Ushtria Kombëtare Siriane: Lufta jonë nuk është kundër kurdëve

Kreu i Ushtrisë Kombëtare Siriane (SNA) Selim Idris tha se lufta e tyre nuk është kundër popullit kurd, i cili veçse ka vuajtur shumë nga duart e grupeve terroriste në Siri.

“Këto organizata (terroriste) kanë për synim civilët. Lufta jonë nuk është kundër popullit të nderuar kurd”, thotë Idris.

Idris është ministër i mbrojtjes në qeverinë e përkohshme të Sirisë dhe kreu i Ushtrisë Kombëtare Siriane, të përbërë nga grupe të ndryshme opozitare të mbështetura nga Turqia.

Turqia më 9 tetor nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të Eufratit për të siguruar kufijtë e saj duke eliminuar elementet terroriste, si dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.

Ankaraja dëshiron të pastrojë veriun e Sirisë në lindje të lumit Eufrat nga PKK-ja terroriste dhe dega e saj siriane YPG.

Duke rikujtuar se operacioni nuk ka në shënjestër asnjë civil, ai tha se po përpiqen që të mbrojnë banorët lokal nga grupi terrorist YPG/PKK.

Në fushatën e saj terroriste mbi 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë personave, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje.

“Si Ushtri Kombëtare Siriane, ne i konsiderojmë arabët, kurdët, turkmenët, muslimanët dhe të krishterët si pjesë e shoqërisë siriane dhe si vëllezër dhe motra tona”, thotë ai.

Duke iu referuar fushatës dezinformuese kundër operacionit antiterrorist të Turqisë, ai tha se mbështetësit e grupit terrorist po përpiqen që të mashtrojnë opinionin me propagandën e tyre që kur kanë humbur luftën në terren.

Që prej fillimit të operacionit turk “Burimi i Paqes”, shumë llogari të mediave sociale po shpërndajnë imazhe të rreme ose fotografi që janë bërë në të kaluarën për të përhapur dezinformata në lidhje me operacionin në lindje të lumit Eufrat./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne