Ushtarë amerikanë, “mirëserdhët” në tokën e shenjtë!

Entuziazmi i Riadit për praninë e ushtrisë amerikane në tokën e Arabisë Saudite dëshmon për pamundësinë e mbretërisë për të mbrojtur veten, pavarësisht armëve më moderne në pronësi të saj, me vlerë qindra miliarda dollarë.

Në një artikull të nënshkruar nga Abdullah al-Otaibi të hënën (22 korrik), faqja e lajmeve Al-Arabiya njofton me fanfare të mëdha kthimin e ushtrisë amerikane pas 29 vjetësh në territoret e Arabisë Saudite me kërkesën e mbretit saudit. Për autorin, kjo është një çështje historike me rëndësi të madhe, duke argumentuar se paqëndrueshmëria politike dhe disekuilibret e mëdha në rajon për më shumë se dy dekada kanë çuar në një vendim të tillë. I shqetësuar për statusin e Arabisë Saudite në ndryshimin e balancës së pushtetit në rajon, Al-Otaibi foli për forcimin e rolit të Iranit dhe Turqisë, si dhe hyrjen e Rusisë në rajon.

Al-Otaibi ka pohuar se veprimet e Iranit në Gjirin Persik dhe Ngushticën e Hormuzit po forcojnë ndjeshëm shqetësimin pas shkatërrimit të dronëve të SHBA nga forcat hapësinore të Gardës revolucionare në hapësirën ajrore të Iranit, sekuestrimin e tankerëve britanikë për shkeljen e rregulloreve detare dhe rifillimin e pasurimit të uraniumit pas tërheqjes së Uashingtonit nga marrëveshja bërthamore. Sa i përket Iranit, autori saudit ka vënë në dukje gjithashtu ndikimin e Iranit në Irak, Siri dhe Jemen, duke cekur edhe ngritjen e Hezbollahut libanez në arenën politike të Libanit.

Al-Otaibi thekson se lëvizjet ushtarake, politike dhe strategjike të Turqisë gjithashtu kontribuojnë në prishjen e balancave të pushteteve në rajon duke akuzuar Ankaranë se ka shkelur sovranitetin e Sirisë dhe Irakut si pjesë e një politike ekspansioniste. Ai fajëson Ankaranë për largimin nga Shtetet e Bashkuara dhe për afrimin me Rusinë. Për autorin, hyrja e Rusisë në rajon dhe bazat e saj ushtarake në Siri nënkuptojnë nevojën për rishikimin e ekuacioneve politike dhe ushtarake në Lindjen e Mesme. Al-Otaibi shpreh kënaqësinë që Shtetet e Bashkuara do të zgjerojnë praninë e tyre në rajon për të kundërshtuar fuqinë e Iranit.

Megjithatë, entuziazmi i gazetarit saudit dëshmon paaftësinë e Arabisë Saudite për të mbrojtur veten pavarësisht blerjes së miliarda dollarëve armatime dhe për varësinë e këtij vendi nga një vend i huaj. Në të vërtetë, Uashingtoni kërkon të përhapë Iranofobinë midis vendeve të rajonit dhe të tensionojë situatën nëpërmjet aventurizmit të tij për t’i bindur aleatët e tij arabë që të rrisin blerjen e armëve “Made in USA”. Arabia Saudite tregoi dobësinë e saj të madhe në frontin ushtarak pas dështimeve të hidhura përballë lëvizjes Ansarallah të Jemenit, e cila arriti të përforcojë aftësitë e saj ushtarake pa ndihmën apo asistencën e asnjë vendi dhe më shumë se një herë, ka sulmuar objektet e naftës dhe aeroportet në Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Saherë që ndodh ndonjë incident në Gjirin Persik, vendet fanatike arabe thonë se janë gati të përkrahin Shtetet e Bashkuara pa marrë parasysh pasojat. Ndërkohë është e qartë se nëse konfrontimi më i vogël ndodh në Gjirin Persik, vendet arabe do të jenë të parat që do preken nga pasojat./pt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne