. Çudi se jo mahi!!!???

14 shtator- ditë e enjte

Sot përfundova shopingun e nisur nga e hëna në Medine, duke përfunduar blerjen e bakshisheve(dhuratave) për të gjithë ata që i kisha planifikuar, e që besa nuk ishin të paktë, duke pas parasysh  familjarët të shumtë, miq, shokë, koleg, xhemat, etj. Sot  nga spitali i Medinës doli haxhi Abdullahu nga Mamusha, i cili pas arritjes në Medine, kishte dhimbje, shtrëngime në zemër, dhe urgjent u dërgua në spital në Medine, ku mjekët i kishin konstatuar se kishte mbyllje të venave të gjakut në zemër, ashtu që menjëherë iu nënshtrua intervenimit kirurgjik me ç’rast iu vendosën dy stenda. Shkova për të vizituar në dhomën që ishte, tani haxhi Abdullahu  ishte në qejf, qehrja(fytyra) i kishte ardhur, ndihej i lumtur dhe shumë mirë, dhe se pas dy ditësh ishte plotësisht i aftë që të kthehej së bashku me neve në Kosovë. Të gjitha intervenimet që kryheshin në spitale në Mekë dhe Medine, ishin pa pagesë,  ashtu që i thash haxhi Abdullahut, se ke pas fat, përveç që kreve haxhin me sukses  pate edhe intervenim kirurgjik me sukses, me ç’rast i  kurseve 4-5 mijë Euro, dhe ty haxhi i sivjetshëm t’u shpagua si më së miri.

Pas tri përpjekjeve të pasuksesshme për të vizituar varrezat e quajtura xhenet-ul baki, pasi ishin të mbyllura për vizitë, sot më në fund pata fat, ashtu që pas namazit të iqindisë në ora 16.oo u hapën dyert e saja për vizitorët haxhinjë, të cilët gjendeshin fare afër, ngjit me oborrin e xhamisë së Muhamedit a.s. në Medine. Sipërfaqja e varrezave”xhenet-ul  baki” ishte bukur e madhe, mirëmbahej shumë mirë nga pastruesit e shumtë që kujdeseshin, ishin të ndarë me shtigje për vizitorë mes parcelave, varet  ishin të ngritur pakëz mbi sipërfaqe të dheut mbi të cilat ishin të vendosura  nga një gurë, dhe  pa kurrfarë mbishkrime në to. Këto varreza datojnë që nga koha e pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit a.s., në këto varreza janë të varrosur rreth 10.000 persona, duke u nisur  nga as-habët(shokët), bashkëshortet dhe familjarët e Muhamedit a.s., si dhe hoxhallarët, dijetarët, ushtarakët, zyrtarët, udhëheqës dhe administratorët  e ndryshëm gjatë periudhave të ndryshme kohore.

Sivjet në haxh ishin afro 2, 5 milion haxhinjë nga mbarë bota. Për të kryer  haxhin në mënyrë komode  do të duhej të ishin rreth 1-1, 5 milion haxhi në kushtet dhe rrethanat ekzistuese.  Edhe pse myslimanët nga Ballkani(Bosnja, Sanxhaku, Shqipëria, Kosova, Maqedonia ) nuk  kanë problem për të vizituar haxhin, pasi nuk po arrijmë të plotësojmë kuotën e lejuar prej 0,1% të numrit të myslimanëve  që kanë të drejtë të shkojnë në haxh nga numri i tërësishëm i banorëve të shtetit, shtetet tjera të botës islame, sidomos shtetet e mëdha myslimane po hjekin të zitë e ullirit për të kryer Haxhin për shkak të numrit të kufizuar të haxhinjëve  prej 0,1% nga numri i tërësishëm të banorëve të shtetit. Haxhinjtë nga shtetet e mëdha sikurse që janë: Indonezia, Pakistani, India, Bangladeshi, Egjipti, Nigeria, Turqia, Irani, po duhet me dhjetëra vite të presin për të fituar të drejtën e shkuarjes në haxh,  ashtu që vetëm në Turqi janë të regjistruar 1.700.000 besimtar mysliman që presin radhën për të kryer haxhin,  duke marr parasysh se sivjet ishin rreth 80.000 haxhinjë nga Turqia, i bie që për të kryer haxhin do të duhen plot 20 vite për të pritur radhën një besimtar mysliman nga Turqia,  pa i llogaritur në ndërkohë kandidatët  që do të regjistrohen për të kryer haxhin gjatë viteve vijuese. E të mos flasim se si është gjendja e kandidatëve për të kryer haxhin në Indonezi, Pakistan, Indi, Iran, Egjipt etj.  Po të kishin kapacitete për pranim dhe akomodim të haxhinjëve  vetëm nga Indoneza do të kishin ardhur  3 milion haxhinjë, nga Pakistani dhe India nga 2 milion, nga Irani, Turqia, Egjipti, nga 1 milion e kështu me radhë. Shtroj pyetje vetvetes,  a thua ka zgjidhje për këtë problem, për të mundësuar çdo besimtari mysliman që i ka kushtet materiale që bile një herë në vit të ketë mundësi të kryer haxhin, e të mos mbetet me merak që nuk ka mund të shkojë për shkak të numrit të kufizuar të haxhinjëve që kryejnë haxhin? Ka mundësi, por duhet ndërruar qasjen e kryerjes së haxhit nga ditët e caktuara, në muajt e caktuar të haxhit sipas porosisë kur’anore.  Ashtu që me këtë qasje të zbatimit të haxhit,  prej përqindjes  të tanishme 0,1 % të myslimanëve në botë  që kryejnë  haxhin,  ku numër  mund të ritet  në 1% të myslimanëve në botë që do të kryenin haxhin çdo vit, që do të thotë se rreth 15 milion mysliman në botë do të mund të kryenin haxhin. Në Kur’an,  në suren(kaptinën) Bekare, në ajetin 197 shkruan: ”Haxhi është në muajt e caktuar…”. Nga kjo nënkuptohet se haxhi mund të realizohet brenda muajve të caktuar të vitit, e këto muajt janë Shevali, Dhulkade dhe 10 ditët e Dhylhixhës. Gjatë kësaj kohe janë 10 javë apo 70 ditët gjatë të cilëve mund të kryhet haxhi. Gjatë kohës së  Muhamedit a.s . haxhi është kryer  në ditët e caktuara, dhe atë një ditë para dhe gjatë katër ditëve të Kurban Bajramit, pasi që fluksi i haxhinjëve në fillim të shpalljes së Islamit ishte  i vogël në krahasim me kohën e tanishme, ashtu që e kanë kryer haxhin rreth 10.000 haxhinjë. Por tani, në kohën në të cilin jetojmë, numri i myslimanëve në botë është mbi 1,5 miliard mysliman, dhe kërkesat për kryerjen e haxhit janë gjithnjë më  të mëdha, ashtu që haxhi pa kurrfarë problemi do të mund  kryhej duke filluar prej javës së parë të muajit Sheval dhe të përfundojë në dhjetë ditët e muajit Dhylhixhe, ashtu që për çdo javë mesatarisht do të mund të kryenin haxhin nga 1, 5 milion haxhinjë, që do të thotë se  gjatë 10 javëve do të mund të kryenin haxhin 15 milion mysliman .  Fluksi prej 1,5 milion haxhinjëve gjatë një jave që do të kryenin haxhin( pasi që brenda 1 jave myslimanët lirisht mund të kryejnë të gjitha ritualet e parapara të haxhit në Meke), ndërsa në Medine mund të qëndrojnë sa të duan, pasi që nuk është e caktuar kohëzgjatja e qëndrimit. Kryerja e haxhit nga 1,5 milion në javë do të ishte  më e përballueshme për  organizatorin , Ministrisë së haxhit dhe umresë të Arabisë Saudite, për dallim nga 2, 5 milion haxhinjë  që sivjet e kanë kryer haxhin.

Por për të nisur realizimi i kësaj ideje do të duhej të ndryshojë këndvështrimi aktual i ylemave në botën islame lidhur mbi kryerjen e haxhit në ditët e caktuar, me kryerjen e haxhit në muajt e caktuar( Sheval, Dhylkade dhe Dhylhixe, muajtë e kalendarit hixhri)  në pajtim me Kur’anin.  Edhe pse e di që kjo mund  të has në kundërshtim nga ana e fakihëve(juristëve) islam duke pasur parasysh në ngurtësinë e mendimeve, dhe vështirë  mund të ndryshojnë mendimet dhe pikëpamjet e tyre konform kohës dhe rrethanave aktuale. Por nevojat e besimtarëve mysliman janë të shumtë, të cilët për shkak kuotës së kufizuar të myslimanëve, mbesin pa e kryer haxhin përkundër asaj që i kanë mundësit materiale për këtë ibadet. Por ia vlen të provohet, pasi që tjetër alternativë  nuk ka, pasi që në vend të 2,5 milion haxhinjëve që tani kryejnë haxhin në vit, do mund të kryejnë 15 milion haxhinjë në vit.

Nga kjo, më së shumti  që do të mund të përfitojë vetë Arabia Saudite si nikoqire dhe menaxhere e dy haremeve, të Mekës dhe Medinës, sepse do të mund të fitojë të ardhura më të mëdha  nga haxhi, nga haxhinjtë të cilët  do të mund të kryenin haxhin gjatë tre muajve të caktuar të haxhit(Sheval, Dhylkade dhe Dhylhixhe), ashtu sikurse shkruan në Kur’anin Famëlartë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne