Ushtarët izraelitë rrënojnë shtëpitë e një palestinezi në Bregun Perëndimor

Ushtarët izraelitë kanë rrënuar dy shtëpi të një palestinezi në Bregun Perëndimor të pushtuar me pretekstin se objektet janë ndërtuar pa leje.

Sipas dëshmitarëve okularë, forcat izraelitë kanë rrënuar shtëpitë e palestinezit Mahmud Abdulxhabar në fshatin Shakba pranë qytetit të Ramallahut.

Para shkatërrimit, ushtarët izraelitë rrethuan zonën me kordon të sigurisë dhe nuk lejuan që askush të afrohet.

Në njërën nga shtëpitë e rrënuara nga buldozerët izraelitë jetonin 15 palestinezë.

Autoritetet izraelite thanë se fshati ku janë rrënuar shtëpitë bën pjesë në Zonën C dhe se dy shtëpitë nuk kishin leje.

Qeveria izraelite rrënon ndërtimet e palestinezëve

Nën pretendime të ndryshme, Izraeli vazhdimisht ka rrënuar shtëpitë dhe ndërtimet e palestinezëve në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor, rajone të cilat i mban të pushtuara nga viti 1967.

Burimet lokale thonë se vetëm vitin e kaluar, Izraeli rrënoi 538 shtëpi dhe biznese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor me pretendimin se ishin pa leje ose gjendeshin në zonën C.

Në kuadër të “Marrëveshjes së Dytë të Oslos” të nënshkruar në vitin 1995 mes Palestinës dhe qeverisë izraelite, Bregu Perëndimor ishte ndarë në zonat A, B dhe C.

Zona A, e cila përfshin 18 për qind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë, zona B, që përfshinte 21 për qind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës kurse në atë të sigurisë Izraelit, kurse zona C, që përfshin 61 për qind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit edhe në aspektin administrativ, edhe atë të sigurisë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne