Udhëtimi me autobusë, merret vendim i rëndësishëm nga qeveria

Qeveria ka miratuar ditën e enjte krijimin e një task-force për përmirësimin e nivelit të kontrollit të mjeteve motorike dhe rimorkiove të tyre.

Task-forca e përbërë nga 40 punonjs të specializuar do të jetë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe do të ketë në fokus mjetet që përdoren për transport mallrash apo pasagjerësh, si dhe njësitë e autoriparimit, shitjes apo depozitimit të mjeteve motorike.

Vendimi i qeverisë i jep të drejtës kësaj njësie të kryejë kontrolle të mjeteve në vende të veçanta, si dhe të kryejë kontrolle në terren pranë të gjitha serviseve, ofiçinave, terminaleve të autobusëve, si dhe vendeve të depozitimit të ngarkesave e mallrave.

Periudha e veprimit të kësaj Task-Force do të jetë deri më 31 Dhjetor 2019.

Ajo do të identifikojë dhe ndalojë përdorimin e kundërligjshëm në transportin rrugor të pasagjerëve dhe mallrave, të mjeteve që nuk plotësojnë kriteret teknike dhe ligjore. Në mbështetje të saj gjatë kontrolleve në terren do të jenë edhe strukturat e Policisë Rrugore.

Burimi: Gazeta Express

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne