Ushtria izraelite shkel armëpushimin, bombardon një kullë vrojtimi të Hamasit në Gazë

Marrëveshja e armëpushimit, arritur të premten ndërmjet Lëvizjes së Rezistencës Islame të Palestinës (Hamas) dhe Izraelit, është shkelur një ditë më vonë nga bombardimet e ushtrisë izraelite.

Tanket izraelite bombarduan një pozicion të grupit palestinez Hamas në Rripin e Gazës të shtunën, sipas ushtrisë izraelite.

Ushtria tha në një deklaratë se zjarri i tankeve erdhi pasi disa të dyshuar kaluan një gardh sigurie ndërmjet Gazës dhe Izraelit.

Banorët lokalë thanë se bombardimet kishin në shënjestër një kullë vrojtimi të Hamasit në lindje të Rripit të Gazës.

Asnjë viktimë nuk u raportua.

Bombardimet e së shtunës erdhën menjëherë pasi Hamasi njoftoi një marrëveshje armëpushimi ndërmjet fraksioneve të rezistencës palestineze dhe Izraelit për çtensionimin e situatës në territorin palestinez.

Ushtria izraelite njoftoi po ashtu se qetësia është vendosur përgjatë kufirit të Rripit të Gazës dhe se komunitetet izraelite fqinje me Gazën mund t’i kthehen tashmë rutinës civile normale.

Marrëveshja e armëpushimit erdhi pasi 4 palestinezë u martirizuan dhe një ushtar izraelit u vra në një përshkallëzim ditën e premte.

Që nga marsi i këtij viti, më shumë se 140 palestinezë janë martirizuar dhe mijëra të tjerë janë plagosur në protestat palestineze kundër dekadave të tëra të pushtimit izraelit dhe një bllokade 11-vjeçare, e cila ka shkatërruar ekonominë e Gazës dhe privuar rreth 2 milionë banorë të saj nga shumë produkte bazë./ TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne