Bota

UNESCO miraton rezolutën që e quan Jeruzalemin “të pushtuar” dhe “tërësisht palestinez”

Bordi ekzekutiv i Organizatës Edukative, Shkencore dhe Kulturore të OKB-së (UNESCO) miratoi të martën një rezolutë që e përshkruan Jeruzalemin si “të pushtuar”, duke sfiduar kështu sovranitetin e Izraelit mbi qytetin dhe duke thënë se ai është “tërësisht palestinez”.

UNESCO e miratoi rezolutën me 22 shtete anëtare që votuan në favor, 10 kundër dhe 23 abstenim.

Rezoluta pohon se qyteti i vjetër i Jeruzalemit është “krejtësisht palestinez” dhe thekson trashëgiminë e tij historike “muslimane dhe të krishterë”.

Vendimi e përshkruan gjithashtu Izraelin si një “forcë pushtuese” që nuk ka sovranitet mbi qytetin.

Për më tepër, rezoluta pohon karakterin islamik të Xhamisë Ibrahimi në qytetin e Hebronit (Al Khalil) dhe të Varrit të Rakelës në qytetine  Bethlehemit.

Më herët të martën, në pritje të miratimit të rezolutës, kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi: “Ne [Izraeli] nuk besojmë te UNESCO.”

“Nuk ka njerëz të tjerë në botë për të cilët Jeruzalemi është aq i shenjtë dhe i rëndësishëm sa për popullin hebre”, shtoi ai.

Izraeli e pushtoi Jeruzalemin Lindor gjatë Luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967. Në mënyrë të njëanshme ai aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, duke e cilësuar atë si kryeqytetin e tij “të përjetshëm dhe të pandarë”, në një lëvizje që kurrë nuk është njohur nga bashkësia ndërkombëtare. / © Gazeta Impakt

OPINIONE