Universiteti i Oxford arrin rezultate premtuese për vaksinën ndaj Covid-19, qeveria britanike siguron akses në 90 milionë doza

Një vaksinë kundër koronavirusit, e prodhuar nga Universiteti i Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar, ka dhënë rezultate premtuese.

Vaksina, e quajtur ChAdOx1 nCoV-19, ka prodhuar një reagim imunitar dhe deri në këto momente duket të jetë e sigurtë. Për gjetjen dhe prodhimin e kësaj vaksine po punohet me një shpejtësi të paprecedentë.

Testimet janë kryer tek 1,077 persona, të cilët prodhuan antitrupa, që luftojnë koronavirusin.

Vaksina është prodhuar nga një virus i modifikuar, që shkakton gripin e zakonshëm tek shimpanzetë.

Shkencëtarët transferuarn proteinën “spike” të koronavirusit, e cila pushton qelizat, tek vaksina që po prodhohet prej tyre.

Vaksina është e ngjashme me koronavirusin dhe sistemi imunitar mund të mësojë se si ta sulmojë atë.

Këto gjetje janë mjaft premtuese, por është ende herët për të dalë në konkluzionin, nëse kjo vaksinë do të jetë e mjaftueshme për t’u mbrojtur nga koronavirusi.

Qeveria britanike ka arritur të sigurojë akses të shpejtë, për rreth 90 milionë doza të vaksinës, sapo ajo të prodhohet, nga firmat farmaceutike. Gjithashtu Mbretëria e Bashkuar, ka siguruar nga firma AstraZeneca, akses në antitrupa që neutralizojnë Covid-19, për ata persona që nuk do të mund të marrin vaksinën.

Qytetarët britanikë janë inkurajuar të marrin pjesë në mënyrë vullnetare, në disa prej studimeve që po zhvillohen për gjetjen e vaksinës, me qëllim sigurimin e 500 mijë vullnetarëve deri në tetor të këtij viti.

/TPZ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne