Ultimatumi i deputetëve turq: ekstremisti Gjergj Dedaj të shkarkohet deri në ora 16:00

Deputetë të Grupit parlamentar 6+ pas një takimi që e kanë mbajtur sot kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sot deri në orën 16:00 të shkarkohet zëvendësministri i Punëve të Jashtme Gjergj Dedaj.
Fikrim Damka nga Partia Demokratike Turke e Kosovës, ka thënë se janë takuar me kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin dhe me një këshilltar të presidentit Thaçi dhe aty e kanë bërë të ditur këtë qëndrim.

“Qëndrimet tona janë të qarta. Presim qe deri sot në ora 4 të shkarkohet Dedaj nga posti i zëvendësministrit të Jashtëm. Ne ende nuk e kemi marr asnjë vendim zyrtar që e ka marr kryeministri. Po presim vendimin. Ju kemi thënë që vendimin do ta presim deri në ora 4”, ka thënë deputeti.

Pjesëmarrjen në këtë takim për kallxo.com e ka konfirmuar edhe Albert Kinolli nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Lajmi.net ka tentuar të marrë një qëndrim nga Qeveria e Kosovës për këtë, por asnjë nga zyrtarët e saj nuk janë lajmëruar në telefon.

Kërkesa e komunitetit turk në Kosovë për shkarkimin e zëvendësministrit vjen pas deklaratës së Dedajt i cili përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se Turqia dhe Serbia po synojnë rikthimin e tyre strategjik në Kosovë përmes emisarëve të tyre.

Ndërsa Qeveria e Kosovës është distancuar nga deklarata e zëvendësministrit Dedaj.

“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh qëndrim se, deklarimet mediale që kanë përmbajtje gjuhën fyese ndaj Republikës së Turqisë, nga kushdo qofshin, janë të papranueshme dhe nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë Haradinaj, as kur ato thuhen nga ndonjë zyrtar i kësaj qeverie apo kushdo qoftë tjetër”, ka thënë ditë më parë kryeministri Haradinaj.

Ndaj Dedajt Prokuroria Themelore në Prizren, ka pranuar një kallëzim penal të bërë nga Ertan Simitçi, pjesëtar i komunitetit turk në Prizren./ lajmi.net

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne