Ushtria amerikane patrullon së bashku me YPG/PKK-në në fushat e naftës në Siri

Ushtria amerikane i ka vazhduar aktivitetet e patrullimit së bashku me organizatën terroriste YPG/PKK në fushat e naftës në veri dhe lindje të Sirisë.

Në rajonin e qytetit Malikiyah që gjendet në trekëndëshin kufitar Turqi-Irak-Siri ekzistojnë shumë puse të naftës të kontrolluara nga ana e YPG/PKK-së.

AA ka filmuar në Malikiyah patrullimet amerikane së bashku me YPG/PKK-në.

Teksa terroristët vazhdojnë të nxjerrin naftë nga këto puse, forcat amerikane patrulluese shoqërohen edhe nga pjesëtarët e YPG/PKK-së.

Siç shihet nga pamjet, terroristët, të cilët veprojnë nën njësinë e ashtuquajtur HAT, bëjnë truprojën e ushtarëve amerikanë.

Ushtarët amerikanë së fundmi kanë shtuar patrullimet dhe praninë në fushat e naftës në Siri, ndërsa kohë pas kohe realizojnë takime me përgjegjësit e organizatës.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ditë më parë ka deklaruar se “askush përveç popullit sirian nuk ka të drejtë mbi pasuritë e Sirisë”.

Sipas marrëveshjes për të cilën Turqia dhe SHBA u dakorduan më 17 tetor, ushtria amerikane duhej që brenda 120 orëve t’i nxirrte terroristët nga zona e sigurt e planifikuar.

Washingtoni shtoi përforcimet në provincën Deirizor në lindje të Sirisë pasi në fund të tetorit njoftoi se do ta rriste praninë ushtarake në fushat e naftës.

Ushtria amerikane u tërhoq nga 16 baza dhe pika ushtarake gjatë operacionit antiterrorist turk “Burimi i Paqes”, por pas ofensivës në fjalë, u kthye në gjithsej gjashtë baza dhe pika në Haseke, Raka dhe Ayn al-Arab.

Aktualisht, SHBA, e cila po përqendron praninë e saj në fushat e naftës në Siri, është duke ndërtuar edhe dy baza në Deirizor./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne