Shqiperia

Urdhër i prerë: Të gjitha anijet e peshkimit të zhvendosen në portin e ri

Të gjitha anijet e peshkimit në Durrës duhet të zhvendosen në portin e ri të peshkimit. Kanë apo jo vend, urdhri është i prerë. Këtë deklaratë ka bërë ditën e martë drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit, Afrim Bakaj.

Bakaj nënvizoi se ka marrë urdhër nga Ministria e linjës që hapësira e portit të vjetër të peshkimit të lirohet në mënyrë urgjente dhe flota e anijeve të zhvendoset në portin e ri.

Midis drejtorit të portit dhe shefes së komisariatit të policisë së portit pati një debat përsa i përket hapësirave portuale për mjetet lundruese. Shefja e komisariatit të portit, Linda Nushi kërkoi që në funksion të turizmit të vendosej një kalatë për skafet, velierat dhe mjetet luksoze të turistëve, kërkesë e cila nuk gjeti apo mori ndonjë zgjidhje, sepse drejtori i APD-së tha që porti nuk do të bllokojë punën e tij për të pritur këto mjete.

Porti i ri i peshkimit nuk ka kapacitet për të pritur të gjithë flotën e peshkimit, por nuk ka as infrastrukturën e nevojshme për anijet. Deri tani aty janë zhvendosur rreth 40% e anijeve dhe porti nuk ka vend të lirë për të ankoruar të gjitha anijet.

Vendimi i zhvendosjes së anijeve të peshkimit nga porti i vjetër në të riun pritet të sjellë edhe reagim nga armatorët e anijeve të peshkimit, të cilët gjatë stinës së dimrit i kanë patur lidhur mjetet e tyre e tani në pranverë rinisin punën. Këto deklarata janë bërë në mbledhjen e komitetit të turizmit, ku drejtuesit e këtyre institucioneve janë pjesë.

OPINIONE