Ulqin – Të dielën mbahen zgjedhjet për këshilltarët e Asamblesë Komunale

Ditën e diel në komunën e Ulqinit do të zhvillohen zgjedhjet për parlamentin lokal. Rreth 20.000 votues do të zgjedhin 33 këshilltarë, sa numëron kuvendi i komunës së Ulqinit. 8 parti dhe 2 koalicione kanë propozuar kandidatët e tyre për këshilltarë. Këto janë zgjedhjet e nënta me radhë që nga vendosja e pluralizmit në Mal të Zi. Rëndomë pushtetin lokal në këtë qytet e kanë udhëhequr partitë shqiptare respektivisht koalicionet e tyre. Përndryshe për këto zgjedhje që organizohen për komunën më të madhe me shumicë shqiptarë në Mal të Zi kanë treguar interesim për ecurinë e tyre faktori ndërkombëtarë OSBE–ODHIR, zyra e Bashkimit Evropian (BE) e akredituar në Podgoricë si dhe përfaqësuese të Ambasadave të ndryshme në Mal të Zi. Ndërkaq Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, ka shpallur zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi më 15 Prill, ndërsa raundi i dytë do të mbahej pas dy javësh, nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i fiton më tepër se 50% të votave. Brajoviq ka kumtuar se për këtë ka njoftuar presidentin aktual Filip Vujanoviq dhe adresat relevante ndërkombëtare. Ai shprehu besimin se zgjedhjet presidenciale do të mbahen në një atmosferë pozitive, çka do të konfirmojë epitetin se Mali i Zi është lider i rajonit në integrimet evropiane. Deri tani asnjë parti apo grup politik nuk ka dalë me kandidat për zgjedhjet presidenciale, por pritet që kjo të ndodhë në javët e ardhshme. Kandidati për president i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) pritet të shpallet në fillim të muajit shkurt, kur është paralajmëruar shpallja e emrit edhe nga ana e Frontit Demokratik./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne