Vangjush Dako, ‘ylli ndriçues’ i kongresit të Ramës për mandatin e tretë

Në Kongresin e Partisë Socialiste, si në ditën e parë ashtu edhe në të dytën, ra në sy edhe prania e Vangjush Dakos, ish-kryebashkiakut të Durrësit. Ndonëse ai është përfshirë në ‘listën e zezë’ të Departamentit Amerikan të Shtetit, si person i korruptuar dhe lidhur me grupet kriminale, Edi Rama s’e ka hic kompleks ta mbajë Gjushin larg. Jo vetëm që s’e mban larg forumeve të partisë, por edhe fizikisht duket se e ka të nevojshme ta ketë pranë. Mjafton të shohësh madje radhën ku ishte ulur Gjushi në Pallatin e Kongreseve.

Pothuajse ngjitur me Kryeministrin dhe kupolën socialiste. Për Edi Ramën nuk është fare problem që ish-kryebashkiaku i kapur gafil në përgjimet me bandat e Shijakut duke blerë vota për PS-në dhe duke ndarë pushtetin me grupet kriminale, të jetë ende në forumet e partisë, sic vazhdon të jetë gjithashtu de fakto kryetari i Durrësit. Në intervistën e fundit në “Opinion” Edi Rama pati deklaruar se e ka mik personal Vangjush Dakon, duke i dhënë kështu edhe një mesazh direkt drejtësisë që të mos guxojnë ta prekin.

Edi Rama që përgjërohet nëpër kongrese e tribuna për shtet ligjor, për luftë kundër krimit me anti-KCK-ra dhe OFL-ra, nuk duhet marrë seriozisht për aq kohë sa mban në oborrin e pushtetit të tij Vangjush Dakon, simbol i korrupsionit dhe lidhjeve okulte të politikës me botën e krimit./LAPSI

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne