Bota

Ushtarët izraelitë përpiqen të marrin me forcë palestinezin e plagosur

Ushtarët izraelitë duke hyrë brenda ambulancës u përpoqën të marrin me forcë palestinezin, i cili ishte plagosur gjatë protestave kundër politikës së shkatërrimit të Tel Avivit dhe aktiviteteve të ndërtimit dhe zgjerimit të vendbanimeve hebreje në rajonin e Luginës së Jordanit që ndodhet në lindje të Bregut të pushtuar Perëndimor.

Incidenti në fjalë u xhirua nga kameramani i Anadolu Agency (AA), Hisham Abu Shaqrah, derisa ushtarët izraelitë po përpiqeshin me forcë ta marrin palestinezin e plagosur brenda ambulancës së Gjysmëhënës Palestineze.

Në pamjet e xhiruara nga Abu Shaqrah mund të shihet se si ushtarët izraelitë hapin dyert e ambulancës, duke e përpjekur që ta marrin me forcë të plagosurin, të cilin punonjësi i ndihmës së parë po e trajtonte.

Keqtrajtuan edhe punonjësin e ndihmës së parë

Ushtarët izraelitë keqtrajtuan edhe punonjësin e ndihmës së parë, përkundër të gjitha britmave të tij nuk ndalen së marruri të plagosurin.

Një punonjës i ndihmës së parë duke i mbyllur me shpejtësi dyert e ambulancës rreth së cilës ishin mbledhur ushtarët intensivisht, pasi i ka nxjerrë ushtarët bashkë me të plagosurin arriti të largohet nga vendi i incidentit.

Me thirrjen e grupeve palestineze dje në rajonin e Luginës së Jordanit ishte organizuar protestë kundër fshatit beduin të Hammisas së Epërme, fshat i cili i ishte nënshtruar më parë politikës shkatërruse të Izraelit.

Ushtarët izraelitë për të shpërndarë protestuesit përdorën gaz lotsjellës, plumba të vërtetë dhe plastike. Ushtarët izraelitë gjithashtu kishin intervenuar edhe fizikisht, ku tre protestues ishin plagosur me plumba plastike ndërsa shumë të tjerë ishin ndikuar nga gazi lotsjellës.

Forcat izraelite më 3 nëntor kryen bastisje në fshatin beduin Hammisa në pjesën lindore rurale të qytetit Tubas në Bregun Perëndimor, duke rrënuar 11 shtëpi të 23 familjeve për arsye se nuk posedonin licenca.

Sipas autoriteteve palestineze, administrata e Tel Avivit po përpiqet që të zhvendos palestinezët nga “Zona C” në Bregun e pushtuar Perëndimor, në kuadër të punimeve të ndërtimit të vendbanimeve hebreje dhe projektit të aneksimit.

Në kuadër të “Marrëveshjes së Dytë të Oslos” të nënshkruar në vitin 1995 mes Palestinës dhe qeverisë izraelite, Bregu Perëndimor ishte ndarë në zonat A, B dhe C.

Zona A, e cila përfshin 18 për qind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë, zona B, që përfshinte 21 për qind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës kurse në atë të sigurisë Izraelit, kurse zona C, që përfshin 61 për qind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit edhe në aspektin administrativ, edhe atë të sigurisë.

Burimet lokale theksojnë se vetëm vitin e kaluar forcat izraelite kishin rrënuar 521 shtëpi të palestinezëve në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor me arsyetim se janë pa licenca ose me arsyetimin se janë ndërtuar në zonën C./AA

OPINIONE