Opinion

Ulematë shqiptarë në organizatën Nacional Demokratike Shqiptare

Pas vuajtjes së dënimit, mulla Hajdari, së bashku me Shaban Efendinë, mulla Garipin dhe hafiz Abdulla Abdullaun, iu kundërvunë fuqishëm projektit pansllavist të klikës komuniste jugosllav-maqedonase, i cili parashihte dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga trojet e tyre për në Turqi

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Organizata Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH), e themeluar në Shkup gjatë muajve janar-shkurt 1945, e cila nga komunistët e atëhershëm jugosllavë-shqiptarë, përkatësisht titistë-hoxhistë, etiketohej si organizatë “pro-fashiste”, në programin dhe platformën e saj politike pati “çlirimin e tokave të robëruara shqiptare nga pushtuesit komunist jugosllavë”, “rrënimin e regjimit komunist në Shqipëri” dhe krijimin e një “Shqipërie të bashkuar me orientim demokratik pro-perëndimor”, përkatësisht anglo-amerikan. Bartës të kësaj organizate puro-shqiptare e antikomuniste ishin intelektualët e kohës, pjesa dërmuese e tyre mësues dhe hoxhallarë të njohur shqiptarë. Nisur nga fakti se deri më tash nuk është shkruar në mënyrë të mjaftueshme për rolin e ulemave shqiptarë në NDSH, e pamë të arsyeshme që në këtë artikull të bëjmë një përshkrim të shkurtër e kronologjik të veprimtarisë politike e organizative të dy figurave të shquara të kësaj organizate, dy ulemave të njohur të këtyre trevave: hafiz Mexhit Zyberi dhe mulla Hajdar Kurtishi. Siç do të shohim në vazhdim, tërë punimi mbështetet në burimet arkivore, të dala nga procesi i hetuesisë dhe ai gjyqësor kundër 19 anëtarëve të Komitetit Qendror të NDSH, i cili proces – siç dihet – u zhvillua më 26 janar – 7 shkurt 1947 në Shkup.

Hafiz Mexhit Zyberi

Hafiz Mexhit Zyberi lindi në vitin 1924. Rrjedh nga një familje atdhetare shqiptare e fshatit Tanishec të Shkupit. Babai i tij, haxhi Hakia, ishte ushtar i forcave kreshnike të Lidhjes II të Prizrenit. Në mungesë të shkollave shqipe, djalin e tij, Mexhitin, e regjistroi në medresenë ATIK në Gjilan, që e mbante myderrizi i njohur dhe atdhetari i shquar shqiptar, Haki efendi Sërmaxha. Në mbarim të LDB-së, Mexhit Zyberi kthehet në Shkup (nga Gjilani) dhe një periudhë punoi në dyqanin e babait, që ndodhej në afërsi të xhamisë së Jahja Pashës, përballë rrojtores së Qemal Skënderit. Në organizatën Nacional Demokratike Shqiptare u anëtarësua në pranverë të vitit 1945, pas një takimi që ai dhe Q. Skënderi e patën me Hasan Bilallin. Falë aktivitetit të tij, së shpejti organizatës iu bashkëngjitën edhe një numër i konsiderueshëm i anëtarëve, si: Mulla Mustafa, Muharrem Bakalli, Demir Shabani, Shefqet Arnaqia, mulla Garip Beadini nga Grupçini, hafiz. Abdulla Abdullau nga Zhelina etj. Së bashku me Qemal Skënderin dhe Hasan Bilallin ai mori pjesë edhe në Kongresin I(III) të NDSH-së, i cili u mbajt më 15-16 korrik të vitit 1945 në shtëpinë e Zylbehar Ajvazit në Tanushë të Shkupit, në të cilin morën pjesë figura të shquara të nacionalizmës shqiptare, si: Hysen Tërpeza, Adem Gllavica, Luan Gashi, prof. Ibrahim Kelmendi, Tefik Tanisheci, Hysan Kabashi – Vitia, Din Hoxha – Kaçaniku, Qazim Sefë – Llugaxhija, Qazim Sopa – Zekbasha, Hajriz Kajolli e shumë të tjerë.

Aktiviteti politik i Hafiz Mexhit Zyberit u dallua edhe gjatë vitit 1946. Edhe pse nuk mori pjesë në kongresin II (IV) të organizatës, i cili siç dihet u mbajt më 1 qershor 1946 në Shkup, ai së bashku me Azem Maranën, Qemal Skënderin, Hysni Rudin dhe Hasan Bilallin mori pjesë në të gjitha mbledhjet parapërgatitore të kongresit. Njëkohësisht, gjatë muajit prill të atij viti zgjidhet kryetar i komitetit rajonal të NDSH-së për Karadak të Shkupit, si dhe përgjegjës, përkatësisht si lidhja kryesore dhe e vetme e udhëheqjes qendrore me komitetin rajonal të NDSH-së në Orizare të Kumanovës, me atë të Preshevës dhe të Tërnocit. Përmes mulla Garim Beadinit dhe hafiz Abdulla Abdullaut, e formoi komitetin e NDSH-së për rajonin e Zhelinës, i cili më pas vendosi lidhje të drejtpërdrejtë me çetën e Arif Dragomancit, i njohur në popull si Arif Kapiteni. Në fillim të muajit korrik 1946, së bashku me Azem Maranën dhe Osman Camin, mori pjesë në formimin e komitetit rajonal të Strugës. Si i tillë, në procesin gjyqësor të mbajtur në Shkup më 26 janar – 7 shkurt 1947, ai u dënua me 10 vjet burg të rëndë. Pas vuajtjes së dënimit, Zyberi, për shkak se përndiqej nga sigurimi i atëhershëm shtetëror (UDB), në vitin 1958 u detyrua ta braktisë vendlindjen e tij për t’u shpërngulur në Turqi.

Në vizitë te Hafiz Mexhit Zyberi – Stamboll, dhjetor 2002

Duhet të vëmë në dukje faktin se në aktakuzën e prokurorit publik të RP të Maqedonisë, Nikolla Vrazhallski, Mexhit Zyberi ishte si i akuzuari i tretë, menjëherë pas Qemal Skënderit dhe Azem Maranës, i cili akuzohej për vepra si më poshtë:

“- Menjëherë pas çlirimit, duke qenë në detyrë të KV popullor në fshatin Tanishec, ka mbajtur lidhje me çetat balliste të Hasan Kabashit, Hajri Saqipit etj., për çka e ka njoftuar Qemal Skënderin, me të cilin bashkërisht është futur në organizatë me sugjerimin e Hasan Bilallit, para të cilit e ka bërë betimin.

– Më vonë, me urdhër të organizatës, bashkë me të akuzuarin Qemal Skënderi, mori pjesë në mbledhjen e mbajtur në Tanishec, që është quajtur Kongres I(III) i organizatës, me përfaqësuesit e çetave balliste të Sulë Hotlës, Hysen Tërpezës etj., ku i ka dhënë konkluzionet e paraqitura në pikën 1.

– Në bashkëpunim me të akuzuarin e parë (Qemal Skënderin – Q.L.) ka krijuar komitetet e organizatës në fshatrat Bojanë dhe Brezë. Me punën e drejtpërdrejtë udhëhoqi dhe anëtarësoi në organizatë: Hafiz Shabanin, Hafiz Shukrinë, Hafiz Fejzullahun, Qemal Muslinë e Saraçin, nga të cilët mblodhi ndihma financiare për nevojat e organizatës.

– Me urdhër të të arratisurit Hasan Bilalli, e shumëfishoi dhe shpërndau skemën e organizatës, tekstin e betimit dhe metodën e punës së organizatës, metodë e cila është përpiluar nga i akuzuari Mehmet Bushi;

– Gjatë gjithë kohës, deri në zbulimin e organizatës, ka mbajtur lidhje mes organizatës dhe çetave balliste në terren, në të cilat ka dërguar njerëz, armatim dhe mjete të tjera të nevojshme, si dhe ka raportuar për zhvillimet e aksioneve të çetave balliste të Sulë Hotlës, Hysen Tërpezës, Mefail Zajazit e Ramës nga Gjilani.

– Bashkë me Hasan Bilallin dhe të akuzuarin Azem Marana etj., ka punuar për përgatitjen dhe thirrjen e Kongresit II(IV) të organizatës në Shkup, ku është zgjedhur anëtar i Komitetit Qendror të organizatës, duke e kryer detyrën si ballist”.

Ndërkohë, Qemal Skënderi, gjatë procesit gjyqësor, aktivitetin e tij e të Hafiz Mexhit Zyberit e përshkruan në këtë mënyrë:

“Panta Marina: Ju thatë se pasi jeni kthyer nga Tetova, jeni vendosur me banim në Shkup. A hapët punëtori?

Qemal Skënderi: Po! E hapa dhe fillova të punoj. Asaj kohe ballistët ende ishin kundër LNÇ-së. E dinim se pushtetin do ta merrte ndonjë parti tjetër.

Kryetari Marina: Këtë e keni ditur që në ditët e para. Me kë keni biseduar?

Qemal Skënderi: Kemi biseduar me Hasan Bilallin.

Kryetari Marina: Prej kur njiheni me Hasan Bilallin?

Qemal Skënderi: Me të njihem nga muaji qershor ose korrik i vitit 1945.

Kryetari Marina: A mund t’ia sqaroni Gjykatës se çfarë u ka shtyrë që për këtë të bisedoni që në ditët e para?

Skënderi: Shkaku ka qenë në atë se ajo frymë qe mbjellë që në kohën e ballistëve, që ne të jemi kundër regjimit të tanishëm, të organizohemi e ta rrënojmë.

Marina: Mirë, ju atëherë a e përcillnit situatën politike?

Skënderi: Deri diku. Gjithashtu e kemi përcjell edhe situatën në Evropë dhe në botën mbarë, se detyrimisht do të vijë deri te një luftë e re dhe se ne duhet të jemi të përgatitur.

Marina: A keni biseduar ju për këto çështje vetëm me Mexhit Haki Zyberin apo ka qenë edhe dikush tjetër?

Skënderi: Për këto çështje kam biseduar me Mexhit Haki Zyberin dhe ishte edhe një tjetër, Mehmet Hoxha.

Marina: A keni dëgjuar radio?

Skënderi: Po kemi dëgjuar radio dhe kemi lexuar gazeta dhe kemi vërejtur se nuk mund të dakordohen për Triestën dhe Greqinë. E kemi parë se në Greqi në pushtet janë monarko-fashistët e vjetër dhe se do të vijë ditë që edhe këtu do të organizohet një pushtet i tillë. Për këtë vazhdimisht kemi biseduar me Mexhit Haki Zyberin.

Marina: Çfarë ishte ajo që u dha shkas?

Skënderi: Situata në Greqi… në pushtet ishin monarkistët. Pastaj situata në Itali.

Marina: Flisni lirshëm. Unë u kam thënë se para gjyqit të popullit thuhet vetëm e vërteta. Në atë mënyrë do të mund të vijmë deri te e vërteta e materializuar. Prandaj shprehuni lirshëm. Tregoni çfarë dëgjonit, çfarë lajmesh, çfarë karakteri kishin ato biseda të juaja?

Skënderi: Ne e kemi parë se pushteti i tanishëm në Jugosllavi nuk do të mund të qëndrojë dhe për këtë arsye ne duhet të jemi të përgatitur.

Marina: Përse nuk mund të qëndrojë?

Skënderi: Për arsye se në pushtet ishin socialistët dhe demokratët perëndimorë… nuk do të kenë llogari që ata të ngelin në pushtet.

Marina: Çfarë nënkuptoni nën demokraci perëndimore?

Skënderi: Anglia dhe Amerika nuk janë të kënaqura me zhvillimin e tanishëm në Jugosllavi, e gjithashtu edhe në Shqipëri.

Marina: Pra, ajo ka qenë arsyeja kryesore që ju ka orientuar në ato bisedime. Mirëpo, a keni ngelë vetëm në atë?

Skënderi: Ne filluam të punojmë. Zyberi ishte në Tanishec dhe te sekretari i këshillit qe mbajtur një mbledhje me Kajollin dhe Hasan Kabashin.

Marina: Kush ishin ata?

Skënderi: Ata ishin udhëheqës të çetave balliste nëpër male. Ata i kanë thënë Zyberit se ne duhet të organizohemi, ashtu siç kanë filluar të organizohen në Kosovë. Zyberi erdhi te unë dhe më tha se në mal ka shumë njerëz të cilët dëshirojnë ta rrënojnë pushtetin e tanishëm. E pyeta se me ndihmën e kujt. Ai më tha se me ndihmën e anglezëve.

Marina: A e ka thënë këtë Mexhit Zyberi?

Skënderi: Po. Pas një kohe të caktuar njerëzit na ftuan në mbledhje në Tanishec. Ne para Hasan Bilallit e dhamë betimin se do të organizohemi.

Marina: Pritni! Këtë sqarojani Gjykatës, kur jeni njoftuar me Hasan Bilallin? Si erdhi deri te betimi?

Skënderi: Pasi Zyberi u kthye nga fshati Tanishec në Shkup, ku qe mbajtur mbledhja me Hajriz Kajollin dhe me Kabashin, ne filluam të bisedojmë mes vete se si të organizohemi. Unë i thash se vet ne nuk mund të organizohemi, për arsye se nuk e dimë saktësisht situatën politike dhe se për këtë çështje duhet të lidhemi me ndonjë mësues nëpër shkolla, i cili do të na udhëzonte se si do të duhej të organizoheshim. Pas dy tre ditëve unë e ftova Hasan Bilallin në shtëpinë time, si edhe Zyberin. Mbajtëm një mbledhje dhe i treguam Hasanit se si në Kosovë ka çeta të ndryshme dhe se si ne duhet të lidhemi me ta. Me këtë u dakordua edhe Hasani dhe shtoi se ne jemi të organizuar më herët nga Mahmut Dumani.

Marina: Në cilin muaj ka qenë kjo?

Skënderi: Mendoj se ka qenë në muajin qershor ose korrik 1945. Pas një kohe të shkurtër Hysen Tërpeza na dërgoi një letër, se duhej të shkojmë në mbledhje te ai. Atë kohë ai ka qenë komandant i përgjithshëm i çetave të armatosura. Unë dhe Mexhiti e ftuam sërish Hasan Bilallin dhe ia lexuam letrën. Ne e ftuam Hasanin që edhe ai të marrë pjesë në mbledhjen e Tanishecit. Ai ishte i mendimit se më mirë të organizohemi përmes Rexhep Dautit, i cili ishte komandant i policisë dhe se përmes tij do të mund të mbanim më lehtë lidhje me çetat balliste. Pas disa ditëve, unë dhe Mexhiti filluam të bisedonim me Rexhep Dautin se si është situata politike këtu te ne dhe në vendet tjera, duke i propozuar që edhe ai të anëtarësohet në organizatën tonë. Hasani kishte për qëllim që ai ta fitojë besimin tonë dhe pas disa ditëve Rexhep Dauti e dha betimin para nesh.

Marina: I akuzuari Qemal, sqarojani Gjykatës se si erdhi deri te betimi?

Skënderi: Betimi u dha në shtëpinë time. Ishim unë dhe Mexhit Zyberi. Betimi u bë me qëllim që ne do të jemi të sigurt në planet tona, se nuk do ta tradhtojmë organizatën dhe se do të punojmë me tërë potencialin tonë mendor e fizik për të qenë të sigurt. Betimin e kemi dhënë para Hasan Bilallit. Jemi betuar se nuk do ta tradhtojmë organizatën. Mua më kujtohen disa fjalë “e nëse e tradhtojmë, atëherë fisheku në kokën e atij i cili do ta tradhtonte. Pas kësaj jemi shpërndarë….”.

Mulla Hajdar Kurtish Jashari

Hajdar Kurtish Jashari ose, siç njihet në opinionin e gjerë shqiptar, Mulla Hajdari, lindi në vitin 1909 në fshatin Orizare të fushëgropës së Kumanovës. Ai, krahas Shaban Efendisë, hoxhë Azem Latifit dhe Abdulla Ebibit, përkatësisht Mulla Dullës së Hotlës, konsiderohet ndër ulematë më të shquar të kësaj treve shqiptare dhe jo vetëm. Pikërisht me nismën e Mulla Hajdarit, Shaban Efendisë, Azem Hoxhës dhe Hafiz Jasharit në vitin 1942 u ndërmor iniciativa për hapjen e shkollave shqipe në regjionin e gjerë të Karadakut. Iniciativës i bashkëngjitet edhe Muhamed Ali Hoxha (me origjinë nga Elbasani, por pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, për shkaqe politike, vendose në fshatrat e Sharrit). Pas pushtimit të Jugosllavisë së Versajës, me ndihmën e konsullit shqiptar në Sofje, Atlas Koçit, ai emërohet Imam dhe hatib (ligjërues) në f. Orizare të Kumanovës. Edhe pse ishte me profesion hoxhë, misioni i tij në Karadakun e Kumanovës ishte mbi të gjitha kombëtare. Në Orizare ai miqësohet me Mulla Hajdarin dhe, nëpërmjet tij, edhe me Shaban Efendiun dhe me figurat e tjera atdhetare të regjionit të gjerë të fushëgropës së Kumanovës, Preshevës, Anamoravës e të Karadakut). Ky i fundit, bashkë me Mulla Hajdarin, udhëtojnë për Sofje, ku takohen me sekretarin e ambasadës italiane, Atlas Koçin, të cilin Muhamed Aliu e kishte mik të ngushtë. Gjatë bisedës së zhvilluar, veç tjerash, ata nga Koçi marrin një sërë materialesh dhe pajisjesh mësimore, përfshirë këtu edhe historinë e shqiptarëve, të botuar në vitin 1937 në Tiranë. Menjëherë posa u kthyen nga Sofja, së bashku me Shaban Efendiun, Hafëz Jasharin, Azem Hoxhën etj., ndërmorën një aktivitet të dendur nëpër fshatrat shqiptare, jo vetëm të Kumanovës, por edhe nëpër fshatrat e Shkupit dhe të Preshevës.

Iniciativa që u ndërmor nga ulematë e shquar shqiptarë, të cilët asaj kohe ishin edhe udhëheqës të Lëvizjes për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar, së shpejti hetohet nga organet policore-ushtarake bullgare, të cilat ndërmorën masa të rrepta kundër funksionimit të tyre. Ata hap pas hapi e ndjekin aktivitetin e tyre, ndërsa sidomos në shënjestër do të jetë Muhamed Ali Hoxha. Informatën se policia bullgare planifikon ta arrestojë Muhamed Ali Hoxhën, nëpërmjet një korrieri, Said Hoxha e dërgoi deri te Shaban Efendiu. Ky i fundit i shkruante Mulla Hajdarit që “Muhamed Hoxha të largohet” urgjentisht nga fshati Orizare, sepse “është i spiunuar”. Rrjedhimisht, Mulla Hajdari, bashkë me disa shokë të tij, e përcjellin Muhamed Ali Hoxhën në Preshevë, andaj policia bullgare nuk arriti ta arrestojë atë. Rreth kësaj iniciative veprimtari i njohur i NDSH-së, Mulla Hajdari, në deklaratën e tij dhënë para organeve të hetuesisë, më 3 maj 1946, deklaron: “Gjatë periudhës bullgare unë (Mulla Hajdari – Q.L.), Shaban Efendiu, Azem Efendiu, Hafëz Jashari tentuam të hapim shkolla në gjuhën shqipe.., mirëpo kjo iniciativë dështoi, për shkak se disa elemente tradhtare, të cilët bashkëpunonin ngushtë me policinë bullgare, dolën me parulla, që drejtpërsëdrejti na akuzonin neve se dëshirojmë të hapin shkolla, të cilat do të punojnë kundër pushtetit. Sipas parullave të tyre, që publikisht u plasuan në masën e gjerë shqiptare, popullata myslimane duhet të mësojë vetëm në aso shkollash që nuk do të jenë kundër pushtetit..”.

Me tërheqjen e forcave pushtuese bullgare, siç dihet, me nismën e Sul Hotlës më 9 shtator 1944 në fshatin Mateç u mbajt një tubim madhështor, me ç’rast fushëgropa e Kumanovës dhe malësia e Karadakut iu bashkuan Shqipërisë. Rol të rëndësishëm në këtë vendim, krahas Sulë Hotlës, gjithsesi se patën ulematë e asaj ane, në mesin e tyre edhe Mulla Hajdari, i cili qe zgjedhur komisar politik i Forcave Kreshnike Shqiptare të Nënprefekturës së Mateçit. Ndërkohë, në tetor të vitit 1945 në Orizare u formua Komiteti i NDSH-së për regjionin e Kumanovës, ndërsa për kryetar të komitetit, me propozim të Sulë Hotlës, i cili mori pjesë në atë mbledhje, u zgjodh Mulla Hajdari. Krahas tij, në kryesi të Komitetit u zgjodhën edhe këta personalitete: Hafiz Sali Ahmeti dhe Mulla Selveri – nënkryetarë, Sami Shabedini – sekretar, Ali Aliu – arkëtar, ndërsa Zija Shabedini dhe Çelebi Sulejmani – anë­tarë të Komitetit.

Mulla Hajdari, kryetari i Komitetit të NDSH-së në Orizare

 

Menjëherë pas formimit të Komitetit Regjional u formuan edhe nën­komitetet në të gjitha vendbanimet shqiptare të trevës së Kuma­novës, si: Sllupçan, Orizare, Likovë, Mateç, Hotël, Vishticë, Naku­shtak, Grushinë, Vaksincë, Llojan, etj… Në themelimin e nënkomite­tit të NDSH-së në Llojan Mulla Hajdari mbajti një ligjëratë politike, ku veç tjerash theksoi: “Punët do të përzihen, disa do të votojnë për kralin e disa për Titon, dhe kështu do të shpërthejë revolucioni. Për atë arsye ne nuk duhet të vrapojmë t’i marrim vendet tona, sepse pas zgjedhjeve do të vijë armatimi nga An­glia. Pra, ju duhet t’i thoni popullit që mos të dalë në votim për ta votuar Titon..”. Vendimi për bojkotimin e zgjedhjeve të organizuara nga pushteti komunist maqedonas në nëntor të vitit 1945 u soll në mbledhjen konstituive të Komitetit, që me Mulla Hajdarin në krye e mori obli­gim ta propagandojë në masën e gjerë të atij rajoni shqiptar.

Burimet e dokumentuara flasin se Komiteti i NDSH-së në Oriza­re ishte shumë aktiv, si në afirmimin dhe zgjerimin e organizatës, ashtu edhe në vendosmërinë e realizimit të programit të saj. Udhë­heqja e tij, për një kohë të shkurtër, ia doli të krijojë një rrjet të gjerë, saqë ky komitet do të jetë lidhja kryesore midis Komitetit Qendror me komitetet regjionale që vepronin në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës, si dhe me krahun ushtarak të organizatës që i printe Sulë Hotla.

Në procesin gjyqësor të përmendur më lart, Mulla Hajdari, si i akuzuari i tetë, u dënua me 12 vjet burg të rëndë, për shkaqet si më poshtë:

“Menjëherë pas çlirimit, qëndroi për një kohë të caktuar si pjesëtar i çetës balliste të Sulë Hotlës, ndërsa pas kthimit në fshatin Orizare po me këtë çetë mban lidhje të përhershme. Ka ndihmuar me ushqime dhe mjete tjera të nevojshme dhe si hoxhë ka pasur ndikim te popullata e atij rrethi që ta përkrahte dhe ta ndihmonte çetën në punën e saj antipopullore dhe antishtetërore. U zgjodh kryetar i komitetit të organizatës në fshatin Orizare, i cili është formuar nga çeta e Sulë Hotlës në vjeshtën e vitit 1945. Ka qenë i lidhur me KQ të organizatës në Shkup dhe me Hasan Bilallin, Qemal Iskënderin dhe Mexhit Zyberin, nga të cilët ka marrë vazhdimisht udhëzime dhe detyra për mbajtjen e lidhjeve me çetën dhe për zgjerimin e organizatës, të cilat i zbatonte rregullisht”.

Pas vuajtjes së dënimit, Mulla Hajdari, së bashku me Shaban Efendinë, Mulla Garipin dhe Hafiz Abdulla Abdullaun, iu kundërvunë fuqishëm projektit pansllavist të klikës komuniste jugosllavo-maqedonase, që parashihte dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga trojet e tyre për në Turqi.

Lidhur me këtë Sekretariati Republikan i Punëve të Brendshme të RS të Maqedonisë, më 23 shtator të vitit 1963, i shkruante një letër sektorit policor të Kumanovës, përmbajtja e së cilës është si më poshtë:

“Nëpërmjet kontrollit të udhëtimeve morëm të dhëna se gjoja në territorin e RSM-së ekziston një grup i cili vepron në mënyrë të organizuar në linjën shqiptaromadhe dhe se i njëjti ka lidhje me organizatën shqiptaromadhe në Brusë – Turqi, ndërsa në mesin e të cilëve përmenden edhe persona nga territori i juaj, siç janë: Hajdar efendiu, me profesion hoxhë, i lindur në rrethinën e Kumanovës, i dënuar për veprimtari armiqësore, dhe Shaban Efendiu, hoxhë nga Kumanova, i dënuar për bashkëpunim me okupatorin, i cili gjatë kohës së okupacionit ka qenë kryetar i komunës ose gjyqit në Kumanovë. Me të dhëna tjera për ata  nuk disponojmë. Nënvizohet se personat e lartpërmendur kanë marrëdhënie të ngushta me Garip Beadinin, hoxhë nga Tetova, i dënuar për veprimtari armiqësore dhe se gjoja mbajnë lidhje me atë që personat e lartpërmendur vijnë në Tetovë dhe anasjelltas. Me qëllim të konstatimit se me të vërtetë bëhet fjalë për ndonjë grup, i cili vepron armiqësisht, ju lusim që për personat e lartpërmendur, brenda mundësive, të na ofroni të dhëna më të detajuara, edhe atë si për të kaluarën e tyre, ashtu edhe për qëndrimin e tanishëm…”.

Për rrjedhojë, sektori i policisë së Kumanovës, më 22 nëntor 1963, përmes një shkrese konfideciale e njoftonte SRPB-së me të dhënat e kërkuara për dy personalitetet e përmendura më lart, ku shprehimisht do të thuhej:

“1. Hajdar Kurtish Jashari, i lindur në vitin 1909 në fshatin Orizare, rrethina e Kumanovës, ka të kryer 8 vjet medrese, hoxhë me dekret në fshatin Llojan, rrethina e Kumanovës, i martuar me Rufaten, babë i tre fëmijëve, i dënuar me 12 vjet burgim si organizator i NDSH-së. Jeton me banim të përhershëm në fshatin Llojan (Orizare – Q.L.), rrethina e Kumanovës.

Gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër ka qenë nxënës dhe anëtar i partisë së Atulla Hoxhës. Gjatë kohës së okupacionit ka qenë anëtar i shtabit të Përgjithshëm të Sulë Hotlës, i cili ka luftuar për Shqipërinë e Madhe. Pas çlirimit ka qenë organizator i NDSH-së, për çka në vitin 1946 është arrestuar dhe dënuar me 12 vjet burgim. Është tepër i hollë, i gjindshëm dhe gëzon autoritet të lartë në mesin e popullatës shqiptare. Pas tërmetit shpesh shkon në udhëheqësinë fetare myslimane të RSM-së në Tetovë.

  1. Shaban Osman Jashari – i lindur në vitin 1900 në Kumanovë, ka të kryer shkollë të mesme, nëpunës në ndërmarrjen tregtare “Agrosnabditell” Kumanovë, shqiptar, shtetas i RSFJ-së, i martuar me Efa Sulejmani, babë i 7 fëmijëve, i dënuar me 6 vjet burgim si bashkëpunëtor i shërbimit informativ italian dhe si këshilltar i kriminelit të luftës Sulë Hotla, i cili luftonte për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Jeton në Kumanovë në rr. “11 Tetori” nr. 25. Gjatë kohës së Jugosllavisë së vjetër tre vjet ka qenë ndihmës-shef i policisë komunale në Kumanovë, ndërsa nga ajo detyrë vendoset si arkëtar i Këshillit të Vakëfit të Qarkut, në të cilën detyrë ka qenë deri në vitin 1929. Në vitet 1929-1932 ka qenë përkthyes i gjuhëve turqisht-serbisht dhe shqip-serbisht në Gjykatën e Qarkut në Shtip. Nga viti 1932 e deri te kapitullimi i Jugosllavisë së vjetër ka pasur më shumë vende udhëheqëse në Drejtorinë e Vakëfit në Shkup dhe, sipas nevojës, është dërguar me detyrë në Manastir, Nish, Kumanovë dhe vende të tjera. Gjatë kohës së okupacionit ka bërë organizimin e shqiptarëve më me ndikim nga Kumanova, Shkupi dhe Presheva, ka formuar delegacion i cili nëpërmjet Shuaip Kamberit në Tetovë, ka vendosur lidhje me qeverinë e atëhershme shqiptare dhe ka shkuar me mision në Tiranë, ku ka shprehur dëshirën se Shkupi, Kumanova dhe Presheva dëshirojnë t’i bashkëngjiten Shqipërisë ose territorit, i cili është nën okupimin e Italisë. Për këtë qëllim, si anëtar i atij delegacioni, ka biseduar me kryetarin e qeverisë shqiptare, ministrin e Punëve të Brendshme etj.. Në vitin 1944 i bashkëngjitet Sulë Hotlës, e këshillon që të tërhiqen në mal dhe të luftojnë për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Pas çlirimit, e zgjeron propagandën armiqësore, andaj më 14. XI. 1948 u arrestua dhe u dënua me 6 vjet burg të rëndë. Me 12.XI.1959 u bë përpjekje për ta angazhuar atë, por nuk u arrit. Është shumë i mençur, i kujdesshëm dhe deri tash shumë pak kemi vërejtur paraqitje për të.

Sa i përket asaj se ekziston grupi i cili vepron në mënyrë të organizuar në linjën shqiptaromadhe, deri tash të tillë nga ana e jonë nuk është vërejtur në territorin tonë, edhe pse për ekzistimin e aso dërgesave anonime nga dërguesi i panjohur nga Bursa – Turqi kemi të dhëna të verifikuara se ekziston shoqëria shqiptaro-turke në Stamboll dhe Bursë – Turqi. Prandaj, ju lutemi që, nëse keni material për ekzistimin e grupit i cili vepron në mënyrë irredentiste, në të cilin përmenden edhe personat e lartshënuar, na i dërgoni që të mund t’i marrim në përpunim.”, thuhet në shkresën e policisë së Kumanovës, kushtuar këtyre dy figurave të shquara kombëtare e fetare shqiptare./SHENJA

OPINIONE