Bota

Ushtria izraelite sulm ajror në Siri

Ushtria izraelite ka njoftuar se ka kryer sulme ajrore mbi disa objektiva ushtarake që i përkasin regjimit të Bashar al-Asadit në kundërpërgjigje të dy raketave të shkrepura nga Siria, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Disa objektiva ushtarake që i përkasin regjimit të Asadit u goditën nga avionë luftarakë dhe helikopterë sulmues në kundërpërgjigje të dy raketave të shkrepura në orët e natës nga pjesa veriore e Lartësirave të Golanit, njëra prej të cilave ka rënë në territorin izraelit”, thuhet në një komunikatë të ushtrisë së Izraelit.

Në mesin e objektivave të goditura gjendeshin “dy bateri artilerike, disa baza mbikëqyrjeje dhe të inteligjencës, si dhe një bateri e mbrojtjes ajrore SA-1”, tha ushtria.

Po ashtu, sipas komunikatës, gjatë sulmit, nga ana e Sirisë është hapur zjarr me kundërajror, por asnjë prej tyre nuk ka goditur anën e Izraelit, pasi në veprim janë vënë sistemet e mbrojtjes ajrore izraelite.

Ushtria izraelite gjithashtu ka publikuar një hartë e cila tregon pamjet e momentit të sulmit dhe vendet që janë vënë në shënjestër.

Në sulm kanë humbur jetën 3 ushtarë

Agjencia e lajmeve SANA e regjimit të Asadit tha se në sulmin e Izraelit kanë humbur jetën tre ushtarë dhe janë plagosur shtatë të tjerë.

Gjithashtu, në lajmin e SANA-s thuhet se sistemet e mbrojtes ajrore të Sirisë kanë hyrë menjëherë në veprim të drejtpërdrejt kundër sulmeve të Izraelit dhe kanë shkatërruar disa raketa të cilat kishin në objektiv disa pika në jugperëndim të Damaskut.

Ushtria izraelite në një deklaratë të bërë më parë kishte thënë se nga ana e Sirisë drejt Lartësirave të Golanit të pushtuara nga Izraeli “janë hedhur dy raketa të cilat nuk kanë shkaktuar humbje të jetëve apo dëme materiale”.

Izraeli që nga viti 1967 mban nën pushtim Lartësirat e Golanit që i përkasin Sirisë ndërsa në vitin 1981 ai njoftoi aneksimin e njëanshëm të tyre. Vendimin e paligjshëm të cilin në atë periudhë e refuzoi komuniteti ndërkombëtar, e njohu pak muaj më parë qeveria e SHBA-së nën udhëheqjen e Donald Trumpit.

Që nga fillimi i luftës civile në vitin 2011, Izraeli ka sulmuar grupet e mbështetura nga Irani dhe pikat ushtarake të regjimit, duke pretenduar se nga Siria dhe Lartësitë e Golanit shkrepen raketa në territoret e tij./ AA