Opinion

Vakëfet e Prizrenit sipas defterit (regjistrit) osman të vitit 1530

nga Faik Miftari.  (Pjesa e pestë)

Përveç këtyre tre vakëflënësve të mëdhenj, Mevlana Suzi Çelebiut, Mehmet Kukli beut dhe Gazi Mehmed pashës, kemi edhe një varg qytetarësh të shtresave të ndryshme që kanë kontribuar dhe kanë lënë vakëfe të ndryshme në qytetin e Prizrenit gjatë shek. XVI-të. Këto të dhëna kemi arritur të gjejmë në saje të shënimeve të burimeve arkivore osmane të regjistrave osmane të sanxhakut të Prizrenit. Gjatë shekullit XVI-të janë kryer katër regjistrime të taksapaguesëve osman, dhe atë, gjatë vitit 1530, 1548, 1571 dhe 1591.

Sipas regjistrit osman të vitit 1530 kemi vetëm dy vakëflënës të regjistruar nga të cilët kemi parë se kush ishin dhe çfarë vakëfe kishin lënë për vete. Vakëfi i Jakub beut, dizdarit(komandantit) të Kalasës së Prizrenit përbëhej prej një mullini me 4 gurë dhe 7 dyçane. Vakëfi i Ahmet bej Evrenosit pëbëhej prej 80 dyçaneve dhe mullinjëve me 10 gurë, nga të cilët në emër të taksave ishin paguar 15.200 akça nga vakëfet e Ahmet bej Evrenosit dhe 1.600 akça nga vakëfet e Jakub beut.1

Vakëfet e Prizrenit sipas defterit (regjistrit) osman të vitit 1548

Gjatë rexhistrimit të radhës së sanxhakut të Prizrenit gjatë periudhës osmane të vitit 1548, kemi një numër dukshëm më të madh të vakëfeve të rexhistruara, si pasojë e shtimit të numrit të vakëfeve të dhuruara.

Sipas rexhistrimit osman të vitit 1548 të sanxhakut të Prizrenit kemi këto vakëfe të regjistruara në atë kohë në Prizren. Vakëfi i të ndjerit Ahmet bej Evrenosit përbëhej prej 1 çift hamami, 89 dyçane dhe mullirit me 5 gurë, vakëfi i Hasan subashit përbëhej prej 1 karvansaraji, 7 dyçane, 1 mulli në Prizren me 3 gurë, 1mulli me 2 gurë në fshatin Zojz të Prizrenit. Vakëfi i mesxhidit(xhamisë) së Jakub beut të ndjerë, ish dizdarit(komandantit) të Kalasë, përbëhej prej 9 dyçaneve dhe 1 mulliri me 4 gurë. Vakëfi i të ndjerës zonjës Ajshe, përbëhej prej 4 dyçaneve dhe 1 livadhi, vakëfi i hoxhës Shaban 6 dyçane. Vakëfi i Ajas beut për mirëmbajtjen e mesxhidit të tij, përbëhej prej 1 mullirit me 4 gurë, 5 dyçane dhe një mulli me 4 gurë i braktisur, si dhe 1 vrreshtë. Vakëfi i mesxhidit(xhamisë) së Qatib Sinanit, 1 mulli me 4 gurë. Vakëfi i të ndjerit Ahmet bej Dukagjinit, përbëhej prej mullirit me 3 gurë, 2 livadhe, çifligu në fshatin Vërmicë dhe 1 vrreshtë. Vakëfi i Mehmet vojvodës, djalit të Hëzërit, përbëhej prej 1 karvansaraji, 1 mullirit me 2 gurë, 6 dyçane, 1 hamami në kazanë shqiptare, 1 dyçani në kazanë shqiptare. Vakëfi i Mevlana Suziut për mesxhidin e tij në mahallën e Ajas beut, përbëhej prej mullirit me 3 gurë në fshatin Grazhdanik të Prizrenit, çiftllëgu poashtu në Grazhdanik, 1 livadhë, 1 cilindër 1 çekrik. Vakëfi i Iskender subashit kishte vetëm 1 mulli me 4 gurë.2

Vakëfet e Prizrenit sipas defterit (rexhistrit) osman të vitit 1571

Vakëfet më të sakta të regjistruara i hasim në defterin( regjistrin) osman të vitit 1571 të sanxhakut të Prizrenit në saje të punës kërkimore të burimeve arkivore osmane të shek.XV dhe XV-të të sanxhakut të Prizrenit, nga historianja serbe Tatjana Katiqit

Vakëfet e Prizrenit sipas rexhistrit osman të vitit 1571 janë si vijon: Vakëfi i të ndjerit Ahmet bej Evrenosit përbëhej prej 1 çift hamamit, 99 dyçane të pasura dhe 1 mulli me 4 gurë, vakëfi i të ndjerit Jakub beut, dizdarit(komandantit) të Kalasë për mesxhidin e ndërtuar të tij, përbëhej prej 5 dyçaneve të pasura, 4 dyçane të lënë pas dore, mulliri me 4 gurë,vakëfi i xhamisë së të ndjerit Hasan Çelebiut, 9 dyçane, 1 mulli me dy gurë dhe 1 vrreshtë, vakëfi i xhamisë së të ndjerit Mehmet Kukli beut, djalit të Hëzër Kukës përbëhej prej 113 dyçane, mulliri me 5 gurë dhe 2 bahçe, vakëfi i zonjës Hyrije, bashkëshortes së Mehmet Kukli beut, 15 dyçane për mirëmbajtjen e çezmeve(krojeve) në Prizren, vakëfi i mesxhidit të Terxhuman Iskenderit përbëhej prej 5 dyçaneve dhe dy vrreshtave afër fshatit Lubizhdë, vakëfi i të ndjerit Ajas beut për mesxhidin e tij në mahallën e Ajas beut përbëhej prej 1 mullirit me 4 gurë, 5 dyçane, 1 vrreshtë dhe 1 mulli i lënë pas dore. Vakëfi i mesxhidit të haxhi Ramadanit, 2 vrreshta në fshatin Opterushë, vakëfi i mesxhidit të Dervish Çelebiut në shumë prej 80.000 akçash, vakëfi i të ndjerit Kasëm beut në shumën prej 25.000 akçash për mirëmbajtjen e ujësjellësit të qytetit të Prizrenit. Vakëfi i Mehmet pashës, sanxhakbeut të Shkodrës përbëhej prej 340.000 akçash për ndërtimin e mesxhidit dhe medresesë i cili është dorëzuar mytevelisë dhe regjistruar në sixhil, vakëfi i të ndjerit Baki beut në shumë prej 3000 akçash për rregullimin e urave në Prizren, vakëfi i mesxhidit të ndjerit Emin Mehmedit në shumë prej 70.000 akçash për mirëmbajtjen e mesxhidit të tij, vakëfi i Iskender subashit, mulliri me 4 gurë, ardhurat e të cilit dedikohen për rregullimin e urës së tij, vakëfi i mesxhidit së Budak hoxhës në shumë prej 40.000 akçash, vakëfi i HyseinBalzenit(?), në shumë prej 9.000 akçash për tatimet e Portës së mahallave të Levishës, Çarshisë dhe Tabakhanes , vakëfi i rrobaqepësit Evren në shumë prej 10.000 akçsh për mejtepin e tij, vakëfi i Hasan tabakut në shumë prej 2.000 akçash për rregullimin e urës, vakëfi i haxhi Mustafës në shumë prej 2.100 akçash për rregullimin e urës, vakëfi i zonjës Sekine 1 vrreshtë, në shumë prej 1.000 akçash, vakëfi i zonjës Ajshe, 5 dyçane, 1 shtëpi, të lënë vakëf për imamin e mesxhidit të Çarshisë, vakëfi i Ferhat vojvodës në shumë prej 1.000 akças për rregullimin e urës, vakëfi i mesxhidit Jazixhi Sinanit, 1 mulli, vakëfi i janiqerit haxhi Sylejmanit,1 shtëpi për të banuar imami i mesxhidit të Iskender Dragomanit. Vakëfi i të ndjerit mevlana Suzisë për mesxhidin e tij në mahallën e Ajas beut, çiftllëgu në Grazhdanik, mulliri me 3 gurë, cilindër për përpunimin e leshit, 1 çekrëk, 1 livadh në Grazhdanik dhe vakëfi i të ndjerit Ahmet bej Dukagjinit, mulliri me 3 gurë, 2 livadhe, çiftllëgu në fshatin Vërmicë, 7 vrreshta, për mirëmbajtjen e mesxhidit të tij në mahallën e xhuma xhamisë.3

Vakëfet e Prizrenit sipas defterit (rexhistrit) osman të vitit 1591

Vakëfet e Prizrenit sipas rexhistrit osman të vitit 1591 janë identike me vitin 1571, pasi që në tërësi janë përshkruar sikurse në tekstin e defterit të vitit 1571. Ky është një hendikep për fat të keq pasi që pas 20 vitesh do të duhej të kishte vakëfe të reja lidhur me numrin e vakëfeve të shtuara, apo të ndonjë vakëfi të braktisur. Po për fat të keq nuk kemi shënime të reja dhe çfarë ka ndodhur me vakëfet e qytetit të Prizrenit pas një periudhe 20 vjeçare. Këtë nuk mund të dijmë saktësisht se çfarë ka ndodhur, ashtu që shënimet nga regjistri i vitit 1571 mbeten të vetme të qëndrueshme dhe më të sakta gjatë shek. XVI-të në Prizren.

Përfundimi

Në përfundim të këtij punimi mund të konkludojë se përveç studimit dhe hulumtimit të gjertanishëm politik dhe historik të prezencës së Perandorisë Osmane në trojet shqiptare, gjatë periudhës sunduese pesëshekullore, hulumtimet në fushat tjera të organizimit të pushtetit osmane sikurse asaj juridike, arsimore, tregtare, zejtare, humanitare, sociale janë të pakta dhe të cekëta, e në mesin e këtyre janë edhe vakëfet e shumta ekzistuse gjatë periudhës osmane në trojet tona shqiptare.

Institucioni i vakëfit gjatë kohës së periudhës osmane ka luajtur një rol të rëndësishëm shoqëror në fushat e ndryshme sikurse asaj fetare, arsimore, kulturore, sociale, humanitare, bamirësie.Vakëfit iu është kushtuar një rëndësi të madhe në kujdesin, ruajtjen dhe mirëmbajtjen sikurse të objekteve të ndryshme të lëna vakëfe, poashtu edhe të ardhurat e fituara nga qiratë e që janë destinuar me vakëfname për qëllime të caktuara më parë. Si sot më kujtohet gjersa isha fëmijë fjalët që më pat thënë babai im, tani i ndjerë, se si duhet pasur kujdes me vakëfet e lëna, fjalia e tij akoma më tingëllon në vesh:”edhe pluhurin e pastruar të marimangës nuk guxon të përvetëson myslimani për vete nga vakëfet e lëna”.

Kujdesi, ruajtja dhe mirëmbajtja e vakëfeve në fillim të periudhës osmane ka qenë në nivel, por gjatë periudhave të ndryshme kohore e sidomos në përudhën e fundit të ekzistimit të saj, vakëfet kanë nisë të lëhen në mëshirë të mytevelive(menagjerëve) të cilët kanë filluar të keqpërdorin pozitën e tyre, ashtu që gjatë kohës kanë filluar të tjetërsohen, të degradohen, të zaptohen, të rrënohen dhe të mbesin në mëshirën e kohës.

Gjatë largimit definitiv të Perandorisë Osmane nga Ballkani në vitin 1912, nisën edhe me të madhe vakëfet e mbetura të tjetërsohen, të përvetësohen, të shkatërrohen nga pushtuesit e trojeve shqiptare që ishin pjesë përbërëre e Periudhës Osmane nga mbretëritë e atëhershme të Serbisë, Malit të zi, Bullgarisë dhe Greqisë. Por kjo odiseadë vazhdoi edhe pas Luftës së dytë botërore, ashtu që nga pushtetet komuniste një numër të vakëfeve janë nacionalizuar, konfiskuar, eksproprijuar, ndërsa numri i vakëfeve të mbetuara kanë kaluar në posedim dhe menaxhim të Bashkësive Islame, objektet e ndryshme vakëfore si ato fetare, arsimore, tregtare, zejtare, bujqësore, etj., prej të cilëve krijojnë të ardhura materiale me të cilët i mirëmbajnë objektet fetare dhe punonjësit e tyre fetar.

Konkluzioni tjetër i këtij punimi është se duhet vazhduar edhe më tej në kërkimin dhe hulumtimin e burimeve arkivore osmane të periudhave të ndryshme kohore të ish Perandorisë Osmane, me theks të posaçshëm të trojeve shqiptare që ishin pjesë përbërëse të Perandorisë Osmane, të vakëfeve dhe vakëfnameve të shumta ekzistuese për të nxjerr në dritë dokumentet e ndryshme që janë të një rëndësie të veçantë historike, për trashëgiminë kulturore, fetare, sociale dhe humanitare.

Do të jetë shumë me rëndësi që brezat e ardhshme të merren shumë më tepër me kërkimin dhe hulumtimin e burimeve arkivore osmane të periudhës osmane dhe të vazhdojnë më tutje, duke zgjeruar punën e kryer me sukses të hulumtuesëve dhe studjuesëve të gjertanishëm shqiptar gjatë periudhës së gjertanishme kohore.

(Fund)

1 Olga Zirojević, Vučitrnski i Prizrenski sandjak u svetlosti turskog popisa 1530/31 godine, Gjurmime albanologjike nr.2, Prishtinë, 1968, fq.113-114, 167 Numaralı Muhâsebe-i Vilâyet-i Rûm-ili Defteri (937/1530)dizin ve tıpkı basım, II (Ankara: Başbakanlık Devlet Аrşivleri Genel Müdürlüğü, 2004), 392  

2 Başbakanlık Osmanlı Arşivi, Tapu Defteri nu 368

3 Tatjana Katić“Opširni popis prizrenskog sanđaka iz 1571 godine“, Istorijski institut, Beograd, 2010, fq.551-556.

OPINIONE