Rajoni

Ushtria e Kosovës po stërvitet nga NATO-ja në Kroaci, alarmohen serbët

Mediat serbe janë alarmuar nga pjesëmarrja e Ushtrisë së Kosovës në stërvitjen e NATO-s “Immediate Response 19”, nikoqire e të cilës është Kroacia.

Ftesa për pjesëmarrje Ushtrisë së Kosovës i është dërguar nga selia e Aleancës Veriatlantike  në Evropë, kurse ushtrimi është i koordinuar nga komanda e e forcave të SHBA-së në Evropë!

Sipas gazetës serbe “Vecernje Novosti’, nuk është njoftuar se në bazë të cilave kritere janë ftuar pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës në këtë stërvitje, por, sipas tyre “jo zyrtarisht thuhet se kjo ishte dëshirë e amerikanëve”.

“Nga ushtria kroate dje nuk është komentuar pjesëmarrja e ushtarëve të Kosovës, por ata edhe ashtu nuk u kanë dërguar as ftesat forcave të armatosura të vendeve të tjera për pjesëmarrje në stërvitje”, shkruan gazeta.

Kroacia gjatë këtij muaji dhe muajin e ardhshëm, do të organizojë tri stërvitje të madhe ushtarake të NATO-s.

“Immediate Response 19″,” Astral Knight 19″ dhe “Swift Response 19” janë emërtimet e stërvitjeve në organizim të Komandës të Forcave Tokësore për Evropë (USEUCOM) që në koordinim me anëtaret e NATO-së dhe vendet partnere do të mbahen në Kroaci, ka njoftuar Ministria Kroate e Mbrojtjes në faqen e saj në internet.

Stërvitja e parë “Immediate Response 19”, me të cilën Ushtria e Kroacisë shënon 10 vjetorin e hyrjes së Kroacisë në NATO, filloi më 10 maj dhe zgjat deri më 6 qershor në territorin e Kroacisë, në hapësirën e Sllovenisë dhe Hungarisë.

Në këtë stërvitje marrin pjesë 1,600 pjesëtarë të forcave të armatosura të Kroacisë, Sllovenisë, Hungarisë, BiH, Shqipërisë, Malit të Zi, Kosovës, SHBA, Polonisë, Francës, Britanisë, Lituanisë, Maqedonisë së Veriut, Italisë dhe Gjermanisë.

Qëllimi i stërvitjes është ushtrimi i lëvizshmërisë të forcës shumëkombëshe. Kroacia, Sllovenia dhe Hungaria  janë bashkëorganizatore dhe nikoqire të ushtrimit.

Stërvitja e dytë “Astral Knight 19” është ushtrim i forcës ajrore amerikane në Evropë (USAFE) që do të mbahet nga 3 deri 6 qershor, ndërsa më pas mbahet stërvitja “Swift Response 19”, e cila mbahet në Bullgari, Kroaci dhe Rumani, po ashtu gjatë qershorit.

Në këto ushtrime do të marrin pjesë 750 pjesëtarë të Ushtrisë kroate dhe 4,500 pjesëtarë të forcave të armatosura nga vendet aleate dhe partnere, rreth 60 fluturake, mbi 30 helikopterë dhe mbi 800 automjete, ka njoftuar Ministria Kroate e Mbrojtjes.

OPINIONE