Ushtria indiane pretendon se ka arrestuar dy pakistanezë në Kashmir

Ushtria e Indisë pretendon se kanë arrestuar dy shtetas të Pakistanit përgjatë Linjës së Kontrollit (LOC), ndërsa këta dy persona ishin shpallur si të zhdukur më 21 gusht përderisa po punonin në fushat e tyre.

“Dy shtetas pakistanezë, të cilët i përkasin organizatës terroriste LET (Lashkar-e-Taiba), u kapën nga ushtria indiane”, tha zyrtari ushtarak KJS Dhillon në një konferencë për media në Srinagar.

Megjithatë, një zyrtar policor nga pjesa e Kashmirit e administruar nga Pakistani, tha se kanë regjistruar zhdukjen e dy personave në afërsi të LOC, që faktikisht shërben si kufi që ndan rajonin Xhamu Kashmir mes Pakistanit dhe Indisë.

Familjarët e personave të identifikuar si Mohammad Nazeem (22-vjeçar) dhe Khalil Ahmad (31-vjeçar) i kanë thënë policisë se të ata dy janë zhdukur derisa po punonin në fushat e tyre, thotë për Anadolu Agency (AA) Raja Jamil, zyrtar i policisë lokale në Khurshid Abad.

Ai thotë se Nazeem ishte banor i Hallanit ndërsa Khalil jetonte në zonën Tenda Ban të distriktit Haveli që ndodhet në afërsi të LOC-së.

“Ne e kemi regjistruar raportin e zhdukjes së dy të rinjve dhe në ditën e njëjtë kemi informuar zyrtarët e lartë”, thotë Jamil.

“Nuk kemi informatë të saktë, por megjithatë, prindërit e tyre pretendojnë se të dy të rinjtë janë marrë nga ushtarët indianë”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, komandanti i ushtrisë indiane i quajti ata “terroristë”, duke pretenduar se “Pakistani me çdo kusht dëshiron të infiltrojë sa më shumë terroristë në Kashmir për të prishur paqen”.

Ai tha se në një tentim të tillë më 21 gusht, janë kapur dy shtetas pakistanezë.

Ushtria indiane publikoi dy video rrëfyese të dy burrave, të cilët u identifikuan nga ushtria indiane si Mohammad Khalil dhe Mohammad Nazim.

Tensionet përgjatë LOC janë përshkallëzuar në javët e fundit pasi qeveria indiane më pesë gusht hoqi statusin special të rajonit Xhamu Kashmir.

Që atëherë, rajoni me shumicë myslimane ka qenë nën një bllokim pothuajse të plotë pasi qeveria ka bllokuar komunikimin dhe ka vendosur kufizime të rrepta për të parandaluar çdo rebelim, si dhe ka arrestuar udhëheqësit politik në rajon.

Disa grupe të të drejtave të njeriut, përfshirë Human Rights Watch dhe Amnesty International, vazhdimisht i kanë bërë thirrje Indisë që të heqë kufizimet dhe të lirojë të burgosurit politik.

Megjithatë, autoritetet indiane pretendojnë se 90 për qind e rajonit të diskutuar Xhamu Kashmir është pa kufizime ditore.

Nga viti 1954 deri më 5 gusht të këtij viti, Xhamu Kashmiri kishte dispozita të posaçme sipas të cilave rajoni miratonte ligjet e veta. Dispozitat gjithashtu mbronin ligjin e shtetësisë, i cili ndalonte të huajt që të vendoseshin dhe të zotëronin tokë në këtë territor.

India dhe Pakistani administrojnë dy pjesë të Kashmirit dhe pretendojnë kontroll të plotë mbi këtë rajon. Kina kontrollon gjithashtu një pjesë të rajonit të kontestuar, por India dhe Pakistani kanë zhvilluar dy luftëra për Kashmirin./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne