Bota

Ukraina po bëhet gati për një luftë të re

Më poshtë reagimi i Ministrisë së Jashtme të Rusisë lidhur me dekretimin nga Presidenti i Ukrainës Poroshenko të ligjit për të ashtuquajturin “riintegrim të Donbasit”.

“Më 24 shkurt 2018 hyri në fuqi një ligj skandaloz për të ashtuquajturin “riintegrim të Donbasit”. Kësisoj, Kievi e ka konfirmuar përfundimisht synimin e tij për të zgjidhur me forcë konfliktin në jug-lindje të Ukrainës.

Me dekretimin e këtij ligji, Pjotr Poroshenko faktikisht i vuri vizën Marrëveshjeve të Minskut, duke i zgjidhur duart “partisë së luftës”. Nuk bëhet fjalë as për ndonjë dialog të drejtpërdrejtë me autoritetet e republikave të panjohura, as për deeskalim të konfrontimit dhe as për gjetjen e rrugëve për një zgjidhje paqësore. Përkundrazi, dokumenti krijon kushte për pushtimin e dhunshëm të territoreve të pakontrolluara nga Kievi në rajonet e Donjeckut dhe Luganskut, si edhe legjitimon përdorimin e ushtrisë ukrainase kundër popullsisë civile.

Mbetej një shpresë, edhe pse e brishtë, se Presidenti Poroshenko, i cili tre vite më parë edhe vetë mori pjesë në hartimin e Marrëveshjeve të Minskut dhe pas asaj daklaronte vazhdimisht për përkushtimin e tij ndaj dakordësive të arritura, prapëseprapë do ta mblidhte mendjen. Por mrekullia nuk ndodhi. Me një të rënë të lapsit Presidenti i Ukrainës në fakt firmosi dënimin e “Kompleksit të Masave” të Minskut.

Duhet vënë re gjithashtu që hyrja në fuqi e ligjit në fjalë përkoi me përvjetorin e radhës të grushtit të shtetit të kryer nga nacionalistët ukrainas në shkurt 2014. Konkluzionet vijnë vetiu: regjimi aktual në Kiev, pasi erdhi në pushtet përmes një puçi të armatosur, nuk njeh asnjë rrugë tjetër përveç dhunës.

Zbatimi në praktikë i këtij ligji përbën rrezikun e një përshkallëzimi serioz të situatës në jug-lindje të Ukrainës. Shpresojmë që kujdestarët e saj perëndimorë e kanë të qartë këtë gjë dhe do të arrijnë të ushtrojnë të gjithë ndikimin e tyre tek Kievi për të parandaluar implementimin e një skenari vdekjeprurës për shtetin ukrainas dhe të mbarsur me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin dhe sigurinë evropiane”.