“Ushtria e Kosovës do të vazhdojë procesin e fuqizimit”

Në Prishtinë sot është certifikuar gjenerata e parë e rekrutëve në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), në mandatin e parë të saj si ushtri.

Në një trajnim bazik, siç e quajtën udhëheqësit e FSK-së, që ka zgjatur për nëntë javë, pjesë e FSK-së janë bërë 337 rekrutë të rinj, në mesin e tyre 52 femra dhe 22 nga komunitetet pakicë në vend.

Me solemnitet dhe në prani të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, ata u betuan të premten në ceremoninë e organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në kryeqytet.

Komandanti i FKS-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, kërkoi nga pjesëtarët e rinj të kontribuojnë në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së me mandatin e saj të ri si ushtri.

“Ka filluar tranzicioni sipas planit të bazuar me mandatin e ri për mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Nga sot ju do të jeni pjesë e këtij procesi. Andaj, kërkoj nga ju angazhim shtesë duke i shfrytëzuar njohuritë dhe aftësitë e juaja të fituara deri më tani në mbështetje të këtij procesi”, tha Rama.

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, duke i përgëzuar rekrutët e rinj për arritjen e tyre, tha se dita kur po ndodh kjo ngjarje është një ditë e madhe për karrierën dhe jetën e ushtarëve të rinj, për FSK-në, për Ministrinë e Mbrojtjes, për shtetin, por edhe familjarët.

“Nuk ka detyrë më të ndershme se sa t’i shërbesh vendit dhe të kontribuosh në ruajtjen e paqes dhe të qetësisë jo vetëm të Kosovës por edhe më gjerë”, tha Berisha.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se kadetët e rinj janë pjesë e ushtrisë më të re në botë, e cila i ka dëshmuar aleatëve të Kosovës seriozitetin dhe gatishmërinë për paqe.

“Ushtria e Kosovës do të vazhdojë procesin e fuqizimit dhe profesionalizimit të saj, për t’u bërë gati për fazën e anëtarësimit në NATO. Ne do ta rrisim buxhetin për ushtrinë. Ne kemi mundësi për ta bërë këtë dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha Veseli.

Me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së e cila parashihet të zgjasë nga 7 deri në 10 vjet, planifikohet që numri i pjesëtareve të FSK-së të arrijë në 5 mijë pjesëtarë aktivë dhe 2 mijë e 500 rezervë.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 107 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim kanë miratuar formimin e ushtrisë në dhjetor të vitit 2018./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne